Gjykimi i Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit/ Bashkëluftëtari i Sali Çekajt tregon se çfarë pret nga Specialja

Politika

Gjykimi i Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit/ Bashkëluftëtari i Sali Çekajt tregon se çfarë pret nga Specialja

Nga: P.R Më: 26 maj 2021 Në ora: 21:12
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka deklaruar se ka adaptuar qasje proaktive dhe rigoroze të zbulimit të provave, në mënyrë që gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit të fillojë në shtator 2021.

Kjo është bërë e ditur përmes parashtresës drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake lidhur me konferencën e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj të akuzuarve të lartë përmendur.

“ZPS ka përshkruar, këtu dhe më parë, qasjen proaktive dhe rigoroze që ka adoptuar në drejtim të zbulimit të provave, një mënyrë që do të lejojë që gjyqi të fillojë në shtator 2021. Orari i përshkruar lejon shumë muaj përgatitje të mbrojtjes dhe hetim paraprak për një çështje të përcaktuar qartë, ndërkohë që njeh interesat themelorë të viktimave dhe dëshmitarëve dhe të drejtësisë, në uljen e rreziqeve të ndërhyrjeve dhe frikësimeve të natyrshme në një gjykim të zgjatur. Sidoqoftë, mbrojtja në mënyrë të përsëritur është përpjekur të karakterizojë afatin kohor si një përpjekje për të minuar një gjykim të drejtë, duke pretenduar se gjyqi nuk mund të fillojë për një minimum prej 18 muajsh nga fillimi i 2021, dhe me gjasë edhe më i gjatë”, thuhet në shkresën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

E fillimin e mundshëm të gjykimit në shtator, e quan lajm të mirë Saim Tahiraj, veprimtar i LDK-së dhe ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

Image
Saim Tahiraj

“Fillimisht është një lajm i mirë se Gjykata Speciale, në Shtator do e fillon gjykimin i të akuzuarve! Mendoj se sa më shpejt të filloj gjykimi dhe të përfundoj është në të mirë të popullit dhe shtetit të Kosovës. E them këtë për faktin se populli dhe shteti i Kosovës ka nevojë të lirohet sa më parë nga tema e vrasjeve politike, e cila ka shkaktuar konfuzion dhe përçarje të mëdha në vazhdimësi”, thotë Tahiraj.

Sipas tij, Gjykata Speciale duhet të zbardh vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Gjithashtu në vazhdimësi është keqpërdorur për interesa politike, klanore dhe partiake, andaj i duhet që sa më parë të lirohet nga kjo temë. Pritjet e populli i Kosovës nga Gjykata Speciale, janë të mëdha, sidomos nga familjarët që humbën më të dashurit e tyre nga vrasjet politike. Tani e njëzet vite dyshimet kanë qenë të drejtuara nga eksponentët që janë tani në Hagë dhe rrethi i tyre që gjendet në Kosovë”, shprehet Tahiraj.

Ai shton se cilido që të jetë vendimi përfundimtar i Gjykatës Speciale, ai duhet të respektohet nga të gjithë.

“Mendoj se ne duhet të presim të qetë deri sa të përfundoj gjykimi i të dyshuarve. Diçka tjetër janë pritjet tona, jo çdo herë drejtësia ka vendosur në përputhje me ato! Duke u nisur nga kjo, ne nuk mundë ta paragjykojmë verdiktin përfundimtar të Gjykatës Speciale andaj duhet me durim ta presim atë. Ne shpresojmë se Gjykata Speciale do gjykoj drejt, në bazë të fakteve dhe dëshmive që posedon, do merrë vendim të drejt. Cili do jetë vendimi përfundimtar i Gjykatës Speciale duhet respektuar, dhe të lirohemi njëherë e përgjithmonë nga kjo temë e dhimbshme e vrasjeve politike. Shpresojmë dhe urojmë që kriminelët ta marrin dënimin e merituar”, përfundon Saim Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat