U intervistua nga Specialja/ Ish agjenti i SHIK-ut ‘trondit’ me akuza të rënda Hashim Thaçin

Politika

U intervistua nga Specialja/ Ish agjenti i SHIK-ut ‘trondit’ me akuza të rënda Hashim Thaçin

Nga: P.R Më: 27 maj 2021 Në ora: 20:29
Hashim Thaçi

Në muajin shtator të këtij viti pritet të nisë gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, të cilët ndër tjerash, akuzohen nga Gjykata Speciale edhe për vrasjen e anëtarëve të LDK-së.

“ZPS ka përshkruar, këtu dhe më parë, qasjen proaktive dhe rigoroze që ka adoptuar në drejtim të zbulimit të provave, një mënyrë që do të lejojë që gjyqi të fillojë në shtator 2021. Orari i përshkruar lejon shumë muaj përgatitje të mbrojtjes dhe hetim paraprak për një çështje të përcaktuar qartë, ndërkohë që njeh interesat themelorë të viktimave dhe dëshmitarëve dhe të drejtësisë, në uljen e rreziqeve të ndërhyrjeve dhe frikësimeve të natyrshme në një gjykim të zgjatur. Sidoqoftë, mbrojtja në mënyrë të përsëritur është përpjekur të karakterizojë afatin kohor si një përpjekje për të minuar një gjykim të drejtë, duke pretenduar se gjyqi nuk mund të fillojë për një minimum prej 18 muajsh nga fillimi i 2021, dhe me gjasë edhe më i gjatë”, thuhet në shkresën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

E pak javë më parë, Hashim Thaçi ndryshoi avokatin e tij. Gregory Kehoe, cili ka qenë avokat edhe i gjeneralit kroat Ante Gotovina në vitin 2007 në Tribunalin Special për Ish-Jugosllavinë ku ai u shpall i pafajshëm, e zëvendësoi avokatin, David Hooper, i cili ishte mbrojtës i Thaçit në procedurën e deritanishme paragjyqësore.

E ndryshimin e avokatit dhe angazhimin e stafit mbrojtës nga Thaçi, po e kritikon ashpër Naim Miftari, ish agjent i SHIK-ut dhe ish ushtar i UÇK-së.

Image
Naim Miftari

“Hashim Thaçi ka angazhuar 5 avokatë. Bëhet pyetja pse dhe nga çka po frikësohet, nëse “lufta” e Thaçit larg fronteve nga Shtabi i Rognerit ka qenë e pastër, e drejtë. Pse me angazhu disa avokatë dhe me shpenzu dhjetëra milionë nga fondi i qeverisë tonë, nga shteti jonë i varfër dhe shumë miliona më shumë tjerë që do të vinë nga fondet ilegale private, ku futen paratë e krimit të organizuar, paratë e korrupsionit, paratë e oligarkëve politikë...”, thotë Miftari për “Bota sot”.

Sipas tij, lufta e lavdishme e UÇK-së për çlirimin e trojeve shqiptare, ishte luftë e pastër.

“Po të akuzohem unë nga kjo gjykatë, pa marr parasysh akuzat kurrë nuk kisha pranuar avokat kur e di se lufta e popullit tonë, lufta e UÇK-së dhe lufta ime si pjesë e UÇK-së ka qenë e drejt, një luftë për çlirimin e popullit tonë e vendit tonë. Lufta askënd nuk e ndërton, por e shkatërron”, shprehet Miftari.

Më tej, ish agjenti i SHK-ut, Naim Miftari e akuzon Hashim Thaçin se ka vjedhur fondet e luftës, fonde këto që ishin të dedikuara për UÇK-në.

“Por lufta e UÇK-së si ushtri vullnetare e komanduar dobët, e furnizuar me logjistik shumë keq pasi fondet e luftës i vodhi pikërisht Hashim Thaçi me disa shokë, dhe Bujar Bukoshi me disa shokë tjerë, kjo luftë e UÇK-së në këto kushte dhe në kushte Ballkanike ku edhe kundërshtari Serbia ishte kundërshtar i ndytë vrau e masakroi, dhunoi, dogji dhjetëra mijëra civilë të pa fajshëm”, thotë Miftari.

Sipas tij, Hashim Thaçi po gjykohet jo për luftën ndaj ushtrisë serbe, por si i dyshuar për krimet gjatë dhe pas luftës, dhe vrasjen e kundërshtarëve politikë.

“Lufta jonë e UÇK-së ishte një ndër luftërat më të pastra në botë. Këtë e dinë mirë edhe ndërkombëtarët, e di edhe gjykata. Por Hashim Thaçi aty është i dyshuar jo se ka mundur në luftë policinë ose ushtrinë serbe, por është i dyshuar se ka dijeni dhe është edhe i implikuar direkt në qindra rrahje, maltretime, burgosje ilegale, zhdukje dhe vrasje gjatë dhe pas luftës, ku 98% të viktimave të mundshme janë shqiptar, dhe ndër ta dhjetëra tjerë shqiptar ish kundërshtar politik dhe konkurrent ushtarak”, thekson Miftari.

Më tej, ish agjenti Miftari hedh akuza të rënda ndaj Thaçit, për të cilin thotë se është përgjegjës dhe urdhërues i një sërë vrasjesh.

“Gjersa nuk shpallet dikush i dënuar nga gjykata është i pafajshëm, dhe nuk është kriminel, por nuk është me rëndësi a dënohet apo a lirohet Hashim Thaçi, ai moralisht do të jetë gjithmonë përgjegjës, por edhe urdhërues i dhjetëra vrasjeve politike apo zhdukjeve të ish bashkëpunëtorëve të tij nga LPK, UÇK, LDK... Siç është rasti i Behajdin Hallaqit, Shaban Shales, Sadri Ramqes, Ahmet Krasniqit, Ilir Konushevcit, Ali Ukes....dhe dhjetëra komandantë të vrarë pabesisht, të hedhur në pritat serbe por edhe ushtarakë tjerë të vrarë pas shpinës pas luftës pabesisht në prita të bandave të Thaçit me shokë të vet të pronto mafias”, deklaron Miftari.

“Thaçi duhet mu gjyku në Kosovë, pasi po u dënua rastësisht nga gjykatat ndërkombëtare, edhe pse Gjykata Speciale është e Kosovës por me staf të huaj, gjithmonë do ta paraqes veten si viktimë e konspiracioneve ndërkombëtare, si viktimizim kinse për Kosovën edhe pse në fakt është krejt e kundërta. Pyesni veten secili se ku do të ishte sot Kosova pa Hashim Thaçin dhe pa mafinë e Pronto-s!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, i cili njëherit është intervistuar edhe nga Gjykata Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat