100 ditët e para të Qeverisë Kurti, sukseset dhe sfidat

Politika

100 ditët e para të Qeverisë Kurti, sukseset dhe sfidat

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 qershor 2021 Në ora: 10:11
Qeveria Kurti

Sot, Qeveria Kurti i ka bërë 100 ditë prej se është votuar në Kuvendin e Kosovës.

Kabineti qeverisës i kryeministrit Albin Kurti, besimin e të zgjedhurve të popullit (deputetëve), e mori më 22 mars të këtij viti.

Kjo qeveri u votua, pas konstituimit të Kuvendit, diskutimeve dhe përplasjeve të shumta mes deputetëve të partive humbëse dhe partisë fituese të zgjedhjeve të parlamentare të 14 shkurtit.

Që nga momenti kur u zgjodh udhëheqës i qeverisë, kryeministri Albin Kurti mbajti gjithsej 17 mbledhje qeveritare.

Ndërsa, Qeveria Kurti gjatë kësaj periudhe kohore, u karakterizua me vizita të shumta në shtetet rajonale dhe shtetet mike, ku kryeministri Kurti u bë një nga kryeministrat që zhvilloi më së shumti takime për një kohë kaq të shkurtër.

Megjithatë, vëmendjen më të madhe në qeverisjen aktuale, e kishte padyshim dialogun me Kosovën. Kryeministri Kurti u takua për herë të parë me presidentin serb Vuçiq më 15 qershor, paraprakisht kishte refuzuar një takim të tillë më 11 maj.

Pa harruar që në këtë 100 ditësh, kreu i ekzekutivit bëri disa shkarkime dhe emërime në bordet e ndërmarrjeve publike. Ndërkohë, inicioi koncept-dokumentin për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme dhe fillimin e hartimit të procesit të Vetingut.

Kurse, krejt në fund, para disa ditëve e miratoi rishikimin e buxhetit për vitin 2021.

E punën dhe të arriturat e Qeverisë Kurti gjatë këtij 100 ditëshi, për gazetën “Bota sot” e komentuan analistë të ndryshëm politik.

Zeqiraj: LVV trashëgoi nga paraardhësit "tokën e djegur!"

Analisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj, për gazetën “Bota sot” ka dhënë disa vlerësime sa i përket punës së Qeverisë Kurti.

Image
Idriz Zeqiraj

Ai u shpreh se nuk mjaftojnë 100 ditë për ta vlerësuar qeverisjen e kryeministrit Kurti, pasi qeveritë e kaluara e kanë lënë Kosovën në gjendje të tmerrshme, në të gjitha sferat, si në ekonomi, politikë, etj.

Madje ai përmendi edhe disa elemente të tradhtisë, siç janë Demarkacioni, Asociacioni, problemet me Manastirin e Deçanit, etj.

“Thonë se 100 ditëshi është i mjaftueshëm, për të vlerësuar qeverisjen e një partie apo koalicioni. Ndoshta, në kushtet normale, kur qeveria apo qeveritë paraprake, kanë lënë një trashëgimi, në mos të mirë, të paktën, brenda normales. Por, në rastin konkret, kur gjithçka ka qenë rrënuese, jo vetëm në aspektin ekonomik, por, edhe në atë politik, përfshirë këtu edhe tjetërsimin e territorit tokësor të Kosovës. Elementi i tradhtisë, në disa raste është konsumuar, siç është rasti i aprovimit të Demarkacionit. Dhe, nënshkrimi i Marrëveshjes së Asociacionit; zgjerimi, shtrirja e Manastirit të Deçanit më pronën shtetërore, duke aprovuar Gjykata Kushtetuese dhe ratifikuar Parlamenti. Lista e fajeve, deri në krime, është e gjatë. Shkurt, LVV trashëgoi nga paraardhësit "tokën e djegur!"” , deklaroi analisti.

Sipas Zeqirajt, krahas të gjitha këtyre problemeve dhe zhurmës së opozitës, Qeveria Kurti po vazhdon të punojë për ta ç ‘kapur shtetin. Ku përmes shkarkimeve të bordeve të inkriminuar, po tregojnë profesionalizëm të madh.

“Megjithatë, qeveria vazhdon të punojë, ndërsa opozita të zhurmojë! Një shtet i kapur, me të gjitha institucionet, nga vrasës dhe hajna, kërkon për t`u ç kapur. Nuk mund të vazhdohet të udhëhiqet me borde të inkriminuara. Pas çdo shkrimi, opozita destruktive, e pajtuar me krimin dhe korrupsionin, kërkon ruajtjen e status quo-së. Përtej dy dekadave, të gjitha punësimet të opozitës të sotme, kanë qenë me SHIK-as dhe militantë partiakë, në të shumtën e rasteve, profanë dhe hiç profesionalë. Dhe, tani, e bëjnë namin, duke hulumtuar në biografitë e secilit të punësuar rishtarë”, vlerësoi ai.

Në vazhdim, analisti nga Gjermani përmendi edhe prioritetet e kësaj qeverie dhe presioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat ajo u përballë gjatë kësaj kohe, ku më pas edhe iu imponua dialogu me Serbinë.

Gjithashtu, ai nuk harroi ta përmend edhe shkarkimin e Valdete Dakës, dhe shkeljet e kësaj të fundit në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit.

“Qeveria Kurti renditi prioritetet. Punësimi dhe mirëqenia, zhvillimi. Ndërkohë, presioni i BE-së dhe SHBA-së, imponoi fillimin e dialogut. Shumë zhurmë u bë për shkarkimin e disa bordeve, të dalë boje. Kryetarja e KQZ, Valdete Daka, e kishte mbushur kupën. Hapur i shërbente partisë, që e kishte emëruar. Kulmoi me talljen që u bëri mërgimtarëve. Për verifikimin e votueseve, i pykoi mërgimtarët në pritje të ziles së telefonit, që në përmasën absolute, kurrë nuk cingërroi.

Ishte një mashtrim, një tallje, sa e poshtër, aq edhe kriminale. Dhe, horrakët e opozitës, flasin për performancën e Dakës, mbledhin firmat, për ta çuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese, vendimin e duhur dhe të ligjshëm të Presidentes dinjitoze, Vjosë Osmani! Numri i votuesve u tkurrë skajshëm. Me arritjen e 174 mijë zarfeve të parë, me fletëvotime, 72 mijë zarfe u shpallën të pavlefshëm! Përllogaritjet e bëra, dëshmojnë me shifra se gjysma e popullsisë të Kosovës, jeton në Mërgatë. Kryekonsulli i vyeshëm i Kosovës, në Bavari, Afrim Nura, ka arritur të regjistrojë shqiptarët e Kosovës në këtë Republikë, njëra nga 16 Republikat e Federatës gjermane, 90 mijë kosovarë” !”, theksoi ai.

këtyre, Zeqiraj e përmendi edhe procesin e Vettingut, të cilin partitë opozitare me çdo kusht bënë rezistencë për ta ndalur një gjë të tillë.

“Sistemi i drejtësisë është rrënuar i tëri. Qysh në fillim të qeverisjes Kurti 1, nisi përgatitja për Vettingun në drejtësi. Hajna e vrastarë opozitarë, bënë rezistencë të madhe, me akuzën se "po përzihen në institucionet e pavarura!" Edhe pse zgjodhi një Komision të pavarur, e rast profesional, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, prishën koalicionin LDK-LVV; rrëzuan qeverinë Kurti; komprozuan qeverinë Hoti. Banda e PAN-it emëroi një Komision partiak, të kontrollueshëm nga ai, rezultoi se ata ishin të parët që duhej të hetoheshin!”, nënvizoi ai.

Tutje, ai komentoi edhe shkarkimin e bordit të RTK-së nga ana e Qeverisë Kurti dhe rezistencës së opozitës për ndalimin e një gjëje të tillë.

“Komisioni parlamentar aprovoi shkarkimin e bordit të RTK-së. Përsëri opozita në mbrojtje të krimit dhe të hajnisë zyrtare industriale. "LVV po ndërhynë në institucionet e pavarura", - një kundërshti klishe e paushall. Realisht, qeveria Kurti nuk duhet të humbasë kohë. Katrahura emërtuese enorme; vjedhja dhe abuzimi masiv; anarshia dhe mospuna betere; cilësia e përtokshme programore; refuzimi për të dhënë llogari organeve mbikëqyrëse e paguese të televizionit "publik", nuk lënë vend për seleksionim të personelit të RTK-së! Vetëm shkarkimi kolektiv, vënia e drynit, deri në përzgjedhjen e kuadrit profesional, që nga kryesuesi e deri ke gazetarët, mbetet e vetmja zgjidhje”, shpjegoi Zeqiraj.

E sa i përket menaxhimit të pandemisë Covid-19, analisti kishte komente dhe lëvdata të mëdha për qeverinë dhe ministrin e Shëndetësisë. Madje, ai kujtoi kohën kur Hashim Thaçi urdhëroi Gjykatën Kushtetuese, të anulojë vendimet e LVV.

“Është bërë shumë zhurmë nga opozita, për trajtimin e Pandemisë COVID 19. Kosova, duke mos qenë pjesë e organizmave ndërkombëtare, e kishte të pamundur të përfitonte nga vaksinimi i hershëm, ashtu siç bënë shtetet tjera. Megjithatë, tashmë, kjo pengesë u tejkalua dhe vaksinimi masiv po vazhdon. LVV, duke ia ditur "hallin Kosovës", vendosi masat profilaktike, parandaluese, duke karantinuar popullin, atje ku Covid ishte shfaqur. Hashim presidenti urdhëroi Gjykatën Kushtetuese, të anulojë vendimet e LVV, duke i shpallur si jo kushtetuese! Dhe, kësaj "teneqeje të shpuar", i binin jo vetëm PAN-i, por, edhe paterica e tij, LDK-ja, përkatësisht, klani uzurpator i saj!”, deklaroi ai.

Patjetër, që Zeqiraj bëri edhe një diferencë në mes qeverive të kaluara dhe kësaj aktuale. Ai beson që dallimet janë edhe në formë edhe në përmbajtje, duke përmendur disa nga dështimet dhe abuzimet më të mëdha që ndodhën në të kaluarën.

“Dallimet në mes qeverive të djeshme, me këtë të sotme, dallojnë në formë dhe përmbajtje. Asnjë pikë të përbashkët nuk kanë në mes tyre. Qeveritë e grupit PAN-istë, e kishin bërë normë krimin e organizuar dhe hajninë zyrtare. Nëpërmjet APK (Agjencia e Privatizimit të Kosovës), abuzuan më pasuritë e brezave shqiptarë, duke i bërë, kryesisht, pronë uzurpuese të komandantëve mujësharë e kriminelë. Qeveritë paraprake mashtruan popullin se, kinse, po bënin dialog për çështje teknike, por, rezultuan të jenë, tërësisht, politike. Sa herë që Edita Tahiri, me ekipin e vet dhe Hashimi, nga ana tjetër, ktheheshin nga Brukseli, lajme ogurzeza i sillnin Kosovës. Ato qeveri donin, madje, me çdo kusht, pajtimin me Serbinë, qoftë edhe me çmimin e lartë të dhënies të tokave si dhe bërjen hisedare të Serbisë, në administrimin e Kosovës. Mjerisht, edhe klani, brenda Kryesisë të LDK-së, duke qenë patericë e PAN-it, aprovoi dhe nënshkroi marrëveshjet fatale për Kosovën”, komentoi analisti.

Ai tha se tani qeveria aktuale, ka përjashtuar kompromiset shtesë në dialogun me Serbinë, ku kryeministri Kurti vendosi një standard të ri, duke bllokuar presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

“Ndërsa sot "qyteti ka një Sherif (polic) tjetër", një shprehje amerikane kjo. Dhe, populli nuk rron me ankthin e lajmeve të zeza, nga dialogu me Serbinë. Pavarësisht se ndërkombëtarët kërkojnë dialog me kompromise, qoftë edhe me epilog të dhimbshëm. Por, qeveria aktuale, ka përjashtuar kompromiset shtesë, jashtë atyre të bëra me pakon e presidentit Ahtisari. Realisht, në dialog Kurti ka sjellë një standard të ri, duke shtruar kërkesa të ligjshme dhe logjike, për të mos thënë, bllokuese për presidentin serb Vuçiq”, theksoi Zeqiraj.

Krejt në fund, ai përmendi edhe pazaret e pista që po bëjnë qeveritë e kaluara me Serbinë, me qëllim të dëmtimit të kryeministrit Kurti.

“Kurti po përballet, seriozisht, me pazaret e pista, të bëra me Serbinë, nga qeveritë e kaluara. Ndonëse kemi të bëjmë me Marrëveshje me ndërmjetësi ndërkombëtare, është vështirë anashkalimi i tyre. Aq më parë, kur qeveria aktuale nuk kërkon ndëshkimin e krerëve zyrtarë, që kanë bërë këtë krim ndaj Kosovës. Akuzat e opozitës destruktive e hiçe, për 100 ditëshin e qeverisjes Kurti, e ka marrë përgjigjen e qartë nga kryeministri Kurti: "Pjesën më të madhe të energjisë, e kemi shpenzuar, për zhbërjen e dëmeve që keni shkaktuar ju!" Kjo e vërtetë, sa absolute, aq edhe e hidhur, ua mbyllë gojën të gjithë llapaqenëve horrakë”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

Krasniqi radhit sukseset e Qeverisë Kurti në 100 ditëshin e parë

Kurse, analisti tjetër politik, Islam Krasniqi ka shpjeguar pse nuk ka pasur shumë zhvillime gjatë këtij 100 ditëshi qeverisës.

">Njëra nga arsyet kryesore, Islami e sheh vonesën e programit qeverisës.

“100 ditshi i parë i Qeverisë Kurti II nuk ka qenë me pritje të madhe, pasi që më shumë se një muaj ju ka shkuar përgatitje, kanë pasur vonesa në programin qeverisës, e kjo e ka pamundësuar edhe intensitetin për veprimin e kësaj qeverie”, deklaroi ai.

Krasniqi radhiti disa nga sukseset e Qeverisë Kurti gjatë kësaj periudhe kohore, siç janë: menaxhimi i pandemisë Covid-19, shkarkimi i disa bordeve të caktuara, përgatitjet për dialogun me Serbinë, procesin e Vettingut, etj.

“Si sukses mund të marrim menaxhimin e Covid-19, pasi që pranoj me mbi 1000 raste me Covid, e që menaxhimi i mirë e solli në zero. Si të arritur kemi edhe shkarkimin e disa bordeve të cilat suksesin e kishin zero, duke i zëvendësuar me ekspertë të caktuar, si sukses mund të marrim edhe përgatitjet për dialog, që Republika e Kosovës të jetë e barabartë në këtë proces duke e vrarë ëndrrën e Serbisë për shkëmbim territoresh apo ndonjë pazar tjetër që do të jetë në kurriz të shtetit tonë. Tani janë duke hartuar draftin për Vetting, si e arritur mund të konsiderohet edhe bashkëpunimi me OJQ-të e që në këtë draft pritet të kontribuoj apo marrë pjesë edhe opozita, që kur të fillojë ky proces mos të ketë pengesa që do ta bllokojnë”, theksoi analisti.

Në fund, Krasniqi përmendi edhe të gjithë presionin që e ka pasur Qeveria Kurti nga disa individë nga opozita dhe media të caktuara.

Ai tregoi edhe pikat thelbësore që e veçojnë Qeverinë Kurti nga qeveritë e kaluara, ku njëra ndër to, padyshim që është nepotizmi.

“Mos të harrojmë së kjo qeveri ka pasur një presion të madh nga mediat dhe individ të caktuar nga opozita, duke e prekur me tema të ndjeshme siç është lufta çlirimtare, pa harruar të cekim se ka anuluar disa kontrata, të cilat janë lidhur nga qeveritë e kaluara, e që kanë pasur edhe konflikt interesi. Nepotizmi është ndaluar edhe pse ka raste të caktuara, por që eksperienca dhe CV-ja e tyre e mbulon nepotizmin, pasi që janë ekspertë të lëmive të caktuara, e që gjithçka tregon dallimet me qeveritë e kaluara ku familjarët e tyre rehatohen nëpër konsullata apo ambasada të ndryshme, ndoshta edhe pa ditë mirë shkrim e lexim, siç kemi parë edhe ministra e kryetar komisionesh në qeveritë e kaluara”, përfundoi Islam Krasniqi.

Mehmeti: 100 ditëshi i Qeverisë Kurti, themel për ndryshimet e mëdha

Ndërsa, sipas njohësit të çështjeve politike, Faton Mehmetit, qeveria aktuale ka punuar ndryshe nga qeveritë e kaluara.

Ai u shpreh se pavarësisht se rezultatet e punës nuk i kanë prekur ende qytetarët, Qeveria Kurti është në rrugë të mbarë.

“Qeveria Kurti II, në 100 ditët e para ka dëshmuar një kurs ndryshe të qeverisjes, pavarësisht se rezultatet akoma nuk kanë prekur direkt qytetarin. Me rëndësi është trendi në të cilin është nisur kjo qeveri dhe cilin po e ndjek. Për mendimin tim nga 1 deri në 10, Qeverinë Kurti e notojë me notën 8, me ca dështime të vogla, e të cilat ndonëse nuk ndryshojnë kursin, ka pasur mundësi që të mënjanohen”, deklaroi Mehmeti.

Tutje, ai këto 100 ditë i konsideroi si themel për sukseset e ardhshme të Qeverisë Kurti, ai përmendi edhe disa nga sukseset dhe punët e mëdha që kjo qeveri ka arritur gjatë kësaj periudhe kohore.

“Gjithsesi, këto 100 ditë janë të suksesshme, janë themel për sukseset e ardhshme, e të cilat do prekin direkt qytetarin, i cili do i ndjej ndryshimet në "këmishën" e tij. Kush punon edhe gabon, është një thënie e vjetër, mirëpo Qeveria Kurti ka rritur buxhetin për 300 milionë euro, që i bie 1 milionë euro i ka shpëtuar nga keqpërdorimi, nga luksi i tepërt, një dëshmi se ekonomia është në duart e sigurta”, vlerësoi ai.

Në fund, Mehmeti potencoi se nëse Kurti vazhdon me këtë ritëm të punës, ai do të bëhet kryeministri më i suksesshëm në histori të Kosovës.

“Nëse vazhdon kështu Albini do të ketë shumë suksese, dhe do të jetë kryeministri më i suksesshëm që ka pasur Kosova deri tani. Të shohim 100 ditët tjera se çfarë do të sjellin, por të parat janë shpresëdhënëse”, përmbylli Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat