Dhuratë e çmueshme për Kosovën, Gjenerali Wesley Clark rikthehet me një mision të rëndësishëm

Politika

Dhuratë e çmueshme për Kosovën, Gjenerali Wesley Clark rikthehet me një mision të rëndësishëm

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 9 korrik 2021 Në ora: 18:11
Wesley Clark dhe Armend Mehaj

Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, Wesley Clark, ka pranuar ftesën e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.

Nga e marta, gjenerali amerikan Wesley Clark është këshilltar special i ministrit Mehaj.

Kjo u bë e ditur pas takimit të ministrit Mehaj me gjeneralin Clark, të martën, në një konferencë të përbashkët për media.

Mehaj ka potencuar se Clark ka shprehur gatishmërinë e tij në këshillimin për të realizuar zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

“Gjeneral Clark më bëri nder të veçantë në jetë dhe karrierën time duke shprehur vullnetin e tij të plotë për këshillim nga eksperienca e tij ushtarake dhe diplomatike, si dhe autoriteti i tij i jashtëzakonshëm në qendrat e vendimmarrjes botërore. Ai shprehu gatishmërinë e tij të plotë të mbështesë me këshillimin e tij në realizimin e qëllimeve të mia strategjike dhe objektivave të mi operacional për zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Gjenerali Clark ka falënderuar Mehajn për ftesën e bërë, duke shtuar se ndihet i nderuar që gjendet në Kosovë.

“Jam i nderuar të jem këtu e të kthehem përsëri në Kosovë. Jam i impresionuar me demokracinë e lirinë në Kosovë përgjatë gjithë këtyre viteve”, ka thënë Clark.

Hoxha: Kosova ka nevojë për ndihmën e gjeneralit Clark

Image
Hafir Hoxha

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hafir Hoxha, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Gjenerali Clark ka treguar se intervenimi i NATO-s në Kosovë ishte pa prapavija politike për ndryshime të kufjeve siç pretendon Serbia.

“Gjenerali amerikan Wesley Clark i cili komandonte forcat e NATO-s në vitin 1999, ka treguar më herët dhe koha po e tregon se ajo ndërhyrje e NATO-s në Kosovë nuk ishte luftë kundër ish Jugosllavisë, nuk ishte luftë për të shpërberë, ndarë ndonjë shtet, as nuk ishte luftë për të krijuar ndonjë shtet të ri apo për të bashkuar ndonjë vend nga ish Jugosllavia me Shqipërinë por ishte intervenim i pa shmangur pa prapavija politike për ndryshime të kufjeve siç e konsideron Serbia edhe sot atë intervenim të NATO-s. Intervenimi ishte i pa shmangur për çështje humanitare, në rastin konkret ishte intervenim për ta mbrojtur popullatën shqiptare civile në Kosovë nga dhuna, represioni dhe nga lufta e armatosur e padrejtë dhe e pabarabartë nga Serbia më ushtri, polici dhe njësitë paramilitare qe luftonin në Kosovë, bënin krimet me synim të pastrimit etnik të Kosovës nga shqiptarët qe i dëbonin“, ka thënë ai.

Më tej, Hoxha ka treguar si kanë rrjedhur gjërat që nga formimi i UÇK-së deri tek intervenimi i NATO-s në Kosovë, duke përmendur këtu edhe zhvillimet politike që pasuan në vend.

“Populli i Kosovës u detyrua të mbrohet me forcat e veta duke e formuar UÇK -në e cila ushtarakisht ishim shumë më e dobët në pajisjet luftarake, armatim dhe teknik, mirëpo përparësi morale kishim pasi zhvillonim luftë mbrojtëse, çlirimtare, përparësi kishim së luftonim në tokën tonë me njerëzit tanë dhe morali, aftësitë luftarake, armatosja dhe numri i ushtarëve vetëm sa shkonte e rritej. Pasi u mbrojt populli i Kosovës nga gjenocidi i planifikuar i Serbisë, pas luftës se UÇK-së, pas bombardimeve të NATO-s dhe kapitullimit të Serbisë ajo u detyrua të tërhiqet nga Kosova, si kompromis dhe që NATO të mbrojë parimet e demokracisë dhe neutralitetin ushtarak detyruan po ashtu që UÇK të çarmatoset, të transformohet si forcë ushtarake dhe Kosova të mbetet në mbikëqyrje të forcave të NATO-s. Zhvillimet politike ndryshuan, Kosova shpalli pavarësinë me të drejtë dhe u pranua pavarësia e saj. Si shtet i pavarur ka formuar institucionet dhe organet e veta shtetërore. Problem serioz është edhe formimi i Ushtrisë së Kosovës. Të gjitha ish republika Jugosllave tani më janë anëtare të NATO-s, pos Serbisë e cila mbeti vrimë e zezë e rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Hoxha e ka komentuar edhe vendimin e ri të ministrit Mehaj që ta ketë si këshilltar Gjeneralin Clark.

“Pasi Kosova ka formuar tanimë FSK-në, e cila gradualisht po merr strukturën dhe funksionin e një ushtrie të rregullt profesionale edhe Gjenerali Wesley Clark është pensionuar me plot të drejtë juridike si individ i pavarur, si qytetar i USA ka të drejtë të aktivizohet në shumë detyra humane, humanitare edhe ushtarake profesionale. Me angazhimin e tij politik nuk lidhet detyra dhe funksioni i tij që kishte vitin 1999, as relacioni i tij me ish UÇK-në dhe kjo tani si këshilltar i ministrit Mehaj për çështje të sigurisë.”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Sipas Hoxhës, Kosova ka nevojë për ndihmën e gjeneralit Clark në Ushtrinë e Kosovës dhe se kontributi do të jetë konstruktiv.

“Ata që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe FSK-së, tentojnë t’i lidhin disa kohëra, dy funksionet e gjeneralit Clark vitin 1999 me forcat e NATO-s si neutral politikisht dhe tani si këshilltar ne Ministrinë e Mbrojtjes për çështje sigurie. Pra, Kosova ka fat që atë kohë dhe tani vepron në korniza ligjore ndërkombëtare dhe aty ka kontribuar dhe po kontribuon edhe tani gjenerali Clark. Kemi nevojë për ndihmën e tij, edhe pse Serbia këtë angazhim të gjeneralit Clark pranë Ushtrisë së Kosovës do ta konsiderojnë si një lloj kërcënimi ndaj tyre. Kontributi i gjeneralit Clark do të jetë konstruktiv dhe balancues dhe stabilizues për çështjen e sigurisë ne rajon”, ka potencuar Hoxha për “Bota sot”.

Tërnava: Angazhimi i Clarkut është një dhuratë e çmueshme për ushtrinë

Image
Hajrullah Tërnava

Ndërkaq, ish zëvendësministri në Ministrinë e Mbrojtjes dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, e quan dhuratë vendimin e Clark-ut për të qenë pjesë e ministrisë së forcës.

Ai shprehet se Kosovës i duhen kuadro të nivelit të gjeneralit Clark, i cili ka njohuri të përmasave botërore.

“Gjenerali Clark gjithnjë mbeti i lidhur me fatin e Kosovës dhe u mundua dhe kontribuojë mjaft edhe në këto kohëra të pasluftës. Prandaj, sipas dëshirës së tij dhe dashurisë që e ndjen ndaj Kosovës, pa hezitim e pranoi këtë post të Këshilltarit të Ministrit të Ushtrisë së Kosovës, që për shtetin tonë është një dhuratë dhe mirënjohje e lartë si nga vet Clark, po ashtu edhe nga vet Amerika. Sepse në këto kohëra të tanishme të formimit të ushtrisë tonë, edhe vet Kosova ka shumë nevojë për përvojat e tij dhe njohuritë ushtarake që i posedon, kur vendit tonë i duhen njerëz me aso provoja të kalitura ushtarake. Sepse ushtria e jonë e porsaformuar tani, i duhen njerëz të ngritur ushtarakisht e sidomos me të tillë që kanë njohuri të përmasave botërore dhe në hap me kohën, të teknikave luftarake, si dhe të armatimit që i duhen tani Kosovës, e sidomos furnizimi me armë moderne të kohës që i nevojiten t`i ketë ushtria e Kosovës, sepse çdo gabim i furnizimit në armatim të një ushtrie, është i dëmshëm dhe i pariparueshëm dhe së fundi përjetohet si disfatë për atë ushtri në të ardhmen, e kur dihet edhe çmimi i tyre”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Më tej, Tërnava shprehet se angazhimi i Clark-ut është një dhuratë e çmueshme për ushtrinë dhe se kjo dëshmon edhe miqësinë e fortë të Kosovës me Amerikën.

“Angazhimi i Clarkut është një dhuratë e çmueshme për ushtrinë kosovare. Tani edhe ushtritë e shteteve fqinje të orientuara armiqësisht ndaj Kosovës, veç janë duke e përjetuar panikun, për angazhimin e këtij eksperti të përmasave aq të larta botërore, që i posedon gjenerali Clark, si dhe kjo e dëshmon miqësinë tonë të fortë me Amerikën dhe është dëshmi e asaj se Amerika gjithnjë do të na qëndrojë afër si për kuadro ushtarake, armatim, financim, etj”, ka deklaruar Hajrulla Tërnava për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat