“Është gabim i Albin Kurtit”/ Ky është vendimi i kryeministrit që po kritikohet

Politika

“Është gabim i Albin Kurtit”/ Ky është vendimi i kryeministrit që po kritikohet

Nga: P.R Më: 5 gusht 2021 Në ora: 20:54
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pasi shkarkoi javë më parë bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, mori vendim që ta rifunksionalizojë këtë agjenci, ndryshe nga ajo që kishte paralajmëruar gjatë fushatës zgjedhore, se do ta shuaj AKP-në.

Kurti tani ka propozuar një bord të ri të AKP-së, ku disa prej anëtarëve të propozuar janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Për një shoqëri demokratike e që i jep mundësi zhvillimit e progresit, sot i propozuam Kuvendit bordin e ri të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ky vendim nis përgatitjen e transformimit të kësaj agjencie dhe ndaljes së tjetërsimit zhvatës të pronës e pasurisë sonë. Privatizimi i egër që nisi në vitin 2002, nuk ishte brutal vetëm nga aspekti socio-ekonomik. Në qershor 2012, ish kreu i AKP-së u gjet i therrur me 11 të rëna të thikës në një vdekje të dhunshme që ende mbetet enigmatike. Kosova duhet të lëvizë drejt Fondit Sovran dhe Agjencisë e Bankës Zhvillimore. Nuk do të jetë lehtë dhe as s’e bëjmë dot përnjëherë. Mirëpo, ndryshimi për të cilin votuan qytetarët dhe programi ynë qeveritar janë rruga e së ardhmes. Andaj, ky edhe është bordi i fundit i AKP-së”, deklaroi Kurti me rastin e propozimit të bordit të ri të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

E mos mbajtjen e premtimit për shuarjen e AKP-së nga Albin Kurti, po e kritikon analisti politik dhe njohësi zhvillimeve politike, Gani Qarri.

“Megjithëse Qeveria e re e Kosovës, qysh në fillim të punës, deklaronte se planifikon shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ajo jo vetëm se asnjëherë deri më tani nuk ka paraqitur ndonjë plan konkret se si do të vazhdojë privatizimin dhe çështjet tjera me të cilat, AKP ka qenë e angazhuar, por vet kryeministri Albin Kurti sapo njoftoi se ka marr vendim edhe për caktimin e bordit te ri të saj. Madje AKP, lëre që nuk u shua si Agjenci, siç ishte premtuar, por edhe shumica e kandidatëve të propozuar për anëtarë të bordit të ri, i takojnë vet VV-së dhe janë anëtar të saj, që domethënë se edhe pas rotacionit të partive në pushtet, avazi i vjetër i punësimeve partiake dhe përvetësimit të institucioneve, enteve dhe agjencive, po vazhdon njëjtë si në të kaluarën”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, mos shuarja e AKP-së është gabim i kryeministrit Kurti.

“Qeveria e re e Kosovës, qysh javën e parë të marrjes së qeverisjes së vendit në duart e veta, jo vetëm se këmbëngulte për pezullimin e çdo vendimmarrje lidhur me privatizimin dhe tjetërsimin e ndërmarrjeve shoqërore nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), por kërkonte hapur edhe shuarjen e saj. Ndaj mos shuarja e AKP-së, është një gabim i z. Kurtit, i cili gjatë fushatës zgjedhore vet premtonte se LVV me të ardhur në pushtet, do ta shuante aktivitetin e AKP-së, e në vend të saj do të krijohet Fondi Sovran i shtetit, dhe të gjitha asetet e AKP-së do të kalonin në pronësi të atij Fondi, ndaj tani dhe duhet të veprojë ashtu siç ka premtuar, për të përmbushur premtimet që i ka dhënë votuesit të vendit”, shprehet Qarri.

Më tej, ai thotë se me këtë po dërgohet sinjal i keq tek qytetarët, duke shtuar se në vend të rifunksionalizimit, do të duhet të nisnin hetimet ndaj zyrtarëve që kanë qenë në krye të AKP-së.

“Mos shuarja e AKP-së, është një sinjal mjaft i keq, pasi që ashtu siç kanë pritur të gjithë qytetarët e Kosovës, ajo përveçse do duhej mbyllur sa më parë, përfundimisht nga z.Kurti dhe Qeveria e Kosovës, është pritur që të nisin menjëherë edhe hetimet ndaj atyre qe kane qenë me vite ne krye te AKP-se, për veprimet e tyre të njohura kundërligjore, për ndryshe po krijohet bindja se edhe gjatë qeverisjes së z. Kurti me AKP-në, pritet të përsëritet historia e mëhershme dhe do të ndodhin privatizime të jashtëligjshme njëjtë si në të kaluarën, gjë që do t’i zhgënjente keq të gjithë qytetarët e vendit”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat