Strehimi i refugjatëve Afganë në sy të ekspertëve të sigurisë/ Kështu duhet të veprojë Kosova

Politika

Strehimi i refugjatëve Afganë në sy të ekspertëve të sigurisë/ Kështu duhet të veprojë Kosova

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 17 gusht 2021 Në ora: 08:21
Qeveria e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se, ambasadori amerikan Philip Kosnett i kishte përcjellë një kërkesë nga Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken, që kishte të bënte me strehimin e përkohshëm të afganëve.

Këtë kërkesë Osmani e kishte pranuar menjëherë.

“Sipas saj këtë e kishte bërë nga parimi njerëzor “se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë; së dyti, për shkak se si anëtare e denjë e komunitetit të shteteve të lira, Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve; dhe e treta, për shkak se ne duhet t’u qëndrojmë miqve tanë, e sidomos Shteteve të Bashkuara në krah, ashtu siç na qëndruan ata neve në të mirë e në të keq”, kishte deklaruar ajo

Njohësit e sigurisë vlerësojnë se strehimi i afganëve është një gjest human duke u nisur nga vuajtjet e Kosovës.

Shala: MPB të kërkojë nga Departamenti Amerikan i Shtetit një buxhet në formën e mbështetjes për refugjatët afganë

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje për “Bota sot” ka shpjeguar rrjedhën për pranimin e refugjatëve afganë në Kosovë.

Image
Drizan Shala

Ai ka thënë se, kjo punë duhet të analizohet mirë duke dhënë edhe detaje për strehimin e tyre.

“Sa i përket kërkesës nga ana e SHBA që Kosova dhe Shqipëria të pranojnë refugjatë afganë në territorin e tyre kjo në vete ka dy pika kryesore që duhet paraprakisht të analizohet mirë.

Dhe të cilat janë :

1. Ku do strehohen këta refugjatë që mund të kalojnë shifrën mbi 50.000 qytetarë afganë, për Kosovën ku dihet që ekzistojnë tri hapësira që plotësojnë këtë fluks të madh që janë: Kampi i Njësive Speciale Policore për regjionin e Mitrovicës (Belveder) si dhe kampi ushtarak në komunën e Gjakovës, e cila administrohet nga FSK-ja dhe kampi i inovacionit në Prizren.

2. Ndërsa pika e dytë mbetet aspekti i sigurisë se kush i verifikon këta persona ku dihet që këta persona do qëndrojnë në Kosove e Shqipëri deri t`iu behet verifikimi në një interval kohor 12/18 muaj për ti lejuar të hynë në territorin e SHBA-se.

Pra institucionet e sigurisë së Kosovës (AKI, PK, FSK) do të përballen me këtë shtim të refugjatëve dhe kjo në veti do të shton edhe koston financiare për të mbuluar punën sa i përket institucioneve në fjalë”, sqaron Shala.

Sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme duhet të kërkojë nga Departamenti amerikan, buxhet për mbështetjen.

“Qeveria (MPB) duhet që të kërkojë nga Departamenti Amerikan i Shtetit një buxhet në formën e mbështetjes meqë ne do të luajmë rolin e "zonës neutrale të sigurisë" para që këta qytetar të kalojnë apo jo verifikimin nga ana e mekanizmit të sigurisë amerikan. Ndërsa, përfitime tjera mund të ndërlidhen me Ministrinë e Mbrojtjes në plotësimin e nevojave të saj nga ana e Pentagonit me armatim dhe pajisje të rënda për mbrojtje”, përfundon Drizan Shala për “Bota sot”.

Tërnava: Kosova do ta gjej mënyrën për strehimin e refugjatëve afganë

Edhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka thënë se populli shqiptar e di më së miri vuajtjen dhe e di ç’domethënë refugjatë, andaj populli shqiptar nga Kosova gjithnjë do të jetë i gatshëm t’i ndihmoj ata.

Image
Hajrullah Tërnava

“Kjo ka të bëj me politikat ndërkombëtare që po zhvillohen në këto kohëra e që në këto politika përfshihet edhe Kosova, si pjesë përbërëse globale. Sidomos kur këto politika i zhvillojnë shtetet mike të botës sikur në këtë rast Amerika, e që ne e llogarisim si mikun më besnik të Kosovës, sikur që dihet që me ndihmën e këtij shteti edhe ne sot jemi shtet i pavarur dhe i njohur nga 116 shtete ndërkombëtare, me konfirmimin e GJND si të drejtë në pavarësinë e Kosovës, për të cilën çështje vet Serbia kishte ushtruar kundërshtim pranë këtij gjygji e që u vendos në favorin tonë, për këtë shpallje të pavarësisë së Kosovës. Edhe Kosova e kishte rrugëtimin e saj me shumë vuajtje dhe dëbime që na i bënte Serbia, për në shtetet tjera të botës e sidomos në ato të BE-së, ku tani edhe tash në këto shtete të BE si dhe në Amerikë ka me qindra mijëra shqiptarë të dëbuar nga ato kohërat e represionit të viteve të ‘90-ta, që i ushtronte regjimi serb ndaj kombit shqiptar. Prandaj populli shqiptar më së miri i njeh ato vuajtje që i përjetojnë popujt të tjerë në shtete të ndryshme të botës, dhe indentifikohet me ato vuajtje të tyre. Pra, në rast se mund të kontribuojë për të mirat e tyre, populli shqiptar nga Kosova gjithnjë do të jetë i gatshëm t’i ndihmoj ato nacionalitete që i kanë ato probleme-vuajtje që i kishte përjetuar edhe populli i jonë”, thotë eksperti.

Sipas tij, vendimi i presidentes Osmani është i drejtë, është një veprim human njerëzor dhe shembull i mirë për ndërkombëtarët, sepse ne e kemi përvojën tonë të hidhur të atij regjimi serb ndaj popullit tonë.

“Presidentja Vjosa Osmani si presidente e vendit tonë duke i njohur të kaluarën për të cilat e shpjegova, dhe kur miqtë tonë të përbetuar sikur që është Amerika, nëse insistojnë që t’iu dilet në ndihmë refugjatëve afganë të gjejnë strehim në Kosovë, presidentja duhet t’iu përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese. Ne i kemi të freskëta kujtimet tona të represaljeve që i ushtronte për një kohë të gjatë Serbia ndaj nesh, dhe ndihmës së shteteve tjera e sidomos të BE, që na i pranonte ata njerëz aq të vuajtur dhe u ofronte strehime të gjata dhe rehabilitime në ato shtete ku kishin shkuar qytetarët e Kosovës”, u shpreh ai.

fund Tërnava shton se, edhe pse kulturat tona dallojnë, institucionet e Kosovës do ta gjejnë mënyrën e trajtimit të tyre në mënyrë sa ma të përpiktë dhe dinjitoze.

“Është e kuptueshme se kulturat e popullatës afgane dallojnë me ato te popullit shqiptar, por është e rëndësishme që ne duhemi të jemi kontribuues edhe për atë pjesë të popullit afganë, dhe t’iu gjendemi në këto kohë të vështira për ta. Varësisht prej numrit të atyre refugjatëve se sa parashihen të stacionohen në Kosovë, ata si mërgimtarë në shtetin tonë nuk do ta kenë edhe aq të lehtë qëndrimin si dhe adaptimin e tyre në Kosovë. Kemi ndryshime në kulturat e dy vendeve tona si kosovar-afganë, por edhe këto probleme do të tejkalohen dhe institucionet e Kosovës do ta gjejnë mënyrën e trajtimit të tyre në mënyrë si ma të përpiktë dhe dinjitoze. Ne nuk duhet t’i dëshpërojmë ato shtete mike që na kanë sjellë deri këtu ku tani gjendemi, edhe faktori ndërkombëtar do të bindet për popullin e Kosovës, se megjithatë ia vlen që i ka dalë në ndihmë për me e çlirua Kosovën, sepse edhe ky popull tani po e shpaguan atë mundin që kanë kontribuua për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, dhe institucionet kosovare duhen të kontribuojnë në integrimin e këtij populli në sistemin ligjor të Kosovës, duke iu pranua strehimin e tyre, dhënien e dokumenteve të azilkërkuesve, ndihmat sociale, sigurimin shëndetësor, shkollimin e fëmijëve të tyre, që së shpejti ai popull të integrohet në jetën e qytetarëve të Kosovës, dhe t’i gëzojnë ato të drejta të barabarta me të gjitha kombet apo kombësitë që jetojnë në Kosovë”, përfundon eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat