Zhvillimet në Mal të Zi/ Paralajmërimi: Kosova më e rrezikuara nga kurthet serbe...

Politika

Zhvillimet në Mal të Zi/ Paralajmërimi: Kosova më e rrezikuara nga kurthet serbe...

Nga: P.R Më: 8 shtator 2021 Në ora: 18:17
Protestat në Mal të Zi

Situatë shumë e tensionuar ka mbretëruar në Cetinje të Malit të Zi, ku është mbajtur ceremonia e shugurimit të Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Kjo ceremoni është kundërshtuar ashpër, ku shumë protestues kanë dalur në rrugë dhe duke vendosur barrikada në hyrje të qytetit për të penguar arritjen e krerëve të Kishës Ortodokse Serbe nga Podgorica në Cetinje.

E lidhur me trazirat në Mal të Zi dhe mundësinë që një gjë e tillë të ndodhë edhe në Kosovë kur dihet veprimtaria e Kishës Serbe, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe publicisti, Rexhep Shahu.

“Kambanat e kishës serbe që ranë në Mal të Zi mund të bien edhe në Kosovë. Por Kosova nuk ka as kohen e as luksin të hyjë në detin e fjalëve për çfarë ndodhi në Mal të Zi me kishën serbe dhe arrogancën e saj. Ndoshta kisha serbe mendon ta shtrijë a zbatojë ndonjë skenar edhe në Kosovë, dhe mendoj që Kosova nuk ka kohë as luks të hyjë në këto debate”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, Kosova është me e rrezikuar se kushdo tjetër nga kurthet e shtetit serb.

“Thjeshtë Kosova duhet ta forcojë sa me shpejt e më shumë shtetin e Kosovës dhe laicitetin e shtetit që të mos bjerë në kurthet serbe se Kosova është serë për islamizmat radikale. Kosova është më e ekspozuar se Mali i Zi dhe se kushdo tjetër nga kurthet, dinakëritë e intrigat e kishës serbe e cila e quan detyrë hyjnore para shtetit serb që ta ndezë luftën serish për Kosovën që e quan djep të mitit serb. Besoj se populli serb po bëhet esëll dhe nuk shalon meloditë e kambanave të kishës serbe”, deklaron për “Bota sot”, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu.

Ndryshe, ish-ministrat e vendeve të rajonit, përfshirë ish-ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, i dërguan një “Apel për Malin e Zi” Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Sekretarit të NATO-s, Gjenerali, Jens Stoltenberg, në të cilin ata shprehën shqetësim për situatën e krijuar atje.

”Ne, ish -ministra në qeveritë përkatëse të vendeve të rajonit, po shikojmë me shqetësim të madh zhvillimet e fundit në Mal të Zi. Pasi të gjithë i kemi përjetuar luftërat ballkanike të viteve 1990, ne nuk mund të mos shohim ngjashmëri alarmante midis ngjarjeve në Malin e Zi sot dhe ngjarjeve që çuan në ato luftëra të njëzet e pesë deri në tridhjetë vjet më parë. Mali i Zi nuk është një vend me një popullsi të madhe, por është strategjikisht shumë i rëndësishëm për stabilitetin e Evropës Juglindore dhe madje edhe të gjithë pellgut të Adriatikut. Pranimi i saj relativisht i fundit në NATO ka kontribuar shumë në sigurinë rajonale të kësaj pjese të Evropës”, thuhej në letër.

“Megjithëse ngjarjet që lidhen me vendosjen e udhëheqësit të ri të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi mund të duken të jenë të lidhura me një çështje fetare, në fakt ato nuk kanë asnjë lidhje me fenë, apo edhe me politikën apo ideologjinë. Ato janë një manifestim tjetër i konfliktit midis forcave që mendojnë se Mali i Zi nuk duhet të ekzistojë si një shtet i veçantë, dhe atyre që besojnë se Mali i Zi duhet të mbetet i pavarur, me të gjitha atributet e shtetësisë. Kritikët e tyre më agresivë vijnë nga radhët e njerëzve që refuzojnë shtetësinë dhe pavarësinë politike të Malit të Zi. Vitet e shumta të ngecjes së procesit të pranimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, inkurajojnë instinktet dhe veprimet që janë kujtesë e së kaluarës së hidhur”, thuhet më tutje në reagimin e ish-ministrave tëvendeve të rajonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat