Zgjedhjet e fundit rikthyen baraspeshën e humbur të pushteteve

Politika

Zgjedhjet e fundit rikthyen baraspeshën e humbur të pushteteve

Nga: P. R Më: 20 tetor 2021 Në ora: 20:57
Jusuf Buxhovi

Tashmë kur kanë përfunduar zgjedhjet lokale, në Kosovë partitë politike kanë filluar ‘luftën’ e tyre se kush i fitoi këto zgjedhje.

Lëvizja Vetëvendosje po mburret me rritjen e saj në zgjedhjet lokale në krahasim me ato të vitit 2017, ani pse humbi një numër të madh votash në krahasim me zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit. Ndërsa LDK po e cilëson 17 tetorin si rikthimin e madh të tyre, pas debaklit që pësoi më 14 shkurt. E PDK dhe AAK, si gjithmonë po krenohen se arriten t’i ruajnë ato komuna me të cilat kanë qeverisur, dhe në disa gjenden edhe në balotazh.

Për të komentuar rezultatin zgjedhor të 17 tetorit, gazeta “Bota sot” ka folur me historianin e njohur, Jusuf Buxhovi.

“Nëse mund të flitet për fitues në këto zgjedhje, atëherë, këta janë qytetarët e Kosovës, të cilët, para kutive demonstruan kulturë të lartë demokratike, por njëherësh, me votën e tyre, ndonëse të nivelit vendor, ia dolën që, baraspesha e rrënuar në nivel qendror midis pozitës, me shumicë absolute parlamentare dhe opoizitës së margjinalizuar, të rikthehet në mënyrë më të mirë të mundshme para se ajo të marrë përmasat e diktaturës së numrave, siç u vërejt kohëve të fundit”, thotë Buxhovi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, 17 tetori riktheu forcën e opozitës në Kosovë, forcë të cilën sipas tij, duhet ta pranojë pozita.

“Pra, në këtë aspekt, nuk duhet të flitet për "fitues" e "humbës" por kthim të normalitetit si dhe të realitetit në skenën politike, meqë pozita me fuqinë absolute në nivel qendror, do të detyrohet të pranojë fuqinë e opozitës në nivel vendor. Kështu, raportet e tanishme që sollën zgjedhjet e 17 tetorit, që sipas të gjitha gjasave edhe në balotazh do të konfirmojnë fuqinë e opozitës në pjesën më të madhe të komunave, do të jenë të rëndësishme për jetën plurale në përgjithësi, ngaqë sjellin ndarjen e pushteteve qoftë edhe në mënyrë asimetrike në të dy nivelet midis atij vendor dhe qendror”, shprehet Buxhovi.

Për fund, Buxhovi parashikon që opozita do ta fitojë edhe Prishtinën dhe Prizrenin në ballotazh.

“Zgjedhjet e fundit, duhet shikuar të rëndësishme edhe për faktin se, me dominimin e opozitës në pjesën më të madhe të komunave të vendit, veçmas në qytetet e mëdha (Pejë, Gjakjovë, Mitrovicë, Ferizaj me gjasa që atyre t'u shtohet edhe Prishtina dhe Prizreni), ajo rikthen fuqinë e humbur nga zgjedhjet e fundit, siç rikthen edhe mundësinë që dy subjektet kryesore opoziare LDK dhe PDK, në saje të këtyre suksesve, të vazhdojnë reformat e brendshme partiake, në mënyrë që në zgjedhjet e ardshme qendrore mbas tri vitesh, skenës politike t'ia rikthejnë balansat e humbura në dobi të pozitës dhe pushtetit të saj absolut”, përfundon historiani, Jusuf Buxhovi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat