Përshëndetet koalicioni LDK-LVV

Politika

Përshëndetet koalicioni LDK-LVV

Nga: A.Z Më: 29 tetor 2021 Në ora: 20:06
Foto ilustrim

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se është arritur marrëveshja e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje në garën e balotazhit për këtë komunë.

Sipas tij, kjo marrëveshje është një kërkesë e kamotshme edhe e qytetarëve dhe se edhe në opozitë kanë bashkëpunuar me LVV në Junik. Kështu kandidati për të parin e Junikut tha se marrëveshja është mirëpritur edhe nga ana e qytetarëve dhe sipas tij fitorja e tyre është e sigurt.

Tutje Shehu tregoi se vendimi është marrë pavarësisht nga qendra dhe mbi bazën e interesave të qytetarëve të Junikut.

Lidhur me këtë, analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se marrëveshja e arritur në mes LVV dhe LDK, është shenjë e mirë.

Ai thotë se në këto zgjedhjet Kuqi u sfidua nga Shehu. Tutje tha se nuk duhet bërë koalicione për pushtet, por për ndryshime.

“Është shenjë e mirë që LVV dhe LDK kanë arritur marrëveshje të bashkëpunimit për balotazh të 14 nëntorit në Junik. Në këtë komunë siç dihet në balotazh kanë shkuar AAK dhe LDK-ja .E para e kishte pushtetin deri më tash, kurse në këto zgjedhje seriozisht Agron Kuqi u sfidua nga Ruzhdi Shehu i LDK-së. Mendoj dhe duhet përshëndetur një potez të tillë politike, se para së gjithash duhet shikuar specifikat të cilat e kanë komunat veç e veç, e jo të bëhen koalicione për pushtet, jo për ndryshime dhe për interesa të qytetarëve, për çka edhe e kanë marrë edhe besimin”, tha Mulliqi.

Ai më tej ka theksuar se një logjikë të tillë koalicionesh duhet ta kemi edhe në komunat tjera, sipas tij, më afër me qëndrime politike janë LDK dhe LVV, sepse, Abdixhiku ka një qaje më ndryshe karshi LVV.

“Edhe në komunat e tjera ishte dashur të kemi një logjikë të tillë parimore koalicionesh, duke e flakur logjikën e inateve për të rrëzuar një parti apo tjetër nga pushteti. Mendoj, se shumë më afër me qëndrime politike janë LDK dhe LVV, se sa me partitë tjera politike. Logjikën anti LVV e kishte instaluar në LDK Isa Mustafa, i cili kryekëput i ka shikuar interesat e ngushta të grupeve të caktuara politike brenda LDK dhe PDK që i kanë pasur. Më duket se Lumir Abdixhiku ka një qasje më ndryshe karshi LVV, ka qasje më parimore të cilën ishte dashur ta ndjekë LDK-ja edhe në komunat tjera ku kemi balotazh”, shtoi ai.

Mulliqi potencoi se lidhje koalicionesh duhet të kenë edhe subjektet tjera politike ndaj LVV, e cilat nuk ka bërë asnjëherë asnjë dukuri negative.

Sipas Mulliqit, edhe në zgjedhjet e ardhshme duhet të bëhen koalicione politike, që për interes kanë zhvillimin e Kosovës.

“Jo vetëm LDK, por praktikat parimore të lidhjeve të koalicionit duhen t’i kenë edhe subjektet tjera politike ndaj LVV, e cila nuk mban hipoteka nga e kaluara për keqpërdorime të pushtetit dhe as për dukurit tjera negative, sepse edhe nuk ishte në pushtet deri më sot. Nëse e shikojmë interesin e qytetarëve dhe interesin e Kosovës, koalicion jo velem në këto zgjedhje lokale, por edhe në zgjedhjet e ardhshme duhet të bëhen ndërmjet subjekteve politike serioze, të cilat për interes e kanë zhvillimin e Kosovës dhe inkuadrimin e saj në BE. Pastaj, në secilën palë të zgjedhjeve duhet shikuar programet se cilat janë ato, dhe çka na ofrojnë për qytetarë”, shtoi ai.

Më tej deklaroi se nuk kemi as status të rrjedhave ekonomike, madje as inkuadrim të Kosovës në organizma të BE-së, si dhe as njohje të reja, kështu që, sipas Mulliqit, ngecjet e proceseve zhvillimore lidhen me ato parti të cilat e kishin pushtetin deri në zgjedhjet e fundit nacionale.

“Që shumë kohë kemi status kuo politike dhe të rrjedhave ekonomike në Kosovë. Në planin e jashtëm qëndrojmë edhe më dobët se në planin e brendshëm. Nuk kemi inkuadrim të Kosovës në organizma përkatës të BE-së. Nuk kemi njohje të reja, kemi madje çnjohje nga politika shumë pa efikase e jashtme e Kosovës. Kemi mbetur të izoluar si vendi i vetëm në Evropë. Pse i përmenda të gjitha këto në këtë rast kur bëhet fjalë për balotazhin në Junik? I përmenda se mos zhvillimi i duhur i Kosovës dhe ngecja e proceseve zhvillimore dhe demokratike lidhet me ato parti të cilët deri në zgjedhjet e fundit nacionale, e kishin pushtetin. Praktikat e vjetra të qeverisjes me vendin dhe të qeverisjes lokale duhet të flaken , në këtë kontest edhe lidhja e koalicioneve nëse ia duam të mirën qytetarëve dhe Kosovës”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat