Saga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave/ Ky pritet të jetë ndikimi i SHBA-së në përshpejtimin e procesit

Politika

Saga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave/ Ky pritet të jetë ndikimi i SHBA-së në përshpejtimin e procesit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 31 tetor 2021 Në ora: 16:54
Foto ilustrim

Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, ka marrë detyrën e Zëvendës-ndihmës Sekretarit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në Departamentin Amerikan të Shtetit, javën e kaluar.

Eskobar më 7 shtator mori edhe detyrën e përfaqësuesit të posaçëm të Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Ai ditë më parë ka thënë se administata e presidentit amerikan, Joe Biden ka dyfishuar përkushtimin amerikan për të punuar me aleatë dhe partnerë që Ballkani Perëndimor të avancojë në rrugën evropiane.

Në deklaratën e tij, ai ka përmendur edhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Escobar ka thënë se për këtë arsye ka udhëtuar në Bruksel muajin e kaluar për të përkrahur përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, që të shtyjë të dyja palët për të shtensionuar situatën për shkak të targave të makinave dhe për të gjetur zgjidhje.

Escobar i është referuar marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 30 shtator, sipas së cilës, makinat e regjistruara në Kosovë dhe në Serbi duhet të vendosin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targat e makinave kur të kalojnë në territorin e njëra-tjetrës.

“Së bashku e kemi bërë të qartë se dialogu është forum në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet e tyre dhe për të normalizuar marrëdhëniet, në mënyrë ideale përmes një njohjeje reciproke”, është shprehu Escobar.

Kjo deklaratë arriti të sjellë edhe njëherë mundësinë që libralizimi i vizave mund të ndodhë shumë shpejt për Kosovën.

Pula: Shtetet anëtare të BE-së mund të ngadalësojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

Në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, ka folur njohësi për çështje ndërkombëtare, Shqiprim Pula, i cili thotë se administrata Amerikane edhe me emërimin e ambasadorëve të rinjë ka arritur të ketë në qendër të vëmendjes Ballkanin Perëndimor.

Image
Shqiprim Pula

Sipas Pulës, tashmë me ekipin e ri duhet vetëm të ketë bashkëpunim të ndërsjellë në mënyrë që të arrihen rezultatet.

Përkushtimi i administratës Amerikane së fundmi, shikur edhe në kronologji të veprimeve, lidhur me ekipin e diplomatëve të rinjë, respektivisht emërimin e ambasadorëve të rinj por me shumë përvojë në karrierën e tyre, në kryqendrat e vendeve të Ballkanit perëndimor, qartazi tregon, se bashkëpunimi me vendet e Ballkanit perëndimor veç-e-veç, por edhe me Europën, përfshirë Unionin Europian (UE-në), është qëllim, është objektiv, por, vetëm loja do luhet me ekip të ri për të arritur rezultatet”, u shpreh ai.

Ndërsa i pyetur nëse mund të jetë kjo një shenjë që Kosova mund të ketë liberalizim të vizave së shpejti, ai thotë se krimi ekonomik i lidhur me partitë politike i ka penalizuar qytetarët nga liberalizimi i vizave.

Pula shton se për shkak të brishtësisë së UE-së, përkatësisht vullnetit tek-a-tek, të vendeve anëtare, asnjëherë nuk mund të ofrohet ndonjë kohë apo datë e saktë.

Tema mbi kërkesën e heqjes së vizave për Kosovën, tashmë është aq e ezauruar ndër vitesh. Por krimi ekonomik i lidhur me partitë politike në vendin tonë, prej vitesh, e ka penalizuar mjaftë shumë të ardhmen Europiane, lexuar këtu, raportet mbi progresin për Kosovën. Kjo, madje ka qenë e shumë përdorur edhe për arritje qëllimesh politike, duke lënë menjëanë, aspektin human të qytetarëve të Kosovës për qarkullim të lirë brenda hapësirës Schengen. Përkundër se disa herë është kërkuar heqja e vizave, rekomandimeve të bëra edhe nga ana e Parlamentit Europian për Këshillin Europian dhe Këshillin e Ministrave të Unionit, kjo deri më tash nuk ka ndodhur edhe për arsyen se sa e brisht dhe fragjil është UE-ja, në kontekst të vendim-marrjes. Për shkak të brishtësisë së UE-së, përkatësisht vullnetit tek-a-tek, të vendeve anëtare, asnjëherë nuk mund të ofrohet ndonjë kohë apo datë e saktë”, tha Pula për “Bota sot”.

Krasniqi: BE mund të kërkojë Asociacionin në këmbëim të liberalizimit të vizave

Ndërsa analisti politik, Islam Krasniqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se SHBA-të gjithmonë i kanë qëndruar afër popullit shqiptar mirëpo BE po ecën më ngadalë sa i përket libralizimit të vizave.

Image
Islam Krasniqi

Ai thotë se BE mund të na kushtëzoj me marrëveshje për asociacionin në mënyrë që të kemi liberalizimin e vizave.

SHBA-të asnjëherë nuk i kanë harruar popullin Shqiptar dhe janë kujdesur gjithmonë për t'a duke na dalë në krahë në kohët më të vështira duke na ndihmuar pa kursyer asgje. Deklarata e Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, i cili njëherësh është edhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar mund t'i lëvizë çështjet përpara, sepse është edhe interes për SHBA-të duke ditur së ajo çështjet apo projektet i qonë deri në fund edhe pse neve na duket së ato po ecin në një procedurë të ngadalshme. BE-ja ka ditur shpesh herë të na mashtrojë, duke na genjyer pa arsye e që tani Liberalizimin mund të na kushtëzohet më aprovimin e marrëveshjes për asociacionin ku mund të ndodhë që edhe për një kohë mund të mbesim në bllokad”, thotë ai.

Ne fund, Krasniqi shprehet se SHBA-të mund të ndikojnë në rrugën e Kosovës për integrime evropiane, mirëpo që edhe institucionet vendore duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të realizohet më e mira.

Ne shpresojmë që ndikimi i SHBA-ve do të na hapë rrugën drejt integrimeve evropiane, pasi që edhe presidenti i Amerikës është miku më i mirë i vendit tonë sepse ai së bashku më familjen e ti kanë kontribuar shumë në çlirimin e vendit dhe ndertimin e institucionëve tona. Por edhe Institucionet tona duhet t'i bashkërendojnë veprimet duke u konsultuar apo edhe duke kërkuar ndihmën e tyre pasi që SHBA mund edhe ti kushtëzojnë të tjerët për të realizuar atë që mendojnë së është më e mira”, përfundoi Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat