Pse nuk po hetohen rastet e rënda të krimit të organizuar, ku ishin të përfshirë edhe drejtues të shtetit!?

Politika

Pse nuk po hetohen rastet e rënda të krimit të organizuar, ku ishin të përfshirë edhe drejtues të shtetit!?

Idriz Morina - Bota sot Nga Idriz Morina - Bota sot Më 1 nëntor 2021 Në ora: 12:09
Drejtësia nuk i ka hetuar më tej, as nuk ka kërkuar ndëshkim për Xhavit Halitin, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn; foto ilustrim nga "Bota sot"

Qeveria e Albin Kurtit u krijua në frymën e shpresës për fillimin  e sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë.

Kishin kaluar 13 vjet shprese të vrarë, që nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Më shumë se gjysmë miliona veta e kishin braktisur shtetin e ri, por të ëndërruar prej më se një shekulli.

Kanë ndodhur dhjetëra raste arrestimesh dhe bastisjesh jo të parëndësishme, por të cilat nuk mbesin gjatë në kujtesën njerëzore, ndërsa nuk janë harruar ende rastet më skandaloze të publikuara në media, dhe për të cilat u panë provat edhe nga publiku.

Drejtësia ende nuk ka vepruar. Sigurisht që pushtetet janë të ndara, ligjërisht. Por, pikërisht nga moszbatimi i këtij parimi u krijua një hendek i jashtëzakonshëm në drejtësi.

Drejtësia u kthye thuajse në pronë private. E zbatueshme vetëm për ata që kanë nevojë për të, për ata që e kontrollonin shtetin, dhe e pazbatueshme për ata që nuk kishin fuqi, e këta janë thuajse të gjithë qytetarët, veçmas shqiptarë.

Pra, nisur nga kjo drejtësisë –institucioneve të saj, gjyqësor-prokurori-hetuesi, duhet t’i kthehet pavarësia.

Por, kjo nuk mund të arrihet pa këputjen e lidhjeve të këtyre strukturave, që vepronin dhe veprojnë ende në varësi, të grupeve politike dhe kriminale, që kontrollonin shtetin, para rënies së Hashim Thaçit dhe grupimit të tij.

Në institucionet e përmendura të drejtësisë nuk ka lëvizur thuajse asgjë, është e njëjta strukturë e inkriminuar, lehtë apo rëndë. Ndërsa, edhe pa praninë fizike të udhëheqësve të atij rrjeti antidemokratik, Thaçit e Veselit me të tjerët, duket se ‘kapja e drejtësisë’ po vazhdon.

Pritja që me “veting” të arrihet drejtësia është sikurse të rrishë duke pritur “Godonë”.

Është shembulli i Shqipërisë, e cila po shkon drejt një dekade me një proces të atillë, dhe as nuk po përmbyllet “Vetingu”, dhe as nuk po vendoset funksionimi i rendit dhe shtetit ligjor. Egërsia e krimit të organizuar po shfaqet bujshëm e rrëmujshëm, si më parë. Viktima të shpeshta edhe zyrtarë të shtetit, përkatësisht të forcave të rendit. Ata që do të duhej të ishin më të mbrojturit dhe më të paprekshmit nga grupet kriminale.

Mendoj, se Qeverisë aktuale po i mungon vendosmëria dhe gatishmëria për t’i goditur grupet e fuqishme kriminale dhe njerëzit e fuqishëm të nëntokës, që janë kryesisht në politikë.

Këto grupe kriminale janë përgjegjëse edhe për mos funksionimin normal të administratës dhe të qeverisjes përgjithësisht në të gjitha nivelet.

Janë me dhjetëra raste skandaloze që nuk mund të heshtën më tej, sepse heshtja e tyre, e ‘ngulfat’ imazhin e pretenduar të kësaj qeverie, dhe premtimeve për “Republikën e tretë” të Albin Kurtit, që sipas tij, e nënkuptonte një rilindje në qeverisje, dhe në jetën në Kosovë!

Po ashtu, edhe zgjedhja e Vjosa Osmanit presidente, nëpër duart e së cilës kalojnë edhe dekretimet në drejtësi, duhet të bashkërendojë veprimet, për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë e mungesës së rendit dhe ligjit.

Rasti i fundit skandaloz i votimeve për kreun e Junikut, i vjedhjes së votave me post, nëpërmjet mashtrimit, është një indicie se si ka qeverisur me shtetin dhe administron me partinë, Ramush Haradinaj apo vetë kjo familje.

Ndërsa, lajm i mirë është zbulimi i skandalit, është vetë skandal mosnxjerrja para drejtësisë e drejtuesve të AAK-së, e cila është përgjegjëse për skandalin.

Edhe në rastet tjera drejtësia është ndalur në gjysmë, duke bërë përgjegjës vetëm disa nga eksponentët e bosëve të krimit, që ishin apo janë në krye të shtetit dhe partive.

I tillë është rasti i mashtrimit me miliona euro me spitalin amerikan. Një Gjykatë në Prishtinë i ka dënuar vitin që shkoi Kadri Rexhepin dhe Rrahim Hashimin në akuzat për mashtrim të Faton Dalladakut për ndërtimin e një spitali. Hashimi është dënuar me 3 vjet e 9 muaj, ndërsa Rexhepi me 3 vjet burgim. Por, drejtësia nuk i ka hetuar më tej, as nuk ka kërkuar ndëshkim për Xhavit Halitin dhe Kadri Veselin, edhe pse ky i fundit ndodhet në Hagë, në një proces tjetër si i dyshuar në përfshirje në vrasje politike dhe të tjera.

Vjedhja e dy milionë eurove vitin e kaluar nga Thesari i shtetit, është një tjetër rast flagrance, që ka krijuar dyshim të bazuar se me vite të tëra është plaçkitur në atë mënyrë pasuria shtetërore.

Por, hetimet ende askund nuk kanë shkuar drejt atyre që kanë porositur këtë vjedhje, të organizuar gjatë dhe me mbështetje të shumëfishtë!

Qeveria i ka mekanizmat dhe pushtetin e mjaftueshëm ta godasë fuqishëm krimin e organizuar dhe grupet kriminale!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat