Nga vrasja tinëzare e Bekimit dhe Besimit deri në dekorimin presidencial, veprimi madhështor i Presidentes Osmani në mbrojtje të lirisë së shprehjes

Politika

Nga vrasja tinëzare e Bekimit dhe Besimit deri në dekorimin presidencial, veprimi madhështor i Presidentes Osmani në mbrojtje të lirisë së shprehjes

Nga: M.L. Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 16:13
Vajzat e Bekimit, Vesa dhe Era, bashkë me Presidenten Osmani

U desh të kalonin plot 20 vite që dikush nga institucionet të kujtohet se në Kosovë është derdhur gjak për tu mbrojtur vlera demokratike e lirisë së shprehjes.

Ditë e më shumë po vërtetohet se zhvillimet politike të dy vjetëve të fundit, i sollën Kosovës dhe popullit të saj fat, pavarësisht se jemi vetëm në fillim të rrugës.

Vendimi i Presidentes Vjosa Osmani që t`i dekorojë me Urdhrin “Hasan Prishtina”, gazetarin e gazetës “Bota sot”, Bekim Kastrati dhe Truprojën e Presidentit historik, Ibrahim Rugova, që u vranë 20 vjet më parë në një pritë të organizuar në hyrje të Skenderajt, po konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt njohjes institucionale të sakrificës së shumë intelektualëve në përpjekjet e tyre për demokraci e vlera të mirëfillta shoqërore.

Është për t`u vlerësuar fakti që Kastratin e Dajakun, presidentja Osmani i dekoroi për kontributin dhe veprimtarinë e tyre atdhetare.

Gazeta kombëtare “Bota sot” ishte më e goditura, pasi nuk heshti asnjëherë përballë ngjarjeve që cenonin e shëmtonin lirinë që sapo kishte ardhur në Kosovë.

E atyre që iu pengonte liria e shprehjes, zgjodhën mënyrën më makabre për ta ndaluar atë. Por, gazeta “Bota sot” nuk u nënshtrua asnjëherë përball këtyre përpjekjeve kriminale!

Sot gazeta “Bota sot” numëron katër dëshmorë të fjalës së lirë. Në mesin e tyre është edhe gazetari Bekim Kastrati që në 20 vjetorin e vrasjes u dekorua me urdhrin, “Hasan Prishtina” nga presidentja Vjosa Osmani.

Dekoratën e pranuan dy vajzat e Bekimit, Vesa dhe Era, të cilat dora tinëzare e tradhtare i la pa babanë e tyre.

Ismajl Kastrati, vëllai i Bekim Kastratit, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka falënderuar presidenten Osmani për dekoratën.

Ai ka thënë se Bekimi u vra nga një dorë e zezë në mbrojtje të fjalës së lirë.

“E falënderojmë presidente e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani. Kanë kaluar më shumë se 20 vite kur nga një dorë e zezë u vra në pritë biri,vëllai dhe prindi ynë. Ai u vra në mbrojtje të fjalës së lirë në një Kosovë të lirë. Por, kjo i pengoi atyre që donin peng ta mbanin jo veç fjalën por dhe lirinë e Kosovës”, u shpreh Kastrati.

Ai theksoi se si familjarë vlerësojnë vendimin e presidentes, ndërsa shpresojnë se drejtësia të thotë fjalën e saj, dhe vrasja të ndriçohet.

“Prandaj sot kur ju nga institucioni më i lartë Presidenca së Kosovës ndatë nga këtë mirënjohje ku dekoruat me urdhrin “Hasan Prishtina” Bekim Kastratin dhe Besim Dajakun për kontributin dhe veprimtarinë atdhetare në fushën e lirisë së fjalës dhe veprimtari atdhetare ne familjarët ndihemi më të lehtësuar ngase vlerësoni kontributin e birit tonë.

Gjithsesi ne familja e Bekim Kastratit shpresojmë që drejtësia sado e vonuar të thotë fjalën e saj dhe të ndriçohet kjo vrasje”, potencoi ai.

Vendimin e presidentes e ka komentuar për gazetën “Bota sot”, Xhevat Dajaku, vëllai i ish truprojës së Presidentit Rugova, Besim Dajaku.

Xhevat Dajaku thotë se dekorimi i njerëzve që dhanë kontribut për atdheun dhe shoqërinë është vlerë fondamentale dhe e çmueshme.

Sipas tij, me vendimin e sotëm presidentja Osmani tregoi seriozitetin e saj.

Dekorimi i njerëzve të devotshëm që kanë dhënë për atdheun e për shoqërinë në përgjithësi, është një vlerë fundamentale dhe shumë e çmueshme.

E nderuara Presidente, me vendimin e sotëm, ka treguar edhe njëherë seriozitetin, ndjeshmërinë e saj shpirtërore e institucionale, të lidhura ngushte dhe me përkryeshmëri njerëzore”, u shpreh Dajaku për “Bota sot”.

Ai tha se si familje janë ndjerë shumë të emocionuar për dekorimin që iu bë Bekim Kastratit e Besim Dajakut.

“Jam ndjerë shumë i emocionuar, që na ka bërë të ndjehemi edhe më lehtë me këtë dekorim, duke mos i lënë në harresë Institucionale Besim Dajakun dhe Bekim Kastratin, që e deshën dhe dhanë aq shumë për këtë vend. I jemi mirënjohës dhe e falënderojmë për vullnetin e saj! Zoti e bekoftë popullin e Kosovës, Zoti i bekoftë Besim Dajakun dhe Bekim Kastratin, Zoti e bekoftë presidenten Vjosa Osmani!”, përfundoi ai.

Xhevdet Mazrekaj botuesi i gazetës “Bota sot”, ndihet po aq sa falënderues për aktin e presidentes Osmani, ndihet edhe paksa i tronditur, duke ia kujtuar momentet e vështira në të cilat kishte kaluar redaksia e gazetës “Bota sot”, si në Prishtinë edhe në Cyrih, ku vet ai dhe stafi i tij atje, i kishin shpëtuar një sulmi me bombë të kurdisur, për të cilin rast, autori ndodhet në burg, tashmë disa vite, pasi rasti ishte kualifikuar si sulm terrorist.

Botuesi Mazrekaj kujton situatat e dhimbshme edhe të plotë rasteve të tjera, duke filluar me vrasjen e bashkëpunëtorit Enver Malokut gjatë luftës, pas luftës të Xhemail Mustafës, e deri tek atentati i fundit, i vrasjes së gazetarit tjetër të “Bota sot” Bardhyl Ajeti në vitin 2005.

Dekorata më shumë se si vlerësim, është edhe një nderim për gazetarinë dhe fjalën e lirë, të cilën gazeta “Bota sot” e artikulonte fuqishëm atë kohë dhe në vazhdimësi, por që kjo ishte e papranueshme për organizatën, “Ndërmarrje kriminale’ si e kualifikon sot gjykata speciale, e cila ka arrestuar disa nga anëtarët e këtij grupimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat