A ishte deklasim i LVV-së në zgjedhje komunale apo humbje e riparueshme?!

Politika

A ishte deklasim i LVV-së në zgjedhje komunale apo humbje e riparueshme?!

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 16 nëntor 2021 Në ora: 16:33
Kryeministri Albin Kurti

Të dielën u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve komunale, për 21 komunatë cilat ishin në balotazh.

Nga këto zgjedhje ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila arriti të fitojë vetëm 4 komuna, derisa partitë e tjera parlamentare fituan më shumë.

Kurse vet kryetari dhe njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke komentuar rezultatin tha: “rezultati jo i kënaqshëm për neve vjen si rezultat i disa defekteve të brendshme, të cilat duhet ti analizojmë më gjatë në vijim dhe i bashkimit të të gjithë të tjerëve kundër LVV-së”.

Analistët vlerësojnë se humbja e LVV-së, vije pikërisht nga faktorë të brendshëm.

Mehazi: Gabimi i Kurtit, nuk bëri koalicione me partitë tjera

Image
Profesori Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot”, në këto zgjedhje gabimi është i Kurtit, sepse gjatë balotazhit nuk lidhi aleancë me asnjë parti politike, po doli e vetmuar dhe kjo ka bërë që LVV-ja të dalë edhe më e dobët se AAK-ja e Ramush Haradinajt.

“Fajin se pse LVV-ja fitoi vetëm katër komuna gjatë këtyre zgjedhjeve lokale e ka vetë kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, i cili gjatë balotazhit nuk lidhi aleancë me asnjë parti politike, po doli e vetmuar, dhe kjo vetmi kryeneçe zgjedhore e bëri që LVV-ja e tij në këto zgjedhje lokale të del edhe më e dobët se AAK-ja e Ramush Haradinajt që mori pesë komuna, një më tepër sesa LVV-ja. Kjo vetëkënaqësi gjatë zgjedhjeve të suksesshme parlamentare LVV-në si fituese absolute e bëri që gjatë zgjedhjeve lokale të bëhet humbësja më e madhe”, thotë profesori.

Sipas tij, Kurti nuk bëri as më të voglën përpjekje koalicionuese me partitë tjera duke shtuar se ai nuk bëri koalicion as me pakicat, si atë turke, rome e boshnjake sa për ta mundur me pak vota Përparim Ramën e LDK-së.

“Mos të bisedojmë për komunat tjera që Albin Kurti nuk bëri asnjë përpjekje për koalicion me partitë tjera, po dhe në balotazhin e Vitisë kundrejt Ramës në Prishtinë, nuk bëri bile koalicion as me pakicat si atë turke, rome e boshnjake sa për të fituar për pak vota kundër Përparim Ramës së LDK-së. LVV-ja për një lëvizje të vogël koalicionuese e humbi kryeqendrën e Kosovës, Prishtinën, e çfarë i duhen Albin Kurtit katër komunat e fituara me humbjen e Prishtinës”, ka thënë tutje ai.

Në fund shton që, pazaret politike të LDK-së, PDK-së e AAK-së jo që e mundën LVV-në, duke e deklasuar rëndë LVV-në e Albin Kurtit, sepse ato e ushqyen njëra-tjetrën për të fituar vetë.

“Si është e mundur kryetari i LVV-së, Albin Kurti, gjatë balotazheve të mos bënte koalicion me asnjë parti politike duke e ditur se balotazhet janë vota pazaresh politike e jo partish, pazaret politike të LDK-së, PDK-së e AAK-së jo që e mundën LVV-në, por edhe e ushqyen njëra-tjetrën për të fituar vetë, por edhe për ta përmbushur e deklasuar rëndë LVV-në e Albin Kurtin. Ky ushqim koalicionues i Abdixhikut, Krasniqit e Haradinajt në të gjitha komunat i forcoi aq shumë sa që edhe AAK-ja e Haradinajt gjatë këtyre zgjedhjeve lokale u bë më e fortë sesa LVV-ja e Kurtit, e cila fitoi katër komuna, kurse Haradinaj një më shumë - pesë komuna, që gjatë zgjedhjeve të ardhshme këto pesë komuna të fituara partinë e AAK-së dhe Haradinajt do ta mbajnë dhe më shumë gjallë”, përfundon profesori Sulejmna Mehazi për “Bota sot”.

Qarri: Rezultati i LVV-së ishte zhgënjyes

Image
Analisti Gani Qarri

Analisti Gani Qarri është shprehur se humbja e LVV-së nuk është kurrfarë befasie.

“Duke pasur parasysh faktin se veprimet e LVV-së vazhdojnë të mbeten anti-kohë dhe kundër interesave reale të qytetarëve të Kosovës, duke konkurruar me kandidatë gjysmë-intelektual dhe gjysmë-fetar, në vend të kuadrove profesionist dhe ekspertëve të zhvillimit ekonomik, të cilët garantojnë perspektivë dhe punësim të të rinjve në vendin tonë, humbja e VV-së, nuk kishte alternativë dhe nuk ishte kurrfarë befasie, e cila edhe mori dënimin e merituar me 14 nëntor”, potencon ai.

Sipas tij, edhe pse LVV-ja ishte më e votuara në zgjedhjet nacionale, ajo në këto zgjedhje la shumë të zhgënjyer me rezultatin.

“Madje si pasojë e mos përmbushjes së premtimeve të dhëna, para se ajo të vinte në pushtet me aq pompozitet, të cilat VV-ja as pas më se nëntë muajsh qeverisje, nuk arriti t’i realizojë, për ndryshim nga zgjedhjet nacionale, përfundimi i votimeve, nëpër komuna, LVV-në, e la shumë të zhgënjyer me rezultatin, në krahasim me votat që ajo pati marrë në zgjedhjet e muajit shkurt, të po këtij viti”, deklaron ai.

Kështu që përveç humbjes spektakolare në Prishtinë dhe Prizren, LVV-ja në zgjedhjet lokale arriti të fitojë vetëm 4 komuna, duke humbur garën përveç kryeqytetit edhe në shumë qytete tjera, gjë që duke pasur parasysh numrin e madh të votave me të cilat vetëm para pak muajsh erdhi në pushtet, zgjedhjet lokale e nxjerrin LVV-në parti plotësisht të dështuar në gjithë vendin”,
shpjegon ai.

Ai në fund thotë se ishin faktorët e brendshëm që e nokautuan përfundimisht LVV-në, sepse nuk pati kandidat profesionist dhe ekspert të ekonomisë, të cilët garantojnë zhvillimin e vendit e të komunave.

“Për aq më tepër, kësaj radhe ishin vet faktorët e brendshëm dhe jo më ata të jashtëm, të cilët e nokautuan përfundimisht LVV-në, ishte pikërisht konkurrimi i saj, jo me kandidat profesionist dhe ekspert të ekonomisë, të cilët garantojnë zhvillimin e vendit e të komunave si dhe sigurimin e vendpunimeve për të rinjtë, por me njerëz gjysmë fetar e gjysmë-intelektual, me të cilët, tash e mbi njëzet vite, janë lodhur, së tepërmi qytetarët e Kosovës, por që VV-ja, çuditërisht ende nuk po heq dorë”, përfundon analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat