“Kërcënimi më i madh për Ballkanin në dy dekada”, avokati shqiptar komenton emërimin e ushtarakut britanik si emisar special

Politika

“Kërcënimi më i madh për Ballkanin në dy dekada”, avokati shqiptar komenton emërimin e ushtarakut britanik si emisar special

Nga: A.ZH Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 22:10
Sir Stuart Peach u emërua emisar i posaçëm i Britanisë për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson, emëroi të enjten një emisar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Në njoftimin e lëshuar nga qeveria britanike, thuhet se emërimi i ushtarakut Sir Stuart Pech, është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Britanisë së Madhe për zhvillimin dhe përparimin e rajonit.

“Sir Stuart Peach do ta marrë detyrën e re pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, një post të cilin e mban prej vitit 2018. Më parë ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Britanisë së Madhe”, thuhet në njoftim.

Komunikata ka cituar kryeministrin Johnson, të ketë thënë se “Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për qëndrueshmërinë dhe sigurinë në më shumë se dy dekada”.

“Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur sukseset e arritura përmes paqes dhe dialogut. Nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndasitë e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e zotit Peach, do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të nxitur integrimin euroatlantik në këtë rajon”, citohet të ketë thënë Boris Johnson.

Vendimin e ri të qeverisë britanike për Ballkanin, e ka komentuar avokati shqiptar Spartak Ngjela. Për gazetën “Bota sot”, Ngjela ka thënë se konflikti është prezent në vendet e Ballkanit, mirëpo sipas tij, është prezenca amerikane ajo që po siguron Kosovën dhe Shqipërinë.

“Peach është ekspert ushtarak. Konflikti është prezent në Ballkanin Perëndimor. Por, prezenca amerikane siguron Kosovën dhe Shqipërinë”, është shprehur avokati.

Image
Spartak Ngjela

Ndërkohë, ky emërim nga Britania, ka shkaktuar frikë në Serbi. Zyrtari i partisë së presidentit Aleksandar Vuçiq, Milovan Dreçun është shprehur i shqetësuar për emërimin e Peach si emisar Special, duke thënë se ai do “të shkaktojë dëme për interesat e Serbisë”.

Sipas tij, Britania po dëshiron ta dobësojë pozicionin e Serbisë në negociata me Kosovën.

“Duke emëruar Shefin e Forcave Ajrore të Britanisë së Madhe, Stuart Peach, si Emisar Special për Ballkanin Perëndimor, Britania dëshiron të ndikojë në proceset e brendshme të Serbisë dhe ta dobësojë pozicionin tonë ndërkombëtar dhe në negociata me Prishtinën”, ka thënë ai.

Emërimin e ushtarakut si Emisar Special i Britanisë për Ballkanin Perëndimor, e ka përshëndetur edhe Gjermania.

Politikania gjermane, Susanne Schutz, në një shkrim në Twitter, Schutz ka mbështetur shkrimin e Sekretares së Jashtme të Britanisë së Madhe, Liz Truss, e cila ka thënë se emërimi i Peach do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Emërimi i Sir Stuart Peach si i Dërguari Special i Mbretërisë së Bashkuar nënvizon rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për Evropën në tërësi. Gjermania mezi pret të punojë së bashku me Sir Stuart për të ruajtur stabilitetin dhe për të nxitur prosperitetin në rajon”, ka thënë ajo./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat