‘Njerëzit e paprekshëm’ nga ligji/ Plani i Amerikës që po ia hap rrugën Kosovës për luftimin e krimit dhe korrupsionit

Politika

‘Njerëzit e paprekshëm’ nga ligji/ Plani i Amerikës që po ia hap rrugën Kosovës për luftimin e krimit dhe korrupsionit

Nga: A.M. Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 21:53
Foto ilustrim

Kohëve të fundit, Qeveria e Kosovës ka zhvilluar disa aksione kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

Këto aksione kryesisht u zhvilluan në veri të Kosovës dhe në komunën e Shtërpcës, më saktësisht në Brezovicë. 

Kurse, opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për “Bota sot” tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës me publikimin e listës së zezë, ia hapi rrugën Qeverisë së Kosovës për organizmin e aksioneve kundër krimit në veri të vendit. 

“Duhet t’i falënderojmë SHBA-të, të cilët na dhanë mbështetje dhe krijuan një mundësi me organizimin e Listës së zezë, që t’i fusin në këtë listë njerëzit kryesor të krimeve të rënda ekonomike dhe politike edhe në veri të Kosovës, për ta luftuar në një mënyrë krimin dhe korrupsionin si edhe ekstremizmin serb në veri të vendit, i cili ka marrë përmasa të mëdha në këtë pjesë të Kosovës, që  vepron pa u ndalur nga një grup i serbëve ekstremist, ku një pjesë e tyre i takojnë Listës serbe, në mesin e të cilëve ka edhe deputet prej tyre në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi ai. 

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Sipas Preqit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e ndihmojnë Kosovën, përmes planit për luftimin e krimit dhe korrupsionit në Ballkan, 

Krahas kësaj, ai përmendi vendosjen e këshilltarit të posaçëm ligjor në Ambasadën Amerikane në Zagreb. 

“Prandaj, SHBA-të, po na ndihmojnë shumë edhe përmes këtij plani të ri, që e ka hartuar për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në Ballkan, duke vendosur një këshilltar të posaçëm ligjor, që do vendoset në Ambasadën Amerikane, në Zagreb, që do gjejë edhe një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë në Kroaci, për të ndjekur për së afërmi rastet që përfshijnë gjithë Ballkanin perëndimor, Malin e Zi, Bosnjën, Serbinë, Kosovën, Kroacinë dhe Maqedoninë veriore”, nënvizoi opinionisti. 

E në kuadër të këtyre aksioneve të Qeverisë Kurti, ai e përmendi aksionin në Brezovicë, ku theksoi se Prokuroria e Shtetit duhet  të jetë e guximshme dhe të dënojë pronarët e vilave dhe hoteleve të ndaluara në këtë zonë. 

“Kuptohet se pronarët e këtyre vilave, hoteleve dhe shtëpizave në këtë zonë të ndaluar të Brezovicës, janë edhe nga ata që qytetari i Kosovës, nuk ka aq njohuri të qartë për këta njerëz, sepse këtu bëhet fjalë për ish-ministra, kryeministra dhe kryetar të shtetit, duke e mos besuar se gjëra të tilla bëjnë këta njerëz që i kanë pri qeverisë dhe shtetit, dhe sikur Ministria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk mund ta bëjë ndjekjen e këtyre njerëzve, por Prokuroria e shteti, duhet të jetë e guximshme dhe e fuqishme ta ekzekutoj dënimin e tyre, dhe shkatërrimin e këtyre objekteve pa leje”, shpjegoi Preqi. 

Në fund, opinionisti potencoi se njerëzit e përfshirë në këto aksione kundër krimit dhe korrupsionit duhet të dënohen me ligj. 

“Edhe Drejtoria e Parkut Kombëtar, po ashtu në koordinim me Prokurorinë e shtetit, në bazë të ligjit për mbrojtjen e ambientit, të gjitha objektet e ndërtimit pa leje në zonat e ndaluara në Brezovicë, duhet të rrënohen dhe të kthehen në gjendje të mëparshme, edhe pse pronar të këtyre vilave, hoteleve dhe shtëpizave, mund të jenë me domethënie të njerëzve të paprekshëm, por ligji është mbi të gjitha që duhet të na bëjë për vete, sepse ai shkrihet dhe na i cakton drejtimet tona të drejtat dhe njeriun pa dinjitet e fut në binarët e drejtë”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat