Sanksionet nga SHBA/ Qarri: Të zgjerohen masat

Politika

Sanksionet nga SHBA/ Qarri: Të zgjerohen masat

Nga: A.M. Më: 9 janar 2022 Në ora: 15:25
Ilustrim

Situata në Bosnje dhe Hercegovinë nuk është e qetë.

Për shkak veprimeve të palës serbe, ku prijësi i tensionimit të situatës është Millorad Dodik, anëtari serb i presidencës së Bosnje-Hercegovinës dhe kreu i partisë kryesore të Republikës Sërpska, Partisë së Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD).

Analisti politik, Gani Qarri, në një bashkëbisedim për “Bota sot” ka folur për paralajmërimin e SHBA-ve për zgjerimin e sanksioneve.

“Në fakt, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë paralajmëruar zgjerimin e sanksioneve të reja, ndaj individëve të korruptuar dhe politikanëve të kriminalizuar në Bosnje, qysh kur Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit të SHBA-ve, vendosën sanksione ndaj dhjetëra politikanëve dhe subjekteve të inkriminuara serbe, duke shenjëstruar grupin e krimit të organizuar në krye me Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radoiçiqin në Veri të Kosovës”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Qarri duke folur për situatën e krijuar nga Dodik në Bosnje, ka thënë se masat duhet të zgjerohen.

“Kështu që me qëllim të parandalimit të destabilitetit rajonal, të cilin në vijimësi e kërcënon prijësi ekstrem i serbëve të Bosnjës, në kuadër të sanksionimit të udhëheqësve të korruptuar dhe politikanëve të kriminalizuar që tentojnë krijimin e trazirave dhe gjakderdhje të reja, ndëretnike në Ballkanin Perëndimor, SHBA-të vendosën sanksione edhe ndaj Millorad Dodik-ut, liderit të ekzaltuar të serbëve të Bosnjës, i cili inspiruar nga Aleksandër Vuçiqi, ka kohë që paralajmëron eskalimin e situatës dhe ndarjen e Bosnjës, me qëllim të bashkimit të të ashtuquajturës "Republika srpska" me Serbinë hegjemoniste të Vuçiqit.

Prandaj, duke ditur se strumbullari i të gjitha të këqijave në Ballkan dhe rajon, tash e sa kohë, është vet krimineli Vuçiqi, për të parandaluar eskalimin e vërtetë të gjendjes dhe gjakderdhjet e reja në rajon, siguruar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, masat e deritanishme të DASH, medoemos, urgjentisht duhet të zgjerohen”, ka nënvizuar ai.

Më tej, Qarri është shprehur se sanksionet e deritanishme nuk janë të mjaftueshme dhe ka shtuar se duhet të merren masa edhe ndaj Vuçiqit.

“Ngase po dëshmohet publikisht, se sanksionet e deritanishme, jo vetëm që nuk janë të mjaftueshme, por ato duhet të jenë edhe më të rënda, veçanërisht kundër Aleksandër Vuçiqit si mentori kryesor i Milorad Dodikut, ideatori i trazirave në Mal të Zi dhe nxitësi i pasionuar i tensioneve të pareshtura në Kosovën Veriore”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat