Skenari i Beogradit në veriun e Kosovës/ Ja si i futi në ‘lojë’ ish-pushtetarët

Politika

Skenari i Beogradit në veriun e Kosovës/ Ja si i futi në ‘lojë’ ish-pushtetarët

Nga: A.M. Më: 14 janar 2022 Në ora: 23:01
Policia e Kosovës

Një nga çështjet më të diskutuara në muajin e fundit ka qenë lista e zezë e SHBA-së, në të cilën u përfshinë edhe Radojçiqi dhe Veselinoviqi.

Dy politikanë serbë të cilët dyshohen për korrupsion dhe krim të organizuar në veri të Kosovës.

Kjo më pas, i hapi rrugë qeverisë Kurti për të zhvilluar aksione të reja në këtë pjesë të Kosovës.

Situatën në veri e komentoi në një prononcim për gazetën “Bota sot” publicisti Idriz Zeqiraj.

“Tri dekada më parë, bota komuniste e quante Amerikën "xhandar ndërkombëtar", për ndërhyrjet që bënte në shtetet rrumpallë, të cilat sundoheshin nga diktatorë brutalë, ose provokonin dhe kërcënonin shtetet fqinj.

Sot ka ca trutharë, mediokër, që habitën me veprimet e Amerikës, për shpalljen e disa njerëzve "non grata"; futjen në "listën e zezë"; ndalimin e hyrjes në SHBA. Por, Amerika është e njohur për kontributin e saj të madh, për vendet e varfra dhe investimet e shumta, për zhvillimin ekonomik të tyre, si dhe për zhvillimin e demokracisë, në shkallë botërore. Prandaj, është logjike ta monitorojnë kapitalin e saj politik dhe ekonomik, në mënyrë që të mos abuzohet me ndihmën e taksa-paguesve amerikanë. Dhe, kjo është krejt logjike”, deklaroi ai.

Po ashtu, Zeqiraj përmendi edhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftat e përgjakshme të Ballkanit Perëndimor, ku shpenzoimiliarda për rindërtimin e shteteve të rrënuara.

Image
Publicisti Idriz Zeqiraj.

“Në nismën e shpërbërjes të Jugosllavisë, Ballkani Perëndimor u përfshi nga luftërat zinxhirore. Evropa nuk provoi të zgjidhte konfliktet ballkanike e vetme, sepse Rusia i kishte interesat e veta dhe përgjonte situatën. Angazhimi i Aleancës Ushtarake Atlantike "NATO, e mbante Rusinë larg. Rasti i dhunës ekstreme serbo-sllave në Kosovë, për rrjedhojë, largimi i afro një milionë refugjatëve nga trojet e tyre, pasoi ndërhyrjen humanitare të NATO-paktit.

Lufta e përgjakshme në Ballkanin Perëndimor, i kushtoi miliarda dollarë Aleancës Atlantike. Miliarda të tjerë u shpenzuan, për mbijetesën e popullatës dhe rindërtimin e vendeve, shteteve të rrënuara”, shpejgoi publicisti.

Krahas kësaj, ai përmendi edhe Listën Serbe e cila përmes direktivave të Beogradit shtriu rrjetën e krimit dhe të korrupsionit, duke futur në "lojë" edhe bosët pushtetarë të Kosovës, përmes ryshfetit.

“Forcat ushtarake të Aleancës, u vendosën në disa shtete ballkanike. Në Kosovë edhe UNMIK-u, më vonë, edhe EULEX-i, të cilët, në fillim, e administronin dhe, më vonë, e monitoronin vendin. Edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e njohu pavarësinë e Kosovës, në kufijtë ekzistues të 1974-ës, Veriu i Mitrovicësngeli jashtë administrimit faktik. Atje u krijuan institucionet paralele, të kontrolluara nga Serbia! Edhe kur u shuan ato, qasja e organeve pushtetare të Kosovës, nuk ishte funksionale.

Një grup kriminal serb, i lidhur fort me pushtetin në Beograd, përmes të ashtuquajturës "Lista Serbe", e cila e shtriu rrjetën e krimit dhe të korrupsionit; abuzim me pushtetin; kontrabandën me mallra nga Serbia, duke futur në "lojë" edhe bosët pushtetarë të Kosovës, përmes mitos, ryshfetit”, theksoi Zeqiraj.

Në vazhdim, publicisti vlerësoi se populli i Kosovës ka qenë në njohuri për këto krime dhe kontrabanda që ndodhën në veri të Kosovës. Dhe, me pas ai tha se Beogradi i dha hapësirë të plotë veprimi bandës politike, të organizuarnë Lista Serbe.

“Populli i Kosovës ishte në dijeni të kësaj vjedhje industriale të shtetit të brishtë të Kosovës. Por, ndonëse kontrabandimin e kontrollonin pushtetarët më të lartë, përmes bandave të tyre në Dukagjin, Drenicë, Lllap dhe tutje në Ana Moravë e Karadak, nuk e kishin guximin e denoncimit, sepse sistemi i drejtësisë, policia, AKI-ja dhe të gjitha institucionet, kanë qenë mbetën të kapura nga disa "komandantë" kriminelë.

Thonë se "zullumi këputët prej se trashi!" Kështu ndodhi edhe në Veriun e Mitrovicës. Beogradi i dha hapësirë të plotë veprimi bandës politike, të organizuarnë "Lista Serbe". Për ta shuar pluralizmin politik të komunitetit serb në Kosovë, Vuçiq dakordoi me krerët e bandës në Veri, Milan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, për ta "hequr qafe" pengesën e fundit të kundërshtisë politike, Oliver Ivanoviqin, duke e atentuar në hyrje të zyrës së tij”, nënvizoi ai.

Me tej, Zeqiraj u shpreh i habitur se si u lirua Radojçiqi nga akuza për vrasjen e Ivanoviqit. Ai konsideroi se sistemi i drejtësisë u paralizua nga pushtetarët vendorë, kryesisht, nga që pretendonin se ishin "krerë" të UÇK-së.

“I akuzuari i parë, për këtë krim politik, ishte Milan Radojiçiq. Por, për habi, ai lirohet nga akuza, me urdhër të Ministrit të Brendshëm të Kosovës. Por, kjo vrasje e cilësuar, meqë Ivanoviq ishte politikan aktiv, nuk mund të kalonte në heshtje. Dhe, një proces i pafund gjyqësor vazhdon, ndër vite, në Prishtinë.

Ballkani, në përgjithësi, dhe ai Perëndimor, në veçanti, i ishte lënë Bashkimit Evropian. Por, administrimi, monitorimi nga UNMIK-u dhe EULEX-i i Kosovës, u dëshmua i pasuksesshëm, për të mos thënë, i dështuar. Sidomos, sistemi i drejtësisë u paralizua nga pushtetarët vendorë, kryesisht, nga që pretendonin se ishin "krerë" të UÇK-së, madje, edhe bërës të luftës!? “, tha ndër të tjera publicisti.

Në fund, ai kujtoi arrestimet e UNMIK-ut dhe EULEX-it për krimet vrastare të kundërshtarëve politikë shqiptarë dhe i kishin liruar shkaku i mungesës së provave.

“Realisht, më të zëshmit, që thirreshin në luftën, koha dëshmoi se ata nuk ishin pjesë e luftës. Përkundër, përgjatë luftës kishin mrizuar nën hijet e mimozave të Tiranës, në Bllokun e Zi, për të intriguar dhe sabotuar luftën në Kosovë, nga Hotel "Rogner". Dhe, ky është konstatimi i shokëve të tyre, eksponentë të LPK-së, pretendues se janë themelues të UÇK-së.

UNMIK-u, më parë, dhe EULEX-i, më vonë, kishin arrestuar faktueshëm, por, kishin hetuar "shkel e shko", krimet vrastare të kundërshtarëve politikë shqiptarë dhe makro-hajna zyrtarë. Por, shumicën i kishin liruar, me sloganin klishe, "për mungesë provash"! Dhe, për ndoca të tjerë gjykata kishte dhënë dënime "sikur ta kishin vrarë gjelin e mbretit!" Ndërkohë, shefat e tyre pushtetarë, i kishin liruar të gjithë, pa e përfunduar vuajtjen e dënimit”, përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat