Safet Gërxhaliu zbulon detaje për Bilfingerin – Kjo është e vërteta e takimit të Isa Mustafës dhe Angela Merkelit

Politika

Safet Gërxhaliu zbulon detaje për Bilfingerin – Kjo është e vërteta e takimit të Isa Mustafës dhe Angela Merkelit

Nga: N. Sh. Më: 29 janar 2022 Në ora: 13:13
Bilfingeri dhe Safet Gërxhaliu

Eksperti i ekonomisë dhe ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka treguar detaje të reja, të cilat nuk i kemi dëgjuar më parë për kompaninë gjermane Bilfinger, e cila thuhet se ishte e gatshme të investoj në Kosovë, në sektorin energjetik.

Ai thotë se beteja me energji elektrike është humbur në fillim të viteve 2003-2004.

“Një kompani gjermane në vitin 2006 ka pas për qëllim ndërtimin e kapaciteteve të reja, por nga neglizhenca e UNMIK-ut është larguar nga Kosova, e kjo ishte humbje e madhe për neve. Në ndërkohë, është fuqizuar lobimi kundër ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese energjetike në Kosovë. Në rend të parë nga mungesa energjetike që dominon Ballkan në relacionin Londër-Beograd, Banjallug-Tiranë dhe Prishtinë”, thotë Gërxhaliu për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se ka pasur shumë tentativa për promovimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja.

“Së bashku me shoqërinë civile në Kosovë, mafia fitoi në Kosovë dhe Kosova u shndërrua në një shtet të varur nga importi edhe pse është ndër vendet më të pasura me thëngjill”, shtoi ai.

Ai thotë se mafia energjetike në Ballkan e la Kosovën pa rrymë, ndërsa ne i shesim thëngjillë Serbisë e Maqedonisë, nuk u lejua të ndërtojmë kapacitete të reja.

“Paradoksi më i madh është që vetëm me 80 kilometra distancë nga Prishtina, në Serbi janë 6 mijë megavat, në Maqedoni 700, në Mal të Zi afër 30 megavat që prodhohen me thëngjill. Maqedonia e Serbia blejnë thëngjill nga Kosova, e ne importojmë rrymë nga vendet e rajonit dhe më gjerë, dhe ky është dëmi më i madh që iu ka bërë Kosovës, përkundër asaj që ka pasur tentativa për të ndërtuar kapacitete të ndryshme energjetike, qoftë Kosova e Re, qoftë Kosova C, por këtu kanë dështuar falë shoqërisë civile në Kosovë dhe mafias energjetike në Ballkan”, potencon tutje ai.

Eksperti i ekonomisë kujton takimin me ish-drejtorin e termocentralit “Kosova B”, inxhinierin Avni Kurshumliu.

“Më kujtohet takimi me Kurshumlin në vitin 2016, kur biseduam për interesimin e kompanisë gjermane Bilfinger. Në këtë drejtim, besoj që bisedat kanë qenë spontane mes një të punësuari në këtë kompani gjermane dhe këtij drejtorit, dhe më vonë është zyrtarizuar kërkesa për të negociuar me qeverinë Mustafa. E vërteta e krejt kësaj ka qenë që nga pala gjermane ka pasur interesim, por nuk kanë pasur mjete financiare për të ndërtuar kapacitete të reja. Më kujtohet që kjo bisedë ka qenë edhe në Berlin ku kancelarja Angela Merkel i drejtohet Isa Mustafës për këtë problematikë”, pohon Gërxhaliu.

Ish drejtori i OEK-ut, shprehet se e vërteta e gjithë kësaj është se një këshilltar për çështje ekonomike në kabinetin e Merkelit, ka qenë i afërt me këtë kompani dhe e ka shfrytëzuar këtë rast për të biseduar me Isa Mustafën.

“Partneriteti energjetik mes Kosovës dhe Gjermanisë është i një njësie të veçantë, i pakontestuar dhe është dashur të avancohet një dialog i mirëfilltë, i cili kish me ardhë te një zgjidhje e këtij interesimi të kompanisë gjermane Bilfinger, sepse duke refuzuar KonterGlobal, Bilfinger, Astome e shumë të tjera, Kosova sot ka mbetur pa asnjë mbështetës. Mosrealizimi i një projekti të tillë ka pasoja edhe ekonomike edhe politike, por edhe gjeostrategjike”, potencon ai.

Gërxhaliu tregon tutje se, kompania gjermane Bilfinger nuk ka pasur para të gatshme për investim në Kosovë.

“Pra, e vërteta është se Bilfinger nuk ka pasur para të gatshme për të filluar një biznes dhe as nuk ka pasur një plan të mirëfilltë se si do ta zgjidh këtë problem dhe si do të jetë rrugëtimi drejt implementimit të projektit”, thotë ai.

Ai thotë se është shqetësim edhe lajmi i mediave gjermane se kompania Bilfinger është penalizuar me 34 milionë euro për dukuri negative të të bërit biznes.

“Më kujtohet një takim në Ambasadën e Kosovës në Berlin, ku ishte përfaqësuesi i kompanisë Bilfinger, dhe e kanë paraqitur Kosovën me një pamje shumë të zymtë, dhe më kujtohet ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Gjakaliu të ju ketë thënë se duhet të kenë kujdes me këto dezinformata dhe nuk i bëjnë nderë që të njolloset imazhi i Kosovës për interesat e tyre personale e biznesore”, përfundon ish-drejtori i OEK-ut, Safet Gërxhaliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat