Skenari me Ukrainën/ Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon çfarë po synon Vladmir Putin

Politika

Skenari me Ukrainën/ Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon çfarë po synon Vladmir Putin

Nga: P.R Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 18:52
Vladimir Putin

Ani pse u raportua për tërheqjen e trupave ruse nga kufiri me Ukrainën, presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi sot se ekziston një rrezik shumë i lartë që Rusia ta pushtojë Ukrainën dhe kjo mund të ndodhë brenda disa ditësh.

E sipas departamentit amerikan, pretendimi rus për largim të trupave ushtarake nga kufiri me Ukrainën është i rremë, pasi 7,000 trupa shtesë ruse kanë arritur atje në ditët e fundit.

Shteti rus deklaroi të mërkurën se po tërhiqte disa trupa të vendosura afër kufirit me Ukrainën, por NATO deklaroi se nuk po sheh shenja të një tërheqjeje.

Për situatën e krijuar në Ukrainë dhe tensionet në rritje në mes Rusisë dhe perëndimit, për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

“Nuk është që kam pritur të ketë një luftë në terma klasik siç është proklamuar, përplasjet e tilla do vazhdojnë çdo herë në çdo rast kur tentohet të bëhet ndonjë ndryshim territorial. Kur NATO-ja ka pas bombarduar caqet ushtarake serbe në Serbi dhe Kosovë gjatë luftës në Kosovë, Rusia ka pas kthyer tytat e armeve të veta si një lloj kërcënimi nga Perëndimi, por që atëherë nuk ishte ndonjë faktor serioz kërcënues”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Rusia po synon një rikthim në arenën globale me një rëndësi të llojit si në kohën e Luftës së Ftohtë.

“Sot bota është në një situatë tjetër dhe ndryshimet me luftë janë shumë më të vështira, por edhe përplasjet e të mëdhenjve janë pothuajse të pamundura. Edhe pse akoma nuk ka argumente që Rusia ka filluar të tërheqë forcat e saj por që pritet të tërhiqen nga kufiri, kjo betejë ka bërë që të tërhiqen fuqishëm pikat gjeopolitike ndërmjet fuqive por tregon se Rusia po synon një rikthim në arenën globale me një rëndësi të llojit si në kohën e Luftës së Ftohtë”, shprehet Kuçi.

Sipas tij, nga kjo betejë ka treguar pikat që perëndimi duhet t’i forcojë, si kundërpërgjigje ndaj Rusisë.

“Kjo përballje nuk e bënë Rusinë më të dobët fatkeqësisht, por tregon pikat e dobëta të perëndimit që duhet të i përforcoja që në ndërmarrjet e saj për zgjerim të mos pengohet. Luftë mes SHBA-së dhe Rusisë gjithsesi do i bënte humbëse më së shumti këto dy palë dhe fitues disa palë jo-pjesëmarrëse në luftë”, thekson Gurakuç Kuçi.

Për fund, Kuçi deklaron se situata në Ukrainë ndikon pozitivisht për Kosovën, pasi perëndimi do të jetë më unik për ta zgjidhur konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjithsesi që zhvillimet në çdo cep të botës më nuk janë të ndara por ndikojnë edhe në zona të ndryshme. Edhe ngjarjet në Ukrainë ndikojnë në Ballkan, por megjithatë Putini prapë nuk është që arriti ndonjë premtim nga ato që dëshironte nga Perëndimi dhe me këtë rast vetëm sa e shtyu të dy anët e atlantikut që të jenë më unike gjë që është pozitive edhe për Kosovën”, përfundon për “Bota sot” doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat