Luftën që kurrë nuk do ta fitojnë Abdixhiku dhe Krasniqi!

Politika

Luftën që kurrë nuk do ta fitojnë Abdixhiku dhe Krasniqi!

Valdrin Nuredini Nga Valdrin Nuredini Më 28 mars 2022 Në ora: 10:27
Krasniqi dhe Abdixhiku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka kaluar 1 vjeçarin e parë në krye të ekzekutivit. Qeverisja e tij u përcoll me shumë kujdes, për faktin se për shumë vite si opozitë Kurti ka ditur ta orientoj kritikën e tij në secilën prej temave të ngritura në Kuvend.

Standardet që ai i ka vendosur sa ka qenë në opozitë, tash po i kërkohen dhe monitorohen vazhdimisht nga ata që ia kanë besuar votën. Përveç kësaj ka edhe shumë prej atyre që janë kundërshtar të tij, por që po e mbajnë në llupën e standardeve që i ka krijuar për më shumë se 10 vite në opozitë.

Në kohën e qeverisjes së tij, opozita e përbërë nga PDK dhe LDK, ndoshta edhe me faktin e frikës së numrave, kundrejt partisë së Kurtit, nuk është se kanë mundur ta zhvillojnë kritikën e tyre në drejtim të qeverisë Kurti.

Dy partitë opozitare edhe i kanë fituar zgjedhjet komunale të mbajtura në vjeshtën e vitit të kaluar, por e kanë humbur shpeshherë debatin në Kuvendin e Kosovës.

Të qenurit inferior karshi Kurtit dhe veprimeve të tija, po del të jetë guaska nga e cila nuk po mund të dalin partitë opozitare në Kosovë. Kësaj ia shtojmë edhe faktin se Kurti shpeshherë, ndoshta edhe pa të drejtë, ia përmend skandalet dhe qeverisjet dy partive, që sot udhëhiqen nga figura të reja, si Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi.

Këto dy figura të reja, pavarësisht që i rritën votat e partive të tyre sa i përket rezultatit zgjedhor në zgjedhjet komunale, nuk e kanë krijuar narrativën për të kundërshtuar Kurtin dhe për të paraqitur alternativën përmes të cilës do të synonin që të fitojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Edhe ajo pak kundërshti siç duket është në llogari të gabuar sepse këta dy lider kanë vendosur që të luftojnë ndaj Kurtit pikërisht në terrenin e tij, me rregullat e tij, e që në këtë lojë sigurisht se ata asnjëherë, nuk do të munden ta rrëzojnë nga udhëheqja e vendit.

Lufta në aspektin medial është arma që po përdoret në muajt e fundit ndaj figurës së Kurtit si kryeministër. Para disa ditësh si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku dhe Krasniqi ishin në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë, në tri debate të ndryshme. Partitë opozitare si LDK-ja dhe PDK-ja, janë mburrur se liderët e tyre kanë qenë më të shikuar në kohë reale se sa intervista e Kurtit.

Ky gëzim nuk zgjati shumë sepse mediat pas disa orësh i demantuan këto dy parti, me argumentin se shikimet e Krasniqit dhe Abdixhikut, apo thënë ndryshe audienca e tyre ishte e blerë në raport me origjinalitetin e audiencës së Kurtit.

Mënyra se si po tentojnë ta rivalizojnë kryeministrin Kurti është sigurisht e gabuar sepse ajo është një fushë e vështirë për secilin prej dy liderëve të opozitës, kjo për faktin se kundërshtarin duhet goditur me argumente aty ku ai është më i dobët.

Njëra ndër pikat më të forta të Albin Kurtit është efekti që ai jep kur është në paraqitjet televizive. Kjo ka qenë arma e tij më e fortë edhe atëherë kur ai dhe partia kanë pasur vetëm 11 deputetë. Një lojë që kryeministri aktual e luan edhe në gjumë më mirë se Abdixhiku dhe Krasniqi.

Nëse kjo është politika që do e ndjekin partitë opozitare, LDK-ja dhe PDK-ja, atëherë edhe ata vet duhet të ndjehen shumë skeptik që ndonjëherë do e gjejnë momentumin që ta godasin Kurtin dhe të fitojnë ndonjë votë më shumë për të rrëzuar Vetëvendosjen nga udhëheqja e vendit.

Figurativisht lufta e shikueshmërisë është gara e humbur ende pa filluar, është lufta që asnjëherë nuk do munden ta fitojnë Abdixhiku dhe Krasniqi dhe është garanca se Kurti do ta fitojë edhe mandatin e dytë pas 3 vitesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat