Paralajmërohet fundi i strukturave të SHIK-ut në institucionet e Kosovës!

Politika

Paralajmërohet fundi i strukturave të SHIK-ut në institucionet e Kosovës!

Nga: N. Sh. Më: 19 prill 2022 Në ora: 17:01
Foto ilustrim

Emërimi i Kryeprokurorit të Kosovës, për ta zëvendësuar Aleksandër Lumezin, po shkakton një debat të madh në Kosovë.

Në kohën kur pritet që institucionet e drejtësisë të jenë të pavaruara, dhe të largohen nga kthetrat e politikanëve të ish-pushteteve të kaluara, emërimi i Kryeprokurorit po duket që është më i vështirë se që është menduar.

Prandaj tani është më shumë se kurrë e rëndësishme që në këtë post të emërohet personi me një të kaluar profesionale të pastër, ashtu si e parasheh ligji, dhe jo partiak.

Për emërimin e Kryeprokurorit të ri, ka folur ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, i cili thotë se, koha për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të shtetit po afron dhe sipas tij, zgjedhja e tij, është momenti vendimtar i fillimit të pastrimit të këtij institucioni themeli i sistemit të drejtësisë

“Ky institucion duhet të pastrohet nga strukturat e zyrtarëve, prokurorëve të deleguar dhe emëruar nga SHIK-u, që nga koha e UNMIK-ut, në mandatin e EULEX-it dhe për të vazhduar në kontinuitet edhe në këto 13 vitet e fundit pas pavarësisë së shtetit të Kosovës”, thotë Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Tërnava, thotë se, ajo që ka rëndësi, ka të bëjë me faktin se ardhja në krye të KPK-së e një personaliteti të guximshëm dhe të pa ndikuar nga SHIK-u e nëntoka e krimit të organizuar, do të jetë me shumë peshë.

“Kjo pasi që përbërja e tashme e KPK-së, por dhe KGJK-së janë pozicionuar kundër Ligjit Vetting duke provuar për ta penguar atë me mosbashkëpunim në kudër të grupit punues i cili e ka finalizuar draftin e ligjit, madje edhe ka pranuar komentet e para pozitive nga komisioni i Venecias. Nëse në krye të këtij posti, atë të Prokurorit të emërohet njeriu me një të kaluar të pastër e që si ka takua asnjë partie apo klani të fëlliqtë deri më tani, e sidomos nëse nuk ka pasur poste të larta në të kaluarën kur në funksion ishte SHIK-u, dhe nëse nuk i ka takuar kësaj strukture të SHIK-ut, që në atë kohë nuk ka mundur askush të avancohet pa lejen e tij, atëherë edhe populli duhet të jetë optimist, sepse po lëvizet drejtë demokracisë dhe sistemeve ligjore evropiane”, thekson Tërnava.

Ai shton se, të tillët si të akuzuar në të kaluarën janë përgjigjur për vepra të rënda kriminale, dhe por asnjëri nga ata nuk është shpallur fajtor, deri në vjetërsimin-përshkrimin e lëndëve të tyre.

“Pra, nuk duhet lejuar si deri më tani që këto institucione të drejtësisë që ishin nën kontrollin e SHIK-ut, dhe ju shërbenin atyre, sikur që kemi raste të të akuzuarve e që janë akuzuar për vepra të rënda dhe nga ato veprime kriminale skajshmërisht janë pasuruar, që pasuria e tyre vërehet edhe me një vështrim dhe pamje nga larg. Nën ndikimin e strukturave komanduese të SHIK-ut, kemi pasur ndonjë rast kur edhe peshqit e mëdhenj të krimit e korrupsionit janë dënuar kryesisht vetëm me improvizim të veprave të lehta të krimit, prandaj edhe bota civilizuese evropiane shpesh herë na e ka tërheq vërejtjen që ta luftojmë pa kompromis krimin nëse duam t’i bashkëngjitmi BE-së”, potencon ai.

Tërnava tutje shton se, nuk  është për t’u habitur se pse jemi shteti më i izoluar në botë.

“Pra tash e tutje, muajt në vijim duhet të presim nga Prokuroria me prokurorin e ri që do të emërohet, që do të jetë në krye të detyrës në zbatim të ligjit dhe në mënyrë të pamëshirshme të shkunden nga pluhuri e të gjykohen ato lëndë të mbetura të fjetur me vite të tëra nëpër sirtarët e institucioneve të drejtësisë, si dhe në mënyrë të pamëshirshme ta luftojnë krimin pavarësisht se për kë bëhet fjalë”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat