Gjenocidi serb ndaj Kosovës po përsëritet nga Rusia në Ukrainë

Politika

Gjenocidi serb ndaj Kosovës po përsëritet nga Rusia në Ukrainë

Mimoza Lakna Nga Mimoza Lakna Më 20 prill 2022 Në ora: 07:56
Lufta në Kosovë

Rusia ka përqendruar forcat e saj në lindje të Ukrainës. Një terror të tmerrshëm janë duke e përjetuar qytetarët e pafajshëm atje. 

Me popullin dhe udhëheqjen e Ukrainës po bashkë-ndjejnë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët e dinë mjaft mirë se si është lufta të cilën e kanë përjetuar 23 vjet më parë nga kriminelët serbë. 

Kryeministri Albin Kurti ditë më parë i ka uruar mirëseardhje në vendin tonë, znj. LyudmilaMakey, gazetare nga Ukraina.

“Ajo është gazetarja e parë ukrainase që ka arritur në Kosovë, pasi është detyruar të largohet nga Ukraina pas invazionit rus. Solidariteti ynë me popullin e Ukrainës dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak rus janë të padiskutueshme”, ka thënë Kurti.

Ai ka rikujtuar se Republika e Kosovës u është bashkuar vendeve perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. 

“Ne mbesim të përkushtuar të punojmë së bashku me aleatët për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale. Do të kujdesemi që znj. Makey dhe kolegët e saj që do t’i mirëpresim, të kenë kushte të përshtatshme për punë dhe jetesë”, është shprehur Kurti.

Lufta në Ukrainë po zhvillohet në të njëjtën periudhë kohore në të cilën u bë lufta më e madhe në Kosovë në vitin 1999. 

Masakrat që po ndodhin nga Rusia në Ukrainë na kujtojnë qindra masakra ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë. Mijëra qytetarë u përndoqën nga forcat serbe dhe u detyruan t`i braktisnin shtëpitë e tyre, në atë që më vonë do të emërohej si “Eksodi 99”.

Serbia, e cila shkaktoi këtë tmerr ende nuk e ka marr dënimin e merituar, derisa kërcënimet dhe pretendimet karshi shtetit të pavarur të Kosovës i ka intensifikuar ditëve të fundit. 

Për më tepër, Serbia është ndër vendet e pakta në botë që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për shkak të terrorit që po e ushtron në Ukrainë.

Lidhur me këtë për gazetën “Bota sot” ka folur Hafir Hoxha, ish komandant i njësitit Policor Ushtarak të UÇK-së. 

Masakra e Reçakut më alarmantja

Image
Hafir Hoxha

Ai thotë se konflikti, humbjet, viktimat civile janë shumëfish më të mëdha se sa lufta në ish Jugosllavi, Kroaci, Bosnje e Kosovë, ku po ashtu pati masakra nga ushtria Jugosllave.

Hoxha ka rikujtuar se masakra më alarmante në Kosovë ishte ajo e Reçakut. 

“Sidomos në Bosnjë ajo e Srebrenices me 8300 civilë të masakruar dhe nuk kaloi padia boshnjake se Serbia ka bërë gjenocid aty. NATO ndërhyri në Kosovë të mos ndodhë ajo që ndodhi në Bosnje pasi gjasa pat me u përsërit sepse ndodhën disa masakra edhe në Kosovë ku më alarmantja ishte ajo e Raçakut. Kosova nëse padit Serbinë për masakra në ato do të pranohen, por si gjenocid i Serbisë kurrsesi jo pasi nuk u pranua padia e Bosnjës si gjenocidi me masakra më masive sesa në Kosovë”, thekson ai. 

Sipas tij, situata në Ukrainë varet nga ajo se sa gjatë do të vazhdojë  lufta dhe si do ti vijë fundi kësaj lufte.

“Por, një është e sigurt se lufta do të zhvillohet në vendbanime dhe viktima civile do të kemi ende, sa më e fuqishme të tregohet Ukraina aq më agresive do të jetë Rusia me viktima në popullatën civile ku askush për momentin nuk mundet me i ndal ato. Nuk ka ndërmjetësues autoritativ dhe të fuqishëm për momentin që mund të reagojnë ta ndalin Rusinë në këtë luftë edhe pse kanë tentuar NATO-ja dhe OKB-ja, por të dyja si organizata janë të pa fuqishme derisa Rusia ka mbështetje në heshtje nga Kina, India dhe ca shtete tëtjera të vogla”, shprehet ai.

Në anën tjetër, Hoxha thotë se lufta është e shtrenjtë dhe i kushton shumë Rusisë.

“USA-s në një formë i konvenon harxhimi, dobësimi i Rusisë në këtë luftë, por tani varet Rusia deri në çfarë shkalle të ulet ekonomikisht, e cila mund të bie dhe ta kuptojë se a kanë me vazhduar luftën, me ndal atë apo me i konfliktuar edhe të tjerët që do të thotë të bëjë luftën e tretë ku nuk do të ketë fitues por të gjithë humbës”, përfundon Hoxha!

Shahu: Kosova dy dekada më parë u mbrojt nga Amerika e NATO-ja, Ukraina shtet i fuqishëm që po mbështetet me armë

Image
Rexhep Shahu

Ndërkaq, publicisti Rexhep Shahu thotë se ngjarjet në Ukrainë ia kujtojnë luftën në Kosovë, kur shteti kriminal serb bënte masakra mbi popullsinë shqiptare në Kosovë që e kishte pjesë të shtetit të saj.

“Ndërsa zhvillohet lufta sot mes Rusisë pushtuese e Ukrainës që po mbrohet me gjithë fuqitë e saj dhe po ndihmohet me armatim nga bota, kujtoj se dy dekada më parë shteti kriminal serb bënte masakra mbi popullsinë shqiptare në Kosovë që e kishte pjesë të shtetit të saj. Kosova nuk ishte shtet, as nuk kishte ushtri as armatim por ajo pati fat, ajo u mbrojt nga Amerika e NATO”, thot Shahu.

Sipas tij, masakrat serbe në Kosovë tronditën opinionin botëror dhe Amerika vendosi të mbrojë dy milionë shqiptarët e pambrojtur ndaj të cilëve bënte masakra Serbia. 

”Edhe Rusia po bën masakra në Ukrainë, por bota nuk po ndërhyn si në rastin e Kosovës ku bëri 78 ditë luftë nga ajri. Sepse Ukraina është shtet dhe i fuqishëm, është mbi, 40 milionë banorë, ka ushtri të madhe e industri ushtarake. E megjithatë bota po e ndihmon me armë e përkrahje”, ka deklaruar ai.

“Urrejtja raciale e mbërthyer me veprime gjenocidale të karakterit zhdukës”

Image
Muhamet Kelmendi

Kurse, për juristin Muhamet Kelmendi, krimi gjenocidial serb në Kosovë dhe ai rus në Ukrainë është i njëjtë.

Ai ka theksuar se veprimet terroriste që po bëhen ndaj popullsisë civile në Ukrainë e kanë karakterin dhe gjerësinë e njëjtë me veprimet kriminale dhe gjenocidale serbe të bëra në Kosovë.

“E tërë veprimtaria është e njëjtë.

1. Për nga masat terroriste, me bombardime të infrastrukturës civile.

2 Për nga intensiteti në vrasjet masive të civileve, pa shikuar moshën dhe gjininë. 

3. Për nga forma e mbytjes mizore me plumba në kokë, me djegie dhe me shkatërrimin e bazës për jetë.

4. Për nga shkatërrimet, plaçkitjet dhe vjedhjet masive të shtëpive dhe të banesave.

5. Për nga përdhunimet e femrave dhe të meshkujve dhe

6. Për nga akuzat se veprimet e tilla kriminale dhe gjenocidiale të karakterit të luftës për zhdukje të popullit janë bërë vet nga vendasit”, thotë ai.

Sipas profesorit, kjo lidhje kaq e ngushte midis Rusisë dhe Serbisë në veprimet kriminale dhe terroriste, me karakter të zhdukjes së popullit, buron nga urrejtja raciale e mbërthyer me veprime gjenocidale të karakterit zhdukës.

“Serbia vrau, masakroi dhe zhduku mbi 15 mijë shqiptarë, në një popull prej 1.8 milionë vetave, brenda një periudhe kohore prej 1 viti.

Kriminelët serbë përdhunuan mbi 20 mijë femra shqiptare dhe i zhdukën me djegie dhe me vrasje mbi 1500 fëmijë nën moshën 14-vjeçare.

Po ky shtet i dogji nëpër shtëpi e furra mbi 4 mijë shqiptarë dhe i barti në Serbi kufomat e 5 mijë të tjerëve.

Brenda kësaj kohe shkatërroi dhe dogji mbi 150.000 objekte socio-kulturore, si shkolla, ambulanca, objekte kulturore, spitale, xhami dhe kisha katolike, sikundër dhe shtëpi të shqiptarëve.

Vodhi me miliona marka në atë dhunë gjatë marshimeve detyruese jashtë vendit dhe i plaçkiti tëra shtëpitë dhe banesat e shqiptarëve që i shkelën dhe i dogjën. Askush nuk i shpëtoi masave gjenodiciale”, nënvizoi ai.

“Vrasjet, masakrat, përdhunimet dhe plaçkitjet janë të njëjta”

Ai ka theksuar se veprimi i njëjtë po kryhet edhe ndaj Ukrainës. 

“Rusia kreu këso krime edhe në Siri, në Çeçeni, në Gjeorgji etj. Tash në Ukrainë po vriten e po masakrohen civilë. Flitet për mbi 10 mijë të vrarë, mbi 1 mijë fëmijë dhe edhe për përdhunime të përmasave të mëdha. Shumë objekte janë bombarduar dhe po ka vjedhje e plaçkitje të mëdha. E tërë infrastruktura po shkatërrohet. Si në Kosovë, ashtu edhe në Ukrainë, po ka ngjashmëri të madhe në veprime dhe me masa. Vrasjet, masakrat, përdhunimet dhe plaçkitjet janë të njëjta. Nuk po lihen anash as ekzekutimet dhe shkatërrimet masovike të vendit gjatë tërheqjes. Ku po shkohet po bëhen dëme të mëdha dhe që e bëjnë të pamundshme jetën”, ka theksuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat