Non paperi austriak, fundi i intrigave serbe-ballkanike / Jo shkëmbime territoresh apo luftë-nxitje

Politika

Non paperi austriak, fundi i intrigave serbe-ballkanike / Jo shkëmbime territoresh apo luftë-nxitje

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 11 qershor 2022 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Ditë më parë portali nga Bosnja, Klix.ba publikoi një non-paper austriak të quajtur “Zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe Politika e Fqinjësisë përtej modeleve ekzistuese”, i cili propozon ndër të tjera anëtarësimin “gradual” të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

"Ne duam dhe kemi nevojë për vendet e këtij rajoni në anën tonë. Ata janë një partner kyç dhe një pjesë integrale e familjes sonë evropiane. Për këtë arsye, ne duhet të rimendojmë qasjen tonë ndaj procesit të zgjerimit dhe politikës sonë fqinjësore".

Derisa përmenden edhe disa nga mundësitë e non-paperit austriak.

"Integrimin progresiv në tregun e vetëm përmes, për shembull, transportit të lirë të mallrave, uljes dhe heqjes së tarifave doganore, që do të përfshinin produktet bujqësore, dhe lëvizjen e lirë të punëtorëve.

Pjesë e qasjes graduale ndaj këtij plani do të ishte përfshirja në politikat tregtare dhe tatimore të orientuara drejt së ardhmes, pjesëmarrja në politikat e BE-së për klimën dhe energjinë, përfshirja në rrjetin trans-evropian të transportit, përfshirja e plotë në programet e BE-së në fushat e shkencës, arsimit dhe kërkimin, pjesëmarrjen në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe rritjen e përfshirjes në misionet e politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes të BE-së, pjesëmarrjen në Programin Evropian të Krizave Ushqimore dhe Mekanizmin e Reagimit dhe pjesëmarrjen në agjencitë e Bashkimit Evropian”.

Nonpaperi austriak thotë se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të përdoret si një instrument gjeostrategjik dhe jo thjesht një procedurë burokratike.

Qarri: Procesi i Berlinit, "Non paper austriak", janë origjinale nuk kanë të bëjnë me intrigat serbe e ballkanike

Image
Gani Qarri

 

Analisti Gani Qarri në një përgjigje për “Bota sot” thotë se ideja për përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si nga Gjermania në parë e po ashtu edhe nga Austria, janë ide që vinë nga shtetet të cilat nuk merren me nisma serbo-ruse dhe nuk kanë pretendime dhe kërcënime territoriale.

“Një "Non paper" austriak i njohur së fundi me emërtimin “Zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe Politika e Fqinjësisë përtej modeleve ekzistuese”, flet për përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, në mënyrë më të përshpejtuar, se siç është vepruar deri më tani, duke ndjekur rrugën e ngadaltë dhe me shumë pengesa burokratike që dalin nga ky proces i gjatë integrues i BE-së.

Idetë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm që nuk mungojnë, por edhe vijnë me bollëk nga vet shtetet më me rëndësi të Bashkimit Evropian, si Gjermania e së fundi edhe nga Austria, të cilat përveçse janë shumë më të avancuara dhe atraktive, ato njohin edhe pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit tonë të lirë dhe në krahasim me nismat serbo-ruse, janë shumë më të besueshme e me garanci të 100%-të, se nuk përmbajnë në vete, pretendime dhe kërcënime territoriale si idetë konfuze që vijnë nga Serbia, si dhe nuk cenojnë sigurinë, e rregullimin e brendshëm shtetëror dhe respektojnë në plotëni integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij, si Procesi i Berlinit, ashtu edhe i ashtuquajturi "Non-paper austriak", janë shumë më përmbajtjesor dhe origjinal, evropiano-perëndimor, ku Kosova synon të integrohet dhe njëra as tjetra, nuk kanë të bëjnë me intrigat serbe e ballkanike.

“Madje duke qenë se "Non paperi austriak" parasheh integrimin progresiv në tregun e njësuar të punës, transportin e lirë e pa pengesa të njerëzve dhe mallrave, uljen dhe heqjen e tarifave doganore, përfshirë produktet bujqësore e blegtorale si dhe lëvizjen e lirë të punëtorëve, të gjitha këto masa, do ta përshpejtonin në masë të madhe plotësimin e kushteve dhe shkurtonin rrugën e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Prandaj, si Procesi i Berlinit, ashtu edhe i ashtuquajturi "Non paper austriak", janë shumë më përmbajtjesor dhe origjinal evropiane-perëndimore, ku Kosova synon të integrohet dhe njëra as tjetra, nuk kanë të bëjnë me intrigat serbe e ballkanike, që është me rëndësi jetike e të pazëvendësueshme për Kosovën, pasi që të dyja bashkë, përveç politikave për fqinjësi të mirë, përtej “modeleve ekzistuese, ballkanike”, synojnë edhe integrimin progresiv të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, pa cenuar shtetësinë, sovranitetin, kufijtë dhe integritetin territorial të Kosovës”, shton ai.

Në fund, thekson se lëvizja e lirë e punëtorëve fillimisht do të kishte pasoja për ekonominë, por që mund të sanohej pjesërisht me ndihmat dhe remitencat që do të vinin nga jashtë Kosovës, në vend, me integrimin e përshpejtuar, Kosova do të përfitonte shumë edhe politikisht.

“Kështu që, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën, aktualisht ndodhet Republika e Kosovës në kontekst me Serbinë dhe pesë vendet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit tonë, sado që lëvizja e lirë e punëtorëve fillimisht do të kishte pasoja për ekonominë, e cila mendojë se mund të sanohej pjesërisht me ndihmat dhe remitencat që do të vinin nga jashtë Kosovës, në vend, me integrimin e përshpejtuar, Kosova do të përfitonte shumë edhe politikisht, ngase pavarësia e shtetit tonë, do të njihej edhe nga pesë vendet e fundit të BE-së, do të trajtohej si shtet i pavarur edhe nga vet Bashkimi Evropian, si dhe do ti hapeshin dyert për integrim në NATO, e të gjitha organizatat tjera botërore me rëndësi dhe anëtarësohej si anëtare me të drejta të plota në OKB, që është edhe synimi më vital dhe parësor për vendin tonë dhe shtetin e lirë e të pavarur të Republikës së Kosovës”, përfundoi analisti Qarri për “Bota sot”.

Mulliqi: Edhe shtetet e Ballkanit i takojnë Evropës

Image
Skënder Mulliqi

 

Edhe analisti Skënder Mulliqi, shprehet se ka ardhur koha që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e Evropës.

“Ngurtësia e deri tashme e BE-së për t’i pranuar në gjirin e saj shtetet e Ballkanit Perëndimor duket se ka ardhur koha të mbetet mbrapa. Vendet e rajonit kanë mbetur pa një bashkëpunim më cilësor me BE-në, ku edhe i takojnë. Ky bashkëpunim duhet më në fund të gjejë vend, në mënyrë që më lehtë të përballohen sfidat e paraqitura. Edhe shtetet e Ballkanit i takojnë Evropës. Më së keqi në këtë drejtim ka mbetur Kosova. Kemi mbetur vendi më i izoluar, pa liberalizim vizash dhe ka mbetur i pa inkuadruar në shumë organizma të BE-së, kur dihet se krejt pas luftën në Kosovë kanë vepruar shumë struktura qeveritare dhe jo qeveritare evropiane”, thotë ai.

Të bëhemi anëtarë të Këshillit të Evropës

Sipas tij, në këtë “Non-paper austriak” nuk flitet për shkëmbime territoresh apo marrëveshje që nxisin luftë.

“Ekzistojnë forma dhe mekanizma që edhe Kosova më shpejt të bëhet pjesë e Evropës së Bashkuar, në këtë kontekst është rasti i mirë që të bëhemi anëtarë të Këshillit të Evropës, dhe pse jo edhe të NATO-s. Kur bëhen integrimet sigurisht se kjo e rritë mirëqenien e shteteve, tejkalohen edhe vështirësitë ekonomike dhe sociale. Rruga e Kosovës dhe e Ballkanit është Evropa, një rrugë që dërgon drejt përparimit, stabilitetit politik, dhe reflekton shumë pozitivisht edhe uljen e konflikteve dhe të luftërave. “Non-paperi” i fundit për vendet e Ballkanit Perëndimor vjen nga Austria dhe nuk është si të tjerët paraprak, ku flitej për shkëmbime të territoreve e marrëveshje që mund të nxisin luftë”, deklaron analisti.

Në fund, shprehet se ky non-paper vije edhe si rezultat i luftës në Ukrainë, për të cilën ka ndryshuar shumë rrethanat gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

“Non-paperi” austriak, i rekomandon Bashkimit Evropian anëtarësimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Kosova, dhe këtu mendoj unë nuk ka vend për pesimizëm. Invazioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë ka ndryshuar shumë rrethanat gjeopolitik dhe gjeostrategjike, dhe është sinjal se Evropa sa më parë të krijojë kushte përmes integrimeve për një stabilitet të kësaj pjese të Evropës dhe të botës. Duket se shumë kush në Evropë pas shpërthimit të kësaj lufte, ka një qasje shumë më pozitive ndaj proceseve të zgjerimit, duke i dhënë fund mbylljes, e cila natyrisht është burim i shumë të këqijave. Koha është të mbesin mbrapa procedurat e logjikës burokratike. Në këtë dokument janë dhënë edhe propozime konkrete rreth integrimit të tregut të përbashkët, heqjes të tarifave doganore, ku përfshihen edhe produktet bujqësore, lëvizja e lirë e njerëzve etj, të cilat janë të menduara mirë dhe sigurisht edhe pa pasoja ekonomike dhe të çfarëdo natyre tjetër, se njerëzit do të mendojnë shumë më ndryshe, jo të largimit pa kthim në shtetin amë”, nënvizoi analisti Skënder Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat