23 Vjet nga çlirimi i Kosovës dhe nënshkrimi i kapitullimit të Serbisë/ Politika e Kosovës duhet ta lexojë mirë Kumanovën

Politika

23 Vjet nga çlirimi i Kosovës dhe nënshkrimi i kapitullimit të Serbisë/ Politika e Kosovës duhet ta lexojë mirë Kumanovën

Mimozë Lakna Rugova Nga Mimozë Lakna Rugova Më 12 qershor 2022 Në ora: 08:16
Pamje nga hyrja e NATO-s në Kosovë

23 vjet më parë forcat serbe filluan të iknin të poshtëruara pasi për mbi 70 vite e mbajtën Kosovën të okupuar. Kjo ishte hera tretë që ato u detyruan ta braktisin Kosovën, për t’mos u kthyer më kurrë.

Çlirimit përfundimtar i parapriu nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës me 9 qershor, e quajtur si Marrëveshja ushtarako-teknike, që i dha fund dhunës serbe në Kosovë si një parakusht për ndaljen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet strategjike serbe.

Me këtë marrëveshje, Serbia detyrohej të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Kjo ishte një marrëveshje që u arrit ndërmjet NATO-s dhe ish-RFJ-së dhe hyri në fuqi më 12 qershor 1999.

Marrëveshja e Kumanovës u nënshkrua nga Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.

Pas tri ditësh do të fillonin festimet anembanë Kosovës, nga njerëzit e mbijetuar, shqiptarë të ikur dhe strehuar në male, të mbyllur e izoluar nëpër fshatra e qytete, duke pritur me gëzim të papërmbajtur forcat e NATO-s, këmbësorinë dhe njësitë tjera.

23 vjet pas Marrëveshja e Kumanovës cilësohet si moment historik që do të përcaktonte të ardhmen e Kosovës, të shkëputur përgjithmonë nga okupimi serb.

Nënshkrimi i kapitullimit të Serbisë

Image
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof. Dr. Enver Bytyçi

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof. Dr. Enver Bytyçi duke folur për këtë datë historike, tha për gazetën “Bota sot” se marrëveshja e Kumanovës ishte marrëveshje që nënshkroi kapitullimin e Serbisë përballë bombardimeve 78 ditëshe të NATO-s kundër saj, me qëllim që t’i jepej fund dhunës shtetërore të Beogradit kundër shqiptarëve në Kosovë

“Si sot 23 vite është nënshkruar në Kumanovë marrëveshja midis NATO-s dhe përfaqësuesve të Serbisë për t’i dhënë fund pranisë serbe në Kosovë. Në fakt ajo marrëveshje ishte nënshkrimi i kapitullimit të Serbisë përballë bombardimeve 78 ditëshe të NATO-s kundër saj, me qëllim që t’i jepej fund dhunës shtetërore të Beogradit kundër shqiptarëve në Kosovë.

Bombardimet e NATO-s kundër Serbisë dhe konflikti në Kosovë janë modeli unik i mbylljes së një krize, e cila mund të shndërrohej në kërcënim për kontinentin europian. Që me fillimin e luftës dhe dhunës së Milosheviçit kundër shqiptarëve bashkësia ndërkombëtare krijoi instrumente të parandalimit ose përfundimit të luftës përmes diplomacisë. Për këtë u formua dhe funksionoi Grupi i kontaktit, si dhe grupe të tjera interlokutorësh, deri të treshja e kryesuar nga Martti Ahtisaari për t’i dhënë fund luftës.

Ndërsa në Kosovë vijonte dhuna e terrori serb që shkaktoi masakra me mijëra të vrarë, si dhe një milion refugjatë, Ahtisaari bashkë me përfaqësuesin amerikan e atë rus, Çernomerdin, udhëtonin vazhdimisht drejt Beogradit për t’i dhënë fund luftës dhe krimeve çnjerëzore të Milosheviçit dhe të Vuçiqit kundër shqiptarëve në Kosovë. Derisa diktatori serb u dorëzua. Milosheviçi kapitulloi pak ditë para 9 qershorit të vitit 1999. Por, NATO-ja donte të sigurohej për këtë. Prandaj dhe e zgjati së paku për tri-katër ditë nënshkrimin e kapitullimit të Serbisë”, thotë profesori.

Nuk u pranua asnjë kompromis me Beogradin

Më tej Bytyçi thekson se Marrëveshja e Kumanovës u bazua në tri aspekte të formulës që rekomandoi ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer.

Këto tri aspekte ishin: Serbia jashtë Kosovës, NATO në Kosovë, refugjatët të rikthehen në shtëpitë e tyre.

“Është folur shumë për atë që quhet Marrëveshje e Kumanovës. Është thënë se aty janë marrë vesh që p.sh veriu i Kosovës të diskutohet më vonë se si do të ndahet. Në të vërtetë interlokutorët ndërkombëtarë që e detyruan Milosheviçin të pranonte kushtet e paqes, nuk kanë pranuar asnjë kompromis të tillë me Beogradin dhe gjeneralët serbë. I vetmi kompromis ishte që Marrëveshja e kapitullimit të Serbisë të nënshkruhej në Kumanovë. Pse? Sepse këtë e kërkoi pala serbe. Kërkesa e Serbisë për ta nënshkruar kapitullimin e saj në Kumanovë ishte simbolikë e faktit se Mbreti Karagjergjoviç dhe ushtria e tij bënë të vetmen betejë kundër osmanëve pikërisht në Kumanovë në vjeshtën e vitit 1912. Dhe atë betejë e konsiderojnë si fitoren e tyre kundër Perandorisë Osmane. Ndërkohë që pas asaj beteje ushtria serbe e asaj kohe masakroi, sipas Leo Freundlich, së paku 25 mijë shqiptarë në territorin e Vilajetit të Kosovës me kryeqendër Shkupin.

Marrëveshja e Kumanovës u bazua në tri aspekte të formulës që rekomandoi ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer. Këto tri aspekte ishin: Serbia jashtë Kosovës, NATO në Kosovë, refugjatët të rikthehen në shtëpitë e tyre. Serbia jashtë Kosovës i thoshte të gjitha. Kjo formulë shënoi përfundimisht çlirimin e Kosovës nga Serbia. Këtë formulë e ka nënshkruar Beogradi dhe përfaqësuesit e tij, së bashku me përfaqësuesin e NATO-s, gjeneralin britanik, Johnson”, u shpreh ai.

Ai rikujtoi se pas kësaj marrëveshje për kapitullimin e Serbisë ushtria dhe policia serbe filloi tërheqjen e saj nga Kosova.

“Një ditë më pas u mblodh Këshilli i Sigurimit dhe miratoi Rezolutën 1244, me të cilën Kosova u vu nën protektoratin civil të OKB-së dhe nën mbrojtjen dhe sigurinë e NATO-s. Në atë rezolutë u vendos që ushtria e Serbisë të qëndronte 25 km larg kufirit me Kosovën, ndërsa policia 5 km larg këtij kufiri. Por kjo klauzolë ndryshoi në vitin 2004, pas ngjarjeve të 17 e 18 marsit të atij viti, të inskenuara nga Serbia, pikërisht që të fajësonte shqiptarët si faktor destabiliteti në Ballkan”, shton ai.

Serbia jashtë Kosovës madje përgjithmonë, është klauzola e vetme

Mirëpo, profesor Bytyçi thekson se asnjë nen i Rezolutës 1244 nuk parashikon që Serbia të jetë sovrane mbi Kosovën, si dhe Beogradi ta administrojë atë në njërën ose tjetrën formë.

Kështu, ai nënvizon se interpretimet e sotme dhe spekulimet që tenton të bëjë politika serbe me Rezolutën 12 44 dhe Marrëveshjen e kapitullimit të saj në Kumanovë janë sajesa dhe mashtrime të qeverisë e kishës serbe.

“Serbia jashtë Kosovës madje përgjithmonë, është klauzola e vetme. Interpretimet e sotme dhe spekulimet që tenton të bëjë politika serbe me Rezolutën 12 44 dhe Marrëveshjen e kapitullimit të saj në Kumanovë janë sajesa, janë mashtrime të qeverisë, politikës, akademisë dhe kishës së Serbisë. Serbia kurrë më nuk mund të kthehet në Kosovë, sepse këtë nuk e duan shqiptarët, sepse këtë e ka vendosur Këshilli i Sigurimit të OKB-së, sepse kësisoj ka vendosur edhe më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë”, u shprehi.

Bytyçi potencoi se Kumanova ka një simbolikë historike për shqiptarët e sidomos për Kosovën.

“Në Kumanovë u nënshkruan themelet e lirisë dhe të Pavarësisë së Kosovës. Aty u projektua shteti më i ri në Europë. Por, politika e Kosovës duhet ta lexojë mirë Kumanovën. Fjala është që të mendojë dhe të besojë para së gjithash për të ndërtuar shtetin demokratik të së drejtës me institucione të qëndrueshme dhe të forta. Kjo është domosdoshme në çdo kohë. Por, bëhet imediate në këtë periudhë kur duhet përmbyllur procesi i shtetësisë edhe në pikëpamje të njohjes ndërkombëtare!”, përfundoi ai.

Edhe pas Pavarësisë Kosova vuan nga cenimi i tërësisë territoriale

Image
Profesori Sulejman Mehazi

Kurse, profesori Sulejman Mehazi thotë për gazetën “Bota sot” se 9 qershori është dita më e rëndësishme për historinë kombëtare, politike, diplomatike për shqiptarët, posaçërisht e veçanërisht për qytetarët e përvuajtur të Kosovës, është ditë e çlirimit dhe krijimit të Republikës së Kosovës.

“Njëzet e tre vjet më parë me marrëveshjen në afërsi të Kumanovës morën fund falangat vrastare serbe në Kosovë. Ajo ditë e 9 qershorit 1999 është dita më e rëndësishme për historinë kombëtare, politike, diplomatike për shqiptarët, posaçërisht e veçanërisht për qytetarët e përvuajtur të Kosovës, është ditë e çlirimit dhe krijimit të Republikës së Kosovës. Marrëveshja ushtarake-teknike e Kumanovës pas 78 ditësh bombardimesh nga fuqitë e NATO-s detyruan egërsirën Milosheviq të dorëzohet, të largohet e të kapitullonte turpshëm policia e ushtria kriminele e kanibalit Milosheviq”, thotë Mehazi.

Ai rikujton se edhe pse u çlirua Kosova nga forcat kriminale e vrastare serbe, për fat të keq që nga 1999 kaluan 23 vjet e Kosova ende nuk e ka fituar lirinë e pavarësinë absolute nga Serbia.

“Me një fjalë 9 qershori i motit 1999 është dita më e lumtur e qytetarëve të Kosovës, të cilët nga dhuna e ashpër serbe kishin lënë shtëpitë e tyre e ktheheshin sa të gëzuar, po aq edhe të pikëlluar nga dëmet materiale, vrasjet e masakrat e bëra serbe në shtëpitë dhe familjet e kosovarëve. Pas 9 qershorit qytetarët e Kosovës filluan të frymojnë lirshëm pasi në Kosovë nuk kishte policë, paramilitarë e ushtarë serb.

Mirëpo, edhe pse u çlirua Kosova nga forcat kriminele e vrastare serbe, për fat të keq që nga 1999 kaluan 23 vjet e Kosova ende nuk e ka fituar lirinë e pavarësinë absolute nga Serbia”, nënvizon profesori.

Mehazi thekson se edhe pas pavarësisë Kosova vuan nga cenimi i tërësisë territoriale dhe është e cunguar edhe sot e kësaj dite nga hordhitë e mbetura serbe në Mitrovicën e Veriut.

“Po ashtu flamuri serb valon në Graçanicë, kisha ortodokse serbe fuqishëm propagandon Serbinë, më e keqja se manastiret serbe në Deçan kanë fituar pavarësinë e tyre fetare-serbe.

Kush e rrudhosi territorin e Kosovës:

Të gjitha këto veprime serbe brenda Kosovës rrezikojnë pavarësinë e Kosovës”, thekson ai.

Profesori thekson se paaftësia, lakmia dhe padituria e partive politike shqiptare në pushtet kundrejt Serbisë e rrudhosën dhe e ngushtuan territorin e Kosovës.

“NATO-ja më 1999 e çliroi Kosovën, por paaftësia, lakmia dhe padituria e partive politike shqiptare në pushtet kundrejt Serbisë e rrudhosën dhe e ngushtuan territorin e Kosovës me dhënien e Çakorrit Malit të Zi, me kishat autoqefale serbe në Deçan, me “qytet-shtetin” e pavarur serb të Graçanicës, të gjitha këto argumente tregojnë se marrëveshja ndërkombëtare ushtarake-teknike e Kumanovës e çliroi Kosovën, por më pas bajlozët politikë të Kosovës jo vetëm që ua humbën lirinë qytetarëve, por edhe e cunguan territorin e Kosovës”, përfundoi ai.

Ndër të tjera në Marrëveshje parashihej:

c) që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, të MUP-it, policia lokale, speciale, antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i.

d) u caktua një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës, e ndërsa në pikën

e) u caktua një zonë 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në që nuk guxonte të vendosen armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarët kufitarë.

Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 15 mijë njerëz janë vrarë ose zhdukur dhe mbi një milion janë zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së Havijer Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Kosova e shpalli Pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat