“Ky është bllokuesi kryesor i liberalizimit”/ Zbardhen prapaskenat e Samitit në Bruksel – Parashikimi i keq për Ballkanin

Politika

“Ky është bllokuesi kryesor i liberalizimit”/ Zbardhen prapaskenat e Samitit në Bruksel – Parashikimi i keq për Ballkanin

Nga: P.R. Më: 24 qershor 2022 Në ora: 22:11
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin e BE dhe Ballkanit Perëndimor

Samiti BE-Ballkani Perëndimor është përmbyllur në Bruksel. Edhe kësaj radhe, Ballkani Perëndimor mbeti duarthatë. Kosova nuk mori liberalizimin e vizave, ani pse për këtë kishte sinjale pozitive. Ndërkohë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk arritën që ta marrin statusin e vendit kandidat. E një gjë e tillë udhëheqësit e BE-së vendosën të enjten t’i japin Ukrainës dhe Moldavisë zyrtarisht statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Lidhur me zhvillimet në këtë Samit dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, për gazetën “Bota sot”, ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Samiti BE – Ballkani Perëndimor në Bruksel dëshmoi dy probleme. Problemi i parë lidhet me hezitimin e disa vendeve për të avancuar agjendën e integrimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa problem i dytë janë reformat në këto vende që duan të integrohen. Artificialisht liderët autokratë të Ballkanit Perëndimor po krijojnë edhe një problem të tretë: Open Balkan, i cili në fakt duhet të quhet Open-Serbia!”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Ballkani ka qenë dhe mbetet vatër e konflikteve të vazhdueshme jo për faj të popujve të këtij rajoni, sa për shkak të interesave konfliktuale gjeopolitike të Fuqive të Mëdha.

“Asnjë me një nuk bëhen këto Fuqi. Rusia është kundërshtare e të gjitha Fuqive tjera, sepse dëshiron të dalë në Detin Adriatik. Por edhe SHBA dhe Evropa kanë fërkime sa i përket qëndrimit të tyre ndaj Ballkanit, kanë qasje jo të njëjtë, që e bën Ballkanin të jetojë midis dilemës: Me Amerikën apo me Evropën. Ndërkohë në Evropë nxitet dilema tjetër, me kë dhe te kush duhet të mbështeten këto vende për ardhmërinë e tyre? Te Gjermania, te Franca apo te Britania e Madhe? Asnjëra prej këtyre vendeve nuk ndjehet komfort me gjeopolitikën dhe interesat strategjike të vendit tjetër. Ka diferenca midis tyre si midis Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, ashtu dhe midis kësaj të fundit dhe Francës. Secili interferon në vendet e Ballkanit në mënyrën e vet dhe me shijet e veta. Për pasojë mungon principialiteti, mungon harmonia evropiane”, shprehet profesor Bytyçi.

Ai thotë se presidenti francez, Emmanuel Macron është bllokuesi kryesor i liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Me këtë aspekt shpjegohet vetoja franceze për të mos liberalizuar vizat me Kosovën. Qëllimi i Macron është që ta rezervojë këtë me presionin ndaj qeverisë së Kosovës për të bërë lëshime në dialogun me Serbinë. Asgjë tjetër nuk ka në këtë mes. Thuhet se është pengesë ministri i brendshëm i Francës. Jo! Është pengesë vetë Macroni. Sepse në kushtet e sotme të luftës në Ukrainë dhe dobësimit të ndikimit rus në Evropë, ai ka frikë se Gjermania do të ketë pozicion më të favorshëm në gjeopolitikën ballkanike”, shpjegon Bytyçi.

“E dyta, lidhet me faktin se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë gati të integrohen. Sidomos në Shqipëri dhe në Serbi drejtojnë vendin regjime dhe jo qeveri demokratike. Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq janë tashmë autokratë e madje kleprokratë (që vjedhin e grabisin pasuritë e qytetarëve) të dëshmuar. Liderë të lidhur me krimin e organizuar. Njerëz mafiozë, të gatshëm të mbështesin krimin e organizuar për mbajtjen e pushtetit! Si mund të avancojnë vende të tilla në integrimet evropiane?”.

“Korrupsioni dhe lidhjet me mafien janë evidente! Skandalet ndjekin njëri-tjetrin. Dhe të gjitha këto i vuan ekonomia, i vuajnë qytetarët! Emigracioni te shqiptarët është plagë e rritur dhe e shumëfishuar! Sistemi i drejtësisë nuk funksionon, sepse është i kapur nga politika dhe oligarkia në pushtet. A është e mundur që në këto kushte të ketë përparim në integrimin e këtyre vendeve në BE? Mendoj se jo”, shton më tej profesor, doktor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas Bytyçit, arsye e tretë pse Ballkani mbeti duarthatë është edhe projekti serb i “Open Balkanit”.

“Së treti, në Evropë e kuptojnë se Open Balkan ose Open Serbia është një lëvizje anti-europiane. Më e pakta për inat të Evropës. Diskursi politik i tre liderëve të Open-Serbisë, Vuçiq, Kovacevski e sidomos Edi Rama ditën e djeshme në Bruksel dëshmojnë qartë se Open Balkan është provokim për Evropën e sidomos për Gjermaninë! Ndoshta Franca do ta donte Open Serbinë, sepse ky projekt afrohet me projektin e Macron për asocimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Evropën. Prandaj dhe Edi Rama e ka mbështetur projektin francez. Thjesht për t’i hap rrugë Open-Serbisë! Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor vihen në dhomën pritëse të asocuar për pranim në BE, atëherë është më e lehtë për Serbinë që të fitojë kohë në diversionin e saj kundër Kosovës. Pikërisht këtë duan Beogradi dhe Tirana zyrtare!”, deklaron Bytyçi.

Për fund, ai thotë se Kosova duhet të shprehet kundër projektit francez të asocimit në integrimet evropiane.

“Në këto kushte duhet që Kosova dhe vendet e tjera, politika opozitare dhe kombëtare shqiptare të kuptojnë se mbështetja e projektit francez të Macron për integrimet evropiane është mbështetje për Open Balkan, premisë e shkatërrimit të shtetësisë së Kosovës, mundësi e mirë që autokratët ballkanas të qeverisin pa u shqetësuar nga Evropa etj. Prandaj dhe është e domosdoshme që qeveria e Kosovës, kryeministri Kurti, presidentja Osmani, të gjithë politikanët ballkanas pro-europianë, të shprehen kategorikisht kundër projektit francez të asocimit në integrimet evropiane!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat