Gjuha e ashpër e opozitës ndaj Qeverisë – a po i shkon në favor Serbisë ky polarizim!

Politika

Gjuha e ashpër e opozitës ndaj Qeverisë – a po i shkon në favor Serbisë ky polarizim!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 nëntor 2022 Në ora: 11:46
Kuvendi i Kosovës

Situata në vendin tonë, javëve të fundit ka qenë kaotike, ku vendimi i qeverisë Kurti për targat ileagale shkaktoi pakënaqësi te serbët, të cilët më pas edhe morën vendim për tërheqje nga institucionet e vendit.

Pas këtyre zhvillimeve, u organizuan edhe takime në Bruksel. Fillimisht u takuan kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësuesit në dialog, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell dhe emisari Miroslav Lajçak.

Ky takim u përcoll me reagime të shumta, me kritika të ashpra në adresë të z.Borell, dhe akuza po të ashpra të partive opozitare dhe kundërshtarëve të kryeministrit Kurti, të cilat ende po vazhdojnë.

Megjithatë, pas aranzhimit të një takimi të kryenegociatorëve, Besnik Bislimit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel, nën trysninë ndërkombëtare, kryesisht amerikane, u arrit një marrëveshje.

Kështu, këto bisedime vunë në pah përçarjen politike brenda partive shqiptare dhe moskoordinimin e tyre karshi Serbisë.

Partitë opozitare nuk zgjodhën rrugën për ta përkrahur kryeministrin e vendit në ‘betejën’ me Serbinë.

Si, jo rrallëherë edhe kësaj radhe gjuha denigruese dhe akuzuese ishte e pranishme.

E këtë qasje të opozitës karshi qeverisë në dialogun me Serbinë e komentuan për “Bota sot” analistët politikë, Hidajet Ahmeti dhe Skënder Zogaj.

Ahmeti: Pozitë e opozitë duhet të jenë të unifikuar në procesin e dialogut me Serbinë

Së pari, analisti politik, Hidajet Ahmeti në prononcimin e tij për “Bota sot” kritikoi gjuhën subjektive të partive politike ndaj dialogut me Serbinë.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai vlerësoi se kjo shkon vetëm në favor në Serbisë.

Retorika politike duhet të zhvillohet në mënyrë objektive, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ecim përpara në politikëbërje. Gjuha politike subjektive, pa argumente të arsyeshme e jo në kontekst të rrethanave politike është në favor të Serbisë”, deklaroi analisti.

Ndër të tjera, analisti kërkoi që pozita dhe opozita të jenë të bashkuara ndaj Serbisë.

Pozitë e opozitë duhet të jenë të unifikuar në procesin e dialogut me Serbinë, pasi vetëm me politika unifikuese dhe me një strategji të qartë do të jemi më të fuqishëm përballë Serbisë. Gjuha e opozitës ka degraduar tejmase dhe kjo logjikë e komunikimit të brendshëm, e shumë herë ekuivalente me përfaqësuesit e Serbisë ka zbehur argumentet e Kosovës në procesin dialogues”, theksoi Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Zogaj: Akuzat nuk janë mënyra e duhur

Ndërsa, opinionisti Skënder Zogaj tha se këto probleme me Serbinë janë vështirësi të reja që janë po aq të vështira sa edhe lufta.

Image
Skënder Zogaj

Kosova po e vërteton thënien e Uinston Çerçillit, se pas përfundimit të luftës së armatosur, fillon lufta e vërtetë çlirimtare, pasi të pushojnë armët dalin në shesh vështirësitë e reja që janë po aq të vështira sa edhe lufta! Kosova po e vërteton këtë sepse edhe pas 22 vitesh në liri vendi po ballafaqohet me probleme të rënda dhe shumë shqetësuese duke mos arritur ta institucionalizojë lirinë dhe pavarësinë e shpallur! Kjo gjendje domosdo që vjen nga armiku shekullor, Serbia, por më shumë se nga ajo, Kosova po vuan nga vetvetja, klasa politike e saj, që është duke i përsëritur gabimet e së kaluarës me pësime të rënda” deklaroi ai.

Krahas kësaj, Zogaj tha se ka një degradim të klasës politike.

Ai shtoi se në vend të angazhimeve intelektuale të patriotizmit të pastër, po shpërfaq mllefe, urrejtje dhe luftë të ndyrë politike.

Klasa jonë politike po degradon nga egoizmi për pushtet, që synohet të arrihet me çdo kusht, duke abuzuar me arritjen madhore të lirisë! Klasa jonë politike po degradon keq, dëshpërueshëm keq, sepse, seleksionimi negativ i përbërjeve partiake ka krijuar grupe klanore interesash meskine, prandaj, në vend të angazhimeve intelektuale të patriotizmit të pastër, po shpërfaq mllefe, urrejtje dhe luftë të ndyrë politike! Kjo nuk është e re, por në situatën aktuale është tepër e rrezikshme, sepse është çasti i finales, kur vuloset fati historik”, theksoi publicisti Zogaj.

Në fund, ai vlerëson se opozita nuk duhet t’iu gëzohet dështimeve, derisa nga Qeveria kërkoi të ketë vëmendje dhe të punojnë të dyja palët për interesa të vendit.

Qeveria Kurti e ka përgjegjësinë dhe duhet të jetë shumë e vëmendshme, por kjo përgjegjësi i takon edhe opozitës, e cila nuk guxon t'u gëzohet dështimeve! Akuzat nuk janë mënyra e duhur! Idetë konkrete për veprime konkrete janë ajo që duhet bërë bashkërisht të gjithë! Derisa të mos ndodhë kjo, nuk kemi të drejtë të ankohemi ndaj të huajve, të cilët i kanë planet dhe punët e veta dhe është krejtësisht normale që i bëjnë punët e tyre dhe interesat e tyre”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat