Pas skandalit “Katargate”, kërkohet hetimi i ish-pushtetarëve të Kosovës!

Politika

Pas skandalit “Katargate”, kërkohet hetimi i ish-pushtetarëve të Kosovës!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 dhjetor 2022 Në ora: 21:09
Eva Kaili

Evropa tash e disa ditë po përballet me skandalin me Katarin ku janë përfshirë disa eurodeputetë të Parlamentit Evropian, përfshirë këtu nënkryetaren Eva Kaili, e cila është e arrestuar.

Aktakuza nuk është aq e thjeshtë. Në qendër të saj është hetimi i ndikimit nga një vend si Katari, në vendimet politike dhe ekonomike, në tempullin e demokracisë evropiane, në punën e Parlamentit Evropian.

Aktualisht hetimet janë zgjeruar, dhe kanë përfshirë 60 eurodeputetë.

Gjersa, parlamenti Evropian ka nisur shqyrtimin e mundësisë që t’ua ndalojë zyrtarëve të Katarit hyrjet në objektet e saj, si përgjigje ndaj skandalit të korrupsionit, më i madhi ndonjëherë në historinë e këtij institucioni, nga Kosova kërkohet hetimi për “Kosovagate”.

Janë dhënë shuma të mëdha monetare nga Rusia dhe Serbia

Njohësit e zhvillimeve në vend, kanë kërkuar që të hetohen edhe ish-liderët politikë e njerëzit që ishin dikur në pushtet, për lobimet e vendit si dhe për deklaratat për shkëmbim territoresh.

Kryetari i LDK-së në Gjermani dhe njohës i zhvillimeve në vend, Osman Ferizi thotë se ngjarja në BE ka nxit debate dhe zbehur besimin në rolin e PE-së.

Image
Osman Ferizi

Sipas tij, kjo ngjarje bën që të kërkohen nga prokuroria e posaçme që të hetohet afera e lobimeve të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-ministres Dhurata Hoxha.

Ngjarja në Bashkimin Europian i quajtur si skandali korruptiv Katari (Katarigate) që nxiti debate dhe zbehu besimin në rolin e Parlamentit Europian, kjo ngjarje na kthen për të kërkuar nga prokuroria speciale që të hetohet afera e lobimeve e ish- Presidentit H. Thaçi dhe ish- Ministres së Integrimeve Evropiane z. Dhurata Hoxha, e cila gjatë mandatit të saj kishte paguar shuma të mëdha nga buxheti i shtetit duke angazhuar një kompani lobiste franceze. Po ashtu dyshohet se janë dhënë shuma të mëdha mjete monetare nga Rusia dhe Serbia për të arritur lëvizje kufijsh mes Serbisë dhe Kosovës në dëm tonin”, deklaron Ferizi për “Bota sot”.

Një rol dominant në procesin anti-kushtuetues, por edhe të dëmshëm, sipas Ferizit, ka ish-presidenti Hashim Thaçi.

Ai ka lidhur edhe ish-të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Për fat të keq një rol dominant në këtë proces antikushtetues, po edhe shumë i dëmshëm cilësohet roli i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili kishte arritur deri aty sa të kërkojë edhe amnisti për krimet e kryera ndaj shqiptarëve, të akuzuarit, gjatë luftës së vitit 1998/99. Mendoj që kjo lidhet edhe me rolin e Grenellit, i cili ditëve të fundit pothuajse e konfirmoi një veprim të tillë. Ua rikujtoi deklaratën e diplomatit Bolton, i cili thotë në mediat e SHBA-së se ideja për shkëmbin territoresh u prezantua nga Thaçi dhe Vuçiqi, andaj këto pazare për të ruajtur pozitat e tyre politike dhe përfitimet financiare, i çoi në tradhti ndaj interesave të vendit, shih për këtë ku ka shkuar sot procesi i dialogut, Serbia përfitoi terren dhe krijoi epërsi duke krijuar një imazh në shtetet e Evropës se Kosova nuk zbaton marrëveshjet, e që këtu po ashtu lind dyshimi i korrupsionit të ndërmjetësuesve evropianë të këtij procesi të tej zgjatur”, ka deklaruar Ferizi.

Prokuroria të kërkojë fakte për tradhti e korrupsion kundër integritetit të Kosovës

Katari pavarësisht të gjithave e ka mohuar çdo keq bërje në lidhje me hetimet, përmes të cilave policia belge ka sekuestruar afërsisht 1,5 milionë euro në formë kesh nga disa prona në Bruksel.

Në anën tjetër, ish-agjenti i SHIK-ut dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Naim Miftari thotë se sigurisht që ka afera korruptive në përmasa ndërkombëtare.

Image
Naim Miftari

Ai ka përmendur me emra aferat që fillojnë në BE.

Po sigurisht që ekzistojnë afera korruptive në përmasa ndërkombëtare, ku Serbia ka dhënë me dhjetëra miliona euro që Kosova të dëmtohej rënd si në territor, si në politik. Afera fillon në BE nga koha e Mogherinit, pastaj edhe në SHBA janë korruptuar nga lobi ortodoks serbo-rus, si këshilltari Jon Bollton, R. Grenell etj. Pastaj, nga Kosova direkt dhe indirekt janë të implikuar Hashim Thaçi, Vlora Çitaku, Behgjet Pacolli, Edita Tahiri, Dhurata Hoxha, Skender Hyseni, Isa Mustafa dhe kukulla e tij Avdullah Hoti. Marrëveshja Vuçiq- Thaçi dhe Daçiq- Mustafa i BK serbe me fuqi ekzekutive mendohet se është bërë edhe përmes korrupsionit, për përfitime të miliona eurove dhe mbetjes në pushtet. Edhe marrëveshja e Uashingtonit është bërë përmes korruptimit të Grenelit, por edhe nëpërmjet Palmert, që besohet se është dhëndër serb”, ka deklaruar Miftari.

Tutje, Miftari ka treguar me emra kush do të përfitonte nga marrëveshjet e bëra dhe çka do të përfitonin.

Edhe manipulimi për 99 vjet të pasurisë së Ujmanit, Trepçës, rryma, tregtia, nafta për veriun e Kosovës në këtë marrëveshje do të përfitonin disa individë nga perëndimi, që mund të kishin shoqëri apo lidhje, mbase edhe një lloj partneriteti biznesi me Grenelin. Edhe disa firma private janë regjistruar për të nënshkruar në këtë marrëveshje. Pastaj, nga pala serbe do të përfitonin vëllai i presidentit serb, Andrea Vuçiqi me dy nëpunësit e tij Rajdojçiçin dhe Veselinoviçin (të tretë organizuan vrasjen e O. Ivanoviçit), nga pala kosovare pos Hashim Thaçit, Kadri Veselit do të përfitonte materialisht politikisht si Behgjet Pacolli, Isa Mustafa, Skender Hyseni, ndërsa Ramush Haradinaj do të përfitonte pushtet, kurse Edi Rama do të përfitonte dhjetëra miliona dollar përmes rrugëve të tregtimit me mallra nga trajektoret Shqipëri- Kosovë- Serbi dhe anasjelltas”, ka pohuar Miftari.

Ai madje, ka kërkuar që Prokuroria të kërkojë fakte për tradhti e korrupsion kundër integritetit të Kosovës dhe le t’i pyesin të gjithë.

Kurdo qoftë që prokuroria e Kosovës të kërkojë fakte për tradhti e korrupsion kundër integritetit të Kosovës, le ta pyesin se cili ishte misioni sekret i Vlora Çitakut me Pallmerin, Bolltonin, Grenellin, Thaçin. Për çfarë arsye vizitoi privatisht pa kurrfarë protokolli shtetëror presidenti i Kosovës atëherë, Hashim Thaçi dy herë në Berlin, ambasadorin amerikan non grada Rikard Grenell, pastaj, si dhe pse e rrëzuan qeverinë Kurti 1. Pastaj, vizitat private të Hashim Thaçit në Francë dhe takimet sekrete me përfaqësues serb në Itali, pastaj misioni i Dhurata Hoxhës e deri te skenat teatrale me “Syrin e Popullit”, krijues i të cilit ishte 100 për qind i SHIK-u i PDK-së, Isa Mustafës e deri te sulmet e inskenuar mbi presidencën, parlamentin e Kosovës me molotov dhe projektligjet anti korrupsion”, ka theksuar Miftari.

Emrat e përmendur, sipas Miftarit, duhet t’i gjykojë dhe t’i dënojë Kosova dhe askush tjetër.

Tradhtitë ndaj Kosovës kanë emra dhe mbiemra, edhe pronto mafia kanë akterët e tyre, por deri më sot askush nuk guxoi t’i ndëshkojë sipas ligjit të shtetit. Nuk besoj se BE-ja ose Amerika, apo dikush tjetër do të merren ndonjëherë me të korruptuarit e Kosovës, atë detyrë të shenjtë që t’i gjykojë dhe t’i dënojë të korruptuarit dhe të shiturit duhet ta bëjë vetë Kosova, shteti i Kosovës, askush tjetër nuk do të merret me këtë dukuri”, ka deklaruar Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat