Dënimi i komandant Calit dhe vrasjet politike/ Mesazhi që e përcolli Gjykata Speciale

Politika

Dënimi i komandant Calit dhe vrasjet politike/ Mesazhi që e përcolli Gjykata Speciale

P.Rudi Nga P.Rudi Më 17 dhjetor 2022 Në ora: 15:02
Sali Mustafa

Salih Mustafa, i njohur si komandant Cali, është dënuar me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale, ku sipas aktakuzës së Speciales, shumica e viktimave të komandant Calit, ishin shqiptarë, anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mustafa është dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.

"Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim", ka thënë kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, e cila edhe njëherë ka bërë të ditur se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

E sipas ish bashkëluftëtarit të heroit Sali Çekaj, Saim Tahiraj, vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë, është një fije drite që ngjallë shpresën se më në fund drejtësia po fillon të vihet në vend për vrasjet që kanë ndodhur ndaj anëtarëve të LDK-së.

“Shumë vrasje me motive politike që ndodhën në Kosovë dhe në territorin e Shqipërisë kundër veprimtarëve dhe funksionarëve të LDK-së, kundër ushtarakëve dhe komandantëve të FARK-ut, asnjëherë nuk u trajtuan apo u trajtuan dhe kurrë nuk morën epilogun përfundimtarë. Nuk u trajtuan asnjëherë nga gjykatat vendore sepse ato ishin të kapura nga bandat kriminale që ishin në maja të pushtetit në Kosovë, edhe ata pak gjykatës dhe prokurorë që kishin vullnetin për të vënë drejtësi, nuk e kishin guximin sepse ishin të kërcënuar me jetë!”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Image
Ish bashkëluftëtarit të heroit Sali Çekaj, Saim Tahiraj

“Disa raste që i hetuan prokurorët dhe trajtuan gjykatat ndërkombëtare kurrë nuk morën epilog përfundimtar, por mbetën në arkiva për historianët e rijnë dhe të guximshëm sepse këta të sotit nuk e kanë guximin të merren me to, me ndonjë përjashtim të vogël si historiani Buxhovi. Të gjitha këto zhvillime dramatike e shuan shpresën te familjarët e të vrarëve se do ketë drejtësi për ta”, shprehet Tahiraj.

Siç thotë Tahiraj, vendimi i djeshëm nga Gjykata Speciale për Salih Mustafën, riktheu shpresat e humbura se drejtësia do të triumfojë.

“Vendimi që mori dje Gjykata Speciale për të akuzuarin Mustafa, me dënim 26 vite burg, ishte një lajm që hapi një horizont të ri i cili ktheu shpresat e humbura, së më në fund drejtësia filloi të vihet në vendin që i takon. Me këtë vendim Gjykata Speciale tregoi se nuk ka më ndikime politike, kapje të gjykatës dhe prokurorisë nga bandat kriminale, korrupsion apo forma tjera të shantazhit. Ky vendim mbushi me optimizëm të gjitha familjet e viktimave, popullin shumicë në Kosovë dhe ringjalli shpresën se drejtësia do vendoset në vend për secilën viktimë që u viktimizua nga bandat kriminale”, deklaron Saim Tahiraj për “Bota sot”.

Më tej, ai thekson se vetëm me zbardhjen e vrasjeve politike dhe dënimin e të akuzuarve, atëherë liria e Kosovës do të jetë e plotë.

“Urojmë dhe lutemi që ky fillim i mbarë të vazhdoj pa u lakuar por drejt dhe të gjithë kriminelët të marrin dënimin e merituar. Vetëm atëherë liria në Kosovë do e ketë kuptimin e plotë, viktimat do prehën të qetë dhe familjarët e tyre do vendosin lule mbi varret e tyre, të liruara nga ankthi i padrejtësisë dhe linçimit. Me sa dëshirë do e shihja fytyrën e buzëqeshur dhe plot lumturi të mikut tim Fetah Rudit kurë kriminelët që lanë në karrocën e invalidit do e marrin dënimin e merituar”, nënvizon Tahiraj.

Për fund, Tahiraj kritikon edhe vizitat që po u bëhen të akuzuarve të Speciales, të cilët akuzohen për vrasjet e anëtarëve të LDK-së.

“Themelimi i Gjykatës Speciale nga Parlamenti i Kosovës, si Gjykatë e Kosovës por me seli në Hagë, sadopak e ngjalli një grimë shpresë për këto familje. Arrestimi i të dyshuarve të parë të cilët mbanin pozita të larta shtetërore, filloi ta ngjallë këtë shpresë të venitur. Për dy vite pati zhvillime të zbehta për opinionin por pa vendime përfundimtare, familjarët e viktimave pritnin në ankthe, me shpresë të thyer se më në fund do të ndodhi diçka konkrete dhe bindëse. Shumë vizita iu bënë të dyshuarve në Hagë si të; ish presidentëve nga Shqipëria dhe Kosova, përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore nga këto dy vende, alamet intelektual, profesorë, prijësit e klerit fetarë të tri feve kryesore nga Kosove, lider të partive politike, madje çuditërisht edhe nga LDK-ja ku të gjitha viktimat ishin pikërisht nga kjo parti! Të gjitha këto vizita ishin mbështetje dhe përkrahje morale për të dyshuarit pa patur fare mëshirë për viktimat dhe familjet e tyre të cilat pësuan edhe një thyerje tjetër morale. Athua vallë çfarë shoqërie e pa moral njerëzorë jemi? Në vend që të rreshtohemi në anën e viktimave dhe t’i përkrahim ato, ne bëjmë të kundërtën, turpi i shekullit!”, përfundon për “Bota sot”, ish bashkëluftëtari i heroit Sali Çekaj, Saim Tahiraj.

Kujtojmë se dënimin e Salih Mustafës e kanë mirëpritur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Siç e ka thënë edhe trupi gjykues, ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, mirëpo lidhet vetëm me përgjegjësinë penale të të pandehurit. Ne po ashtu e përshëndesim trimërinë e viktimave individuale dhe dëshmitarëve që janë paraqitur, dhe dënojmë kërcënimet dhe frikësimet ndaj tyre. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundshme”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat