Fakte e dëshmi kundër Thaçit, Veselit, Selimit, Krasniqi/ Gjykata Speciale nis zbulimin e vrasjeve politike

Politika

Fakte e dëshmi kundër Thaçit, Veselit, Selimit, Krasniqi/ Gjykata Speciale nis zbulimin e vrasjeve politike

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 7 prill 2023 Në ora: 18:00
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë kanë mbetur ende një enigmë e pazbuluar. Krejt kjo nga mungesa e guximit të drejtësisë vendore që të trajtojë këto raste.

E me gjykimin e nisur në Hagë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të cilët Gjykata Speciale i akuzon edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, si dhe faktet që po prezanton prokuroria, sipas analistëve dhe njohëseve të zhvillimeve politike janë sinjal se më në fund po nis zbulimi i vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë, e ku viktimat ishin anëtarë të LDK-së dhe përkrahës të ish presidentit, Ibrahim Rugova.

Nis zbulimi i vrasjeve politike

Image
Analisti politik, Gani Qarri

Analisti politik, Gani Qarri, thotë se po të kishte drejtësi në Kosovë, atëherë nuk do të pritej fare formimi i Gjykatës Speciale, por vrasjet politike do të zbuloheshin nga institucionet vendore.

“Ne fakt, sikur Kosova të kishte pasur ligj dhe drejtësi te njëmendtë, që 23 vite, kjo vet do duhej t’i kishte sqaruar këto raste, por bashkimi i serishëm publik i ish krerëve të LDK-së, edhe aktualisht strukturave të PDK-së për daljen në mbrojtje të atyre kundër të cilëve sapo ka filluar gjykimi në Hagë, po lë të nënkuptohet apo edhe të dyshohet, se disa emra që ende mbahen si pjesë «domethënëse» e LDK-së, në një mënyrë apo tjetër edhe vetë këta ta kenë bishtin e zënë me fajësi të pashlyer. Këtë e vërteton edhe fakti tjetër determinues, se LDK ishte disa herë në pushtet dhe në aleancë me PDK-në, por kurrë nuk kanë ngritur asnjë padi apo kallëzim penal për vrasjen dhe plagosjen e anëtarëve të saj, emrat e të cilëve i kanë keqpërdorur në mënyrë spektakolatre në fushata zgjedhore për t`ua shkëputur si me detyrim votat qytetarëve, që tanimë po shihet qartë se sidomos Isa Mustafa, Skënder Hyseni etj, as që i kanë merituar fare asnjëherë”, shprehet Qarri.

Më tej, ai thotë se shpresa e vetme për zbardhjen e vrasjeve politike mbetet Gjykata Speciale.

“Ndaj shpresa e vetme për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, të qytetarëve civil dhe anëtarëve të partive oponente politike, mbetet të shihet vetëm te nisja e gjykimit dhe faktet e propozuara nga Prokuroria në Gjykatën Speciale, proces gjatë të cilit nuk duhet habitur, se mund të nxjerr në shesh edhe emra të ish LDK-së të involvuara në mënyrë direkte apo edhe të tërthortë në këto akte kriminale”, deklaron Qarri.

“Kjo është edhe një sinjal se në fakt po fillon edhe zbardhja e shumëpritur e vrasjeve politike, ku temë pothuajse e veçantë, mund të jenë ish anëtarët viktima të LDK-së, por edhe disa apo ndonjëri nga krerët e saj si dëshmitar të rasteve, apo edhe të involvuar edhe vet në vrasjet e ndodhura në çfarëdo forme qoftë.”, shpjegon Qarri.

Qarri shprehet se dëshmitë e të akuzuarve ndaj njëri-tjetrit do të dikojnë në fundosjen e tyre nga Gjykata Speciale.

“Kështu që dëshmitë që do të ofrohen në procesin e gjykimit i cili pritet të zgjasë më se pesë-gjashtë vite në Hagë, jo vetëm që pritet ta ndihmojnë në masën më të madhe zbardhjen e të vërtetës së hidhur të vrasjes së shqiptarëve nga dorasit shqiptarë, por do të fundosin edhe disa nga të vet krekosurit si udhëheqës të LDK-së pas vdekjes së Dr. Ibraim Rugovës, të cilët tani po shihet më shumë se kurdoherë më parë se ata vërtetë kishin një hall të madh që LDK-në e Rugovës si partia e parë dhe më e madhja në vend, e kthyen në filiale të Hashim Thaçit dhe përdornin flamurin e saj për të punuar për PDK-në, dëshmi për njëri tjetrin që nuk do t'i fundosin vetëm të akuzuarit, por edhe koleboratorët nga LDK”, nënvizon Qarri.

Për fund, Qarri pret nga Gjykata Speciale zbulimin e shumë sekreteve, të cilat tash e 23 vite kanë mbetur të pazbuluara.

“Kështu që Gjykata Speciale, përfundimisht pritet të zbuloje shumë sekrete edhe në qoftë se jo të gjitha, të cilat kanë mbetur enigmë tash e 23 vite me radhë dhe mund ta habisin e lënë gojë hapur shumë kënd me të paditurat e mbyllura hermetikisht dhe të mbuluara me plafin e frikës e të manipulimeve të gjithfarëllojshme për kaq shumë kohë e vite të kaluara”, thotë për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

Vrasjet politike, plaga më e madhe për Kosovën

Image
Faton Mehmeti

E sipas analistit Faton Mehmeti, vrasjet politike janë plaga më e madhe që rëndon mbi Kosovës.

“Dua të besoj, ashtu si edhe familjarët e viktimave për zbardhjen e të vërtetës së vrasjeve të anëtarëve të LDK. Kjo është plaga më e madhe për Kosovën , me shpresën se e vërteta do të dal në pah në Hagë. Nëse gjykata Speciale arrin të vërtetoje se të akuzuarit dinin për këto vrasje apo ishin vet urdhërdhënësit, atëherë pritet të ndodh beteja për shfajësimin e rolit të secilit nga ata duke bartur përgjegjësinë tek njeri tjetri”, thotë Mehmeti.

Ashtu si Qarri, edhe Mehmeti shprehet se Gjykata Speciale do të zbulojë vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Besoj se Specialja ka mundësi për të zbardhur të gjitha enigmat e pasluftës, për të mbyllur përgjithnjë plagën e vrasjeve. Besoj se kjo mund të ndodh më vonë, fillimisht janë dëshmitarët ata që do deklarohen, pastaj secili gjatë procesit të dëshmitarëve do mundohen të hedhin përgjegjësinë tek njëri-tjetrin”, deklaron Faton Mehmeti.

Nuk po gjykohet UÇK-ja

Kurse, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri thotë se në Gjykatën Speciale nuk po akuzohet assesi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por individët e saj të përfshirë në krime.

Image
Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri

“Një fillim normal i një procesi gjyqësor nga një institucion i drejtësisë siç është Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, një zhvillim i pritur që nga themelimi i këtij institucioni të drejtësisë nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 e sidomos me zhvillimet e nëntorit të vitit 2020, kur edhe u arrestuan u paraburgosën disa nga ish-liderët apo disa nga ish- udhëheqësit e UÇK-së. Ajo që ka rëndësi në fjalën e prokurorisë ishte se ky proces nuk është proces kundër UÇK-së apo për UÇK-në, por ka të bëjë vetëm më disa individ të cilët kanë abuzuar me përgjegjësitë e tyre në periudhën e luftës në Kosovës”, nënvizon Haziri.

“Dhe po ashtu ishte shumë me rëndësi që në fjalën e prokurorit, përmenden edhe vrasjet politike , konkretisht të anëtarëve të LDK-së, dhe mbase kjo është shpresë se më në fund drejtësia do të ndodhë edhe për këto raste. Se çfarë do të ndodhë dhe se si do të zhvillohet i gjithë ky proces, do të duhet të presim dhe ta përcjellim vazhdimin e këtij procesi gjyqësor nga Gjykata Speciale”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat