“Distancimi nga UÇK-ja para Gjykatës Speciale e ka kuptimin e mbrojtjes së tyre ndaj vrasjeve dhe krimeve të bëra”

Politika

“Distancimi nga UÇK-ja para Gjykatës Speciale e ka kuptimin e mbrojtjes së tyre ndaj vrasjeve dhe krimeve të bëra”

Nga: Nehat Shaqiri Më: 8 prill 2023 Në ora: 17:58
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi

Në Hagë tashmë ka filluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aty akuzohen për krime të rënda gjatë luftës në Kosovë, ish-lideri politik i UÇK-së, dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Ky preces që sapo ka filluar thuhet se do të zgjas me vite të tëra.

Tashmë Prokuroria ka publikuar shumë dëshmi me një aktakuzë voluminoze e cila siç duket do t’i trondisë të akuzuarit.

Pas kësaj, ishte mbrojtja që kishte paraqitur dëshmitë e tyre, e që për çudi kishte filluar edhe të mohon përgjegjësinë e Shtabit të Përgjithshëm.

Në lidhje me këtë çështje, analisti politik profesor Sulejman Mehazi pohon se, këto distancime para Speciales e kanë kuptimin e mbrojtjes së tyre ndaj vrasjeve dhe krimeve të bëra.

“Distancimet e ish-krerëve të UÇK-së nga UÇK-ja para Gjykatës së Hagës e ka kuptimin e mbrojtjes së tyre ndaj vrasjeve dhe krimeve të bëra dhe nuk do ishte asesi normale të pajtoheshin e të pranonin akuzat e ngarkuar nga prokuroria e Hagës ndaj tyre”, thotë Mehazi për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se krerët e UÇK-së janë detyruar që të mbrohen nga akuzat.

“Budallallëku më i madh i krerëve të UÇK-së do të ishte sikur të pranonin akuzat e Gjyqit të Hagës, themi kështu për shkak se krerët e UÇK-së janë të detyruar që ta mbrojnë veten ndaj këtyre akuzave dhe nuk do ishte e logjikshme të pajtoheshin me akuzat e prokurorisë së Hagës ndaj tyre”, potencon ai.

“Po që se krahasojmë krimet shtetërore ushtarake, policore e paramilitare serbe në Kosovë me Ushtrinë Vullnetare, Private e Çlirimtare të UÇK-së do vërejmë se Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit moralisht ju jepet e drejta distancuese nga UÇK-ja për shkak se ka qenë forcë çlirimtare e vullnetare e jo zinxhirore shtetërore”, shton tutje ai.

Ai pohon se para gjykatësve secili person për të mbrojtur vetën do të kishte vepruar si krerët e UÇK-së.

“Të jemi të sinqertë se para vështirësive, rreziqeve e gjykatësve secili person në botë për ta mbrojtur veten do kishin vepruar njësoj sikurse krerët e UÇK-së: Thaçi, Krasniqi, Veseli e Selimi”, thekson tutje ai.

Ai shton se, për ta shpëtuar veten edhe dëshmitë e rrejshme para gjykatësve dhe prokurorisë janë të dobishme.

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Specialja e akuzon atë se së bashku me Veselin, Selimin dhe Krasniqin, dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Pavarësisht se u bë publike më 5 nëntor të vitit 2020, aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte konfirmuar më 26 tetor të po atij viti. Dy vjet më vonë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti akuza të reja, për të cilat po ashtu Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u deklaruan të pafajshëm.

Aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithsejtë dhjetë akuza. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen se së bashku me anëtarë të tjerë “të ndërmarrjes së përbashkët kriminale” kanë pasur për qëllim të marrin dhe ushtrojnë kontrollin “në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e tyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Krimet me të cilat ngarkohen në dhjetë pikat e akuzës, dyshohet se janë kryer në disa lokacione në Kosovë, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë Veriore, dhe ato sipas aktakuzës “u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

Përveç, ish-krerëve të UÇK-së, në aktakuzë përmenden edhe persona të tjerë, që pretendohet se kanë qenë pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” sikurse “Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së”.

Sipas Dhomave të Specializuara për krimet, katër ish-krerët e UÇK-së mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.

Aktakuza pretendon se në Kosovë ka pasur qendra të ndalimit në disa lokacione, sikurse në Likoc, Jabllanicë, Drenoc, Llapushnik e të tjera.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht akuzohen se kanë marrë pjesë në "kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve".

Përmes veprimeve ose mosveprimeve, sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi “së bashku me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, kryen, ndihmuan ose nxitën pjesëmarrës të tjerë për krimet e paraqitura në këtë aktakuzë”.

“Si eprorë, janë përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre. Ata dinin ose dinin arsyet se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”, thuhet në aktakuzën fillestare.

Në aktakuzë pretendohet se ish-eprorët e UÇK-së kanë kontribuar në arritjen e qëllimit “të përbashkët, ku përfshihet edhe kryerja e krimeve në këto mënyra: duke formuluar ose marrë pjesë në zhvillimin, miratimin, promovimin, shpërndarjen e planeve dhe politikave; dështimin për të ndërmarrë hapat e duhur për të parandaluar dhe hetuar krimet... e të tjera”.

Në aktakuzë përmenden disa ngjarje që pretendohet se kanë marrë pjesë të pandehurit, sikurse më 1999 ku pretendohet se Veseli, Krasniqi e Selimi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.

Një tjetër ngjarje pretendohet se ka ndodhur në korrik të vitit 1998, kur sipas aktakuzës ishin marrë peng civilë serbë pas një sulmi të UÇK-së në Rahovec dhe rrethinë. Në këtë rast, Gjykata Speciale pretendon se Thaçi, Veseli dhe Selimi ishin përfshirë në këtë operacion dhe më pas pengjet ishin dërguar në një ish-stacion policor në Malishevë, ku Krasniqi identifikohet nga organi i akuzës si person që “në një rast ka vizituar një dhomë ku po mbaheshin të ndaluarit”.

Këto akuza përfshijnë krime që pretendohet se janë kryer në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe Gjilan.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendoi se në Suharekë kanë qenë dy qendra ndalimi, “ku anëtarët e UÇK-së kanë kryer krime të përndjekjes, të burgosjes apo të ndalimit arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim çnjerëzor, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë”.

Në akuzat e reja, Prokuroria pretendoi se ka dyshime për përfshirje të drejtpërdrejtë në krime të Thaçit.

Në Suharekë, pretendohet se ndërmjet 4 qershorit dhe shtatorit të vitit 1998, 12 persona janë ndaluar në qendrat e ndalimit.

Ndërkaq, sa i përket qendrës së pretenduar në Gjilan, ajo sipas akuzës, pretendohet se ka qenë e vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti dhe aty në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999, pjesëtarë të UÇK-së kishin ndaluar “të paktën tre persona”.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime fillimisht ishin përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, që ishte hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Raporti i hapi rrugën themelimit të Speciales përmes votimit në Kuvendin e Kosovës më 2015.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat