Arifi: Refuzimi i Kurtit për t’u takuar me Ramën është politikë fëmijërore, njëkohësisht refuzim edhe i NATO-s

Politika

Arifi: Refuzimi i Kurtit për t’u takuar me Ramën është politikë fëmijërore, njëkohësisht refuzim edhe i NATO-s

Nga: Q.R. Më: 6 korrik 2023 Në ora: 09:54

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, konsideron se refuzimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për t’u takuar me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, është politikë fëmijërore e Kurtit dhe se sipas tij, njëkohësisht është edhe refuzim i NATO-s.

 “Refuzimi i Kurtit për t’u takuar me Ramën është tipike politik fëmijërore e Kurtit, pra është edhe absurditet në vete, po e refuzon kryeministrin Shqiptar është sikur ta refuzosh edhe Shqipërinë dhe njëkohësisht një vend të NATO-s, që ushtarët e Shqipërisë janë në kuadër të KFOR-it në Kosovë”, deklaron Arifi.

Arifi në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se njohurit e Ramës nuk i ka i tërë kabineti qeveritar i Kurtit, prandaj konsideron se ky refuzim është absurd.

Image
Dritëro Arifi

“Duhet me pas kujdes me këto çështje, në fund të ditës një vizitë e tillë do të ishte dobiprurëse për vet Kurtin, sepse po besoj që informatat dhe njohurit që i ka zotëri Rama nuk i ka i tërë kabineti qeveritar i Kurtit sepse është një vend i NATO-s. Shqipëria nuk është problemi, Serbia është problemi prandaj refuzimi i Kurtit është absurd”, thotë ai.

Tutje ai thotë se, Kurti me këto vendime nuk e përfaqëson vetën, por shtetin e Kosovës. Prandaj, ai thekson se kjo politikë e dërgon vendin në izolim më të thellë.

“Kurti nuk e përfaqëson veten, por Kosovën, kjo politikë po na dërgon në izolim edhe më të thellë edhe me Shqipërinë edhe me të tjerët, duke mos parë perspektivë që Qeveria e Kosovës është e aftë për ta zgjidhur një krizë në veri të vendit”, përfundon Arifi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të jetë sot për një vizitë në Republikën e Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në vend dhe anulimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Presidentja Osmani takimin me kryeministrin Rama do të mbajë në ora 16:00, ndërkaq një takim është paralajmëruar edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Kjo është vizita e tij e parë në Kosovë, pas 14 qershorit, kur Rama anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive me arsyetimin se në rrethana të veriut të tensionuar dhe zhvillimeve në Kosovë nuk ka arsye të mbahet. Përveç takimit të sotëm të paralajmëruar me presidenten e Kosovës, Rama ditë më parë Osmanin e takoi edhe në Ulqin.

E lidhur me vizitën e Ramës, një ditë më parë foli edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

I pari i ekzekutivit të Kosovës ka thënë se Ramën do ta takoj vetëm nëse mbahet mbledhja e dy qeverive, për takime tjera jo. “Unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, por jo takime të tjera”, tha ai.

Kryeministri tha se i ka propozuar Ramës që të mbajnë mbledhjen e dy qeverive që sipas Kurtit “u anulua pa arsye”.

“Unë jam në kontakt me Edi Ramën. E di që do të vij për vizitë në Prishtinë, në kuadër të turit Ballkanik. Është thënë që ky tur ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës së Procesit të Berlinit që mbahet në muajin tetor. Miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Edi Rama që pasi do të vije e do të qëndroj dy ditë e një natë në Prishtinë, ta mbajmë mbledhjen e dy qeverive që u anulua pa arsye”, tha Kurti.

Ndryshe, Rama do të jetë në Kosovë sot pasdite pas vizitës në Maqedoni të Veriut. Pas Kosovës, Rama do të udhëtojë drejt Bosnjës, pastaj në Mal të Zi dhe në Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat