Nuk ndalen kërcënimet nga Beogradi, zbardhen prapaskenat e planeve për veriun – vjen thirrja për Kosovën

Politika

Nuk ndalen kërcënimet nga Beogradi, zbardhen prapaskenat e planeve për veriun – vjen thirrja për Kosovën

Arife Morina Nga Arife Morina Më 23 shtator 2023 Në ora: 11:52
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Serbia, nxitësja kryesore e trazirave në komunat veriore të Kosovës, ka filluar të paralajmërojë për eskalim të ri të situatës pas takimit të fundit në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.

Pas këtyre negociatave, shteti serb nuk humbi kohë dhe filloi me propagandën se kinse në Kosovë serbët po keqtrajtohen.

Ishte ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviq, që tha se pas dështimit të raundit të fundit të dialogut në Bruksel, sërish ka një situatë të tensionuar në terren ku populli serb është i ekspozuar ndaj presionit.

Vuçeviq në një paraqitje në një media serbe, propagandoi se incidentet “kanë nisur menjëherë”.

“Dy të rinj serbë janë rrahur në Graçanicë. Kurti është gati për çdo gjë. Shqiptarët vetëm do të provokojnë konflikt dhe qëllimi i Kurtit është ta pastrojë Kosovën nga serbët”, tha Vuçeviq.

Vlen të theksohet se, Serbia ka dërguar njerëz në Kosovë në tensionet e fundit për të shkaktuar dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, policëve dhe gazetarëve.

Elezi: Vërtet në vazhdimësi, ne kemi parë përpjekje të Beogradit zyrtar për eskalimin e situatës së sigurisë

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

Së pari, ai u shpreh se në vazhdimësi ka përpjeke nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse për përshkallëzim të situatës në veri.

Për këtë, ai përmendi disa nga veprimet e dhunshme që ndodhën muajve të fundit në komunat veriore të Kosovës.

“Vërtet në vazhdimësi, ne kemi parë përpjekje të Beogradit zyrtar për eskalimin e situatës së sigurisë. Madje, duke organizuar aktivitete të dhunshme të cilat sigurisht dhe duket qartë se janë të mbështetura nga strukturat sekrete të Serbisë dhe po ashtu të mbështetura nga shërbimet sekrete ruse dhe të njëjtat në vazhdimësi kanë provokuar me veprime të ndryshme.

Ne jemi mësuar që të shohim veprime të ndryshme, siç ka qenë dhuna ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe po ashtu dhuna ndaj qytetarëve serbë të cilët janë lojal ndaj institucioneve të Kosovës”, deklaroi ai.

Elezi bazuar në veprimet e fundit të veri, vlerëson se Vuçiq në vazhdimësi do që situata të jetë e trazuar në këtë pjesë të Kosovës, derisa kërkoi nga institucionet tona të bashkëpunojnë me ndërkombëtarët.

Image
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

“Së fundmi, tani pamë edhe një granatë hedhëse e cila është shpërthyer në orët e mëngjesit, përkatësisht në veri të Mitrovicsës, situata si kjo vërtetë të bënë të mendosh se Serbia në vazhdimësi dëshiron ta mbajë situatën e sigurisë të trazuar në territorin e Republikës së Kosovës duke organizuar veprime të tilla.

Por, ne duhet të kemi në konsideratë dhe parasysh faktin se për këto veprime institucionet e Kosvës do të ndërmarrin veprime ligjore dhe do të merren të gjitha aktivitetet për t’I parandaluar ato. Ndër të tjera, duhet të bashkëpunojmë ngushtë me institucionet e zbatimit të ligjit ndërkombëtarë të cilat veprojnë në territorin e Kosovës, siç janë KFOR-i, EULEX-i dhe UNMIK-u”, theksoi eksperti i sigurisë.

Më tej, ai kërkoi nga institucionet e Kosovës që të fokusohen në mbledhjen e provave, të cilat dëshmojnë se shërbimet sekrete serbe janë të përfshira në aktivitetet kriminale ne veri të vendit.

Sipas tij, në këtë mënyrë edhe do të ulej niveli i dhunës dhe krimeve në veri, pasi Beogradi do tërhiqje, në momentin kur provat do t’i paraqiteshin ndërkombëtarëve.

“Ne duhet të kemi parasysh, se Beogradi në vazhdimësi do të tentoj të bëjë veprime të tilla dhe duhet t’i ndjekimi përmes strukturave të inteligjencës dhe t’i argumentojmë para faktorit ndërkombëtar, veçmas para shteteve të cilat mbështesin qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj për zbatimin e ligjit. Dhe, së bashku të organizuar të marrim veprime konkrete për të vendosur para përgjejgësisë të gjithë personat apo grupet të cilat organizojnë aktivitete të dhunshme, të njëjtit të nxjerren para drejtësisë dhe të marrin dënimet e merituara.

Vetëm në momentin kur strukturat sekrete të Serbisë që veprojnë në territorin e Kosovës, veçmas në katër komunat me shumicë serbe, do të kenë parasysh se institucionet e sigurisë të Kosovës kanë kapacitete për t’i sjellë para faktorit ndërkombëtarë provat dhe argumentet se strukturat e Serbisë, siç janë BIA dhe shërbimi inteligjent ushtarak janë përfshi në aktivitete të dhunshme, atëherë besoj që ne do kemi një mundësi që të kemi një aktivitet më të vogël kriminal, apo ndoshta edhe një tërheqje të Beogradit zyrtar, kur e di që Kosova ka mundësi që të demonstrojë provat para miqve të saj se Serbia vërtetë po organizon aktivitete të dhunshme në territorin tonë”, vlerësoi Elezi.

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë shtoi se AKI duhet të bashkëpunoj ngushë me strukturat e tjera të sigurisë siç janë FSK dhe Policia e Kosovës, në mënyrë që të sigurohen provat e padiskutueshme kundër shërbimeve sekrete serbe.

"Deri më tani, kemi pasur deklarata të ministres së Jashtme, kryeministrit, presidentes dhe gjithë strukturave udhëheqëse të Republikës së Kosovës, të cilat kanë akuzuar Beogradin që qëndron prapa këtyre aktiviteteve, po që në fakt nuk kemi arritur që të sjellim prova të cilat do dëshmonin para faktorit ndërkombëtar përfshirjen e drejtpërdrejt të strukturave inteligjente të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Kësisoj, ne duhet të punojmë shumë, sidomos AKI, duhet të punojë shumë me inteligjencën e Policisë së Kosovës dhe strukturat e sigurisë të cilat merren me çështjet e sigurisë brenda FSK-së, siç janë G2 dhe S2. Kjo në mënyrë që të arrijmë të sigurojmë prova të padiskutueshme dhe t’i demonstrojmë para faktorit ndërkombëtarë, pse jo edhe para Prokurorisë dhe Gjykatës së Kosovës për të vepruar në zbatimin e ligjit duke ndjekur penalisht të gjithë personat apo grupet të cilat do të organizonin veprime të dhunshme në territorin e Kosovës”, përfundoi Bedri Elezi për “Bota sot”.

Qarri: Serbia në vazhdimësi, ka qenë nxitësi kryesor i trazirave në veri të vendit tonë

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se që nga ardhja e Vuçiqit në pushtetin e Serbisë, atmosfera ka qenë e tensionuar.

Ai tha se presidenti serb nuk u mjaftua vetëm me nxitjen e serbëve në veri kundër Kosovës, por edhe përfshiu dy organizata kriminale serbe për të destabilizuar situatën.

Image
Analisti politik, Gani Qarri

“Në fakt që nga ngjitja në pushtet e pasardhësit të Millosheviqit, më 2012, edhe në vet Serbinë pasmillosheviqiane, u vendos sistemi autoritar i sundimit dhe nga Aleksandër Vuçiqi u kontaminua atmosfera politike në të gjitha drejtimet, duke kufizuar në mënyrë drastike edhe nivelin e lirisë së medies e të shprehjes së fjalës së lirë, siç konsiderohet edhe nga raportet ndërkombëtare, atmosferë e cila përmes dorës së zgjatur të Serbisë si e ashtuquajtura "lista serbe", po transferohet me dhunë edhe në veri të Kosovës.

Mirëpo duket se ministrit për informim të Millosheviqit, dhe presidentit aktual të Serbisë hegjemoniste, të përkëdhelurit të BE-së, Aleksandër Vuçiq, nuk i mjaftoi vetëm mbjellja e atmosferës armiqësore tek serbët në veri, ndaj ngriti ekstra edhe dy organizata të dyshimta kriminale serbe, tanimë të shpallura terroriste, nga Qeveria e Kosovës, si të ashtuquajturat "mbrojtja civile" dhe "brigada e veriut" për organizimin dhe kryerjen e veprimeve kriminale dhe terroriste, që nga hedhja e shokbombave deri te plagosja e policëve, e madje edhe organizimi i sulmeve grupore kundër forcave të KFOR-it dhe EULEX-it, si me rastin e ngjarjeve të majit, kur nga kriminelët serb në komunën e Zveçanit u plagosën mese 93 ushtar të forcave paqeruajtëse të NATO-s, dy prej të cilëve nga plagët e rënda, thuhet se iu amputuan edhe këmbët”, deklaroi analisti.

Qarri përmendi edhe arrestimet që po bëhen nga Policia e Kosovës në komunat ku janë shumicë serbe, e që tash para drejtësisë i kanë nxjerrë disa të dyshuar.

“Por gati katër muaj pas përleshjeve të dhunshme, nga grupet e organizuara kriminale serbe në veri të Kosovës, të inskenuara në mënyrën më meskine, në koordinim me BIA-në e Serbisë, përderisa Policia e shtetit tonë, ka arritur t’i arrestojë dhjetë serbë të dyshuar për sulmet kriminale ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, Angelo Ristuçia, këto ditë deklaroi se e di që autoritetet e Kosovës janë duke punuar edhe më tej në këtë drejtim dhe pret që të gjithë autorët e dhunës “të ndiqen penalisht, më 19 shtator, ai kërkoi publikisht edhe nga "Serbia" që t’i nxjerr para drejtësisë autorët e sulmeve kriminale, të cilët pas trazirave të organizuara në veri të Kosovës, kanë ikur në Serbi, të cilët në fund të muajit- maj, plagosën mbi 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë.

Madje siç shprehet edhe pjesëtari i Forumit joqeveritar për Marrëdhënie Etnike në Serbi, Dushan Janjiq, tanimë dihet saktësisht se kush ishte në veri të Kosovës ato ditë, siç dihet gjithashtu, se ata nuk kanë mundur të veprojnë pa koordinim me Listën Serbe dhe me Serbinë, ndaj mund dhe duhet të bëhet arrestimi i tyre”, theksoi ai.

Në vazhdim, analisti u shpreh se shteti serb ka qenë nxitësi kryesor i trazirave ndër vite në veri të Kosovës, ku fatkeqsisht kishe edhe vrasje e plagosje të shumta.

Ai tha se autorë të këtyre sulmeve ishin organizatat terroriste “mbrojtja civile” dhe “brigada e veriut.

“Por megjithëse këto nuk ishin sulmet e para as të fundit kriminale, në fakt siç dihet tanimë botërisht, Serbia në vazhdimësi, ka qenë nxitësi kryesor i trazirave në veri të vendit tonë, ku janë vrarë edhe policë të Kosovës si Enver Zymberi, si dhe ushtarë të KFOR-it, por që deri më tani, kurrë nuk janë zbuluar dorasit, nuk është vendosur askush para drejtësisë dhe asnjeri, nuk ka marrë dënimin për asnjërën nga vrasjet e lartcekura, ani pse dihet po ashtu shumë mirë se pjesëmarrës në të gjitha sulmet kundër KFOR-it dhe autoriteteve të Kosovës ishin pjesëtarët e organizatave terroriste “mbrojtja civile” dhe “brigada e veriut!

Kjo u vërtetua edhe njëherë më tepër, me rastin e arrestimit të Millun Millenkoviq, me 13 qershor nga Policia e Kosovës, i cili është njëri nga liderët e formacionit terrorist “mbrojtja civile” dhe lider i grupeve kriminale që me vite kanë terrorizuar qytetarët, e minoritetit serb dhe ata shqiptar në veri, si dhe kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, në vijimësi, deri në kapjen e tij dhe të disa prej kriminelëve, si dhe ikjen e pjesëtarëve të organizatave terroriste “mbrojtja civile” dhe e ashtuquajtura “birgada e veriut” në Serbi”, nënvizoi Qarri.

Më tej, shtoi se Vuçiq nuk po merr parasysh thirrjet e Amerikës për ruajtje të qetësisë, por bashkë me Borell dhe Lajçak po paralajmërojnë rieskalim të situatës në veri.

Madje, tha se sulmi me grantë ushtarake në Mitrovicë të Veriut dëshmon se presidenti serb nuk po përfill kërkesat për paqe, por po nxit dhunë.

“Por si duket storja e këtij filmi tragji-komik me autor Aleksandër Vuçiqin e Milan Radojçiqin dhe regjisor e skenarist BIA-n e Serbisë, ende nuk ka përfunduar, madje, përkundër thirrjeve nga SHBA, për ruajtjen e qetësisë, vet Aleksandër Vuçiq, tanimë në kor edhe me ndërmjetësuesit e BE-së, kanë filluar bashkërisht të bëjnë paralajmërime serike për eskalim të ri të situatës, veçanërisht pas takimit pa rezultat, me 14 shtator ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë në Bruksel.

Për aq më tepër habit shumë fakti, se si Serbia përkundër thirrjeve nga SHBA, për mos ndërmarrjen e hapave që tensionojnë situatën, rasti i hedhjes së granatës, në mbrëmjen e të enjtes së 21 shtatorit, në Mitrovicën veriore, dëshmon se kriminelët serb të dirigjuar nga Vuçiqi, as që përfillin kërkesat ndërkombëtare, dhe me gjithë ledhatimet e vazhdueshme që BE dhe SHBA i bëjnë Serbisë hegjemoniste, nëse arrin, krimineli Vuçiq ka serish në plan, tendosjen e gjendjes, përmes bandave të Milan Radojçiqit dhe organizatave të ndaluara terroriste serbe, në veri të Kosovës”, shpjegoi analisti.

Ndër të tjera, paralajmëroi se Vuçiq-Borell-Lajçak do të tentojnë të prishin paqen e krijuar tash e tre muaj në komunat veriore të Kosovës.

“Akti i të enjtes në veri, flet publikisht, se kërcënimet publike në kor, të Mirosllav Lajçakut, Josep Borellit dhe të vet Aleksandër Vuçiqit, janë grishje e kriminelëve për krim dhe probleme të reja politike dhe se thirrjet e tyre, nuk do të mbeten vetëm fjalë, por ata gjithsesi do të provojnë të bëjnë të pamundurën, madje edhe çdo gjë që është në dorën e tyre, në mënyrë që pas vendosjes së një qetësie shembullore rreth tre mujore dhe paqeje të mrekullueshme që po mbretëron, si asnjëherë më parë, pas më tepër se mbi dy dekadave, në veri, ata me çdo kusht, duan ta prishin paqen dhe qetësin e krijuar kaq spontanisht dhe pa ndërmarrjen e asnjë mase të dhunshme, ndërmjet minoritetit serb dhe shqiptarëve autokton, në këtë pjesë të pandashme të vendit tonë, duke nxitur grupet kriminale dhe pjesëtarët e organizatave terroriste, serish për veprime armiqësore, në këtë pjesë legjitime të shtetit të Kosovës”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat