“Kosova gjendet në situatë konfliktuoze me Serbinë”/ Eksperti i sigurisë tregon “zgjidhjen” për të dalë nga kjo situatë

Politika

“Kosova gjendet në situatë konfliktuoze me Serbinë”/ Eksperti i sigurisë tregon “zgjidhjen” për të dalë nga kjo situatë

Nga: A.SH Më: 23 shtator 2023 Në ora: 13:59
Lajçak, Kurti, Escobar

Pas kryemisnitrit Albin Kurti edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka komentuar deklarimet e kryeministrit, tha se pohimet e Kurtit, i cili tha se Lajçak është ndërmjetës i njëanshëm, nuk mund të quhen akuza, ashtu siç i cilësoi Bashkimi Evropian.

Ai mbështet deklarimet e Kurti duke thënë se “Së pari, nuk mendoj që ato ishin akuza. Ishin disa konstatime të mënyrës së punës së Lajçakut. Është vërejtur, thënë të drejtën, qysh në fillim që Lajçak qëndrimet të cilat i artikulon, më shumë janë, le të themi, marrje e pozicionit të Serbisë fillimisht, e pastaj përpjekje që përmes mekanizmave të ndryshëm edhe formulimeve që ai i qetë në zgjidhjet që i propozon, të mund të jenë pikënisje e pozicionit të Serbisë, se si të mund të akomodojë në mënyrë sa më të përshtatshme pozicionimin e Serbisë”, tha ai.

Ekspreti i sigurisë Hajrullah Tërnava në një përgjigje për “Bota sot” thotë se Kosova gjendet në situatë konfliktuoze me Serbinë.

Ai thekson se edhe dialogu që po zgjat tash e sa vite po rezulton pa ndonjë sukses.

“Situata politike në të cilën tani ndodhet Kosova, është që kërkon kohë për zgjedhjen e problemit konfliktuoz me Serbinë, sepse po kjo Serbi e cila në vitin 1999 ishte bombarduar nga NATO, si shkak humanitar që ta shpëtojë Kosovën nga ato veprime kriminale që Serbia i kryente masakra dhe gjenocid ndaj popullit shqiptar, edhe që tani kanë kaluar mbi 23 vite dhe Kosova është e lirë me ndihmën e NATO-së, tani sovranitetin e Kosovës e garanton KFOR-i si pjesë përbërëse e NATO-së që është.

Ndërmjetësimet që po i udhëheqin përfaqësuesit e shteteve të BE mes Serbisë dhe Kosovës që nga çlirimi e deri më tani, po nënkuptojnë se janë të vështira dhe pa një sukses të dukshëm.

Ndonëse që pavarësinë e Kosovës e kane njohur 118 shtete të botës, megjithatë një pajtim me Serbinë është shumë i nevojshëm, sepse në ato pjesë të veriut që janë të banuara me serbë, e që Serbia për këtë arsye ka pretendime që ato pjesë t’i bashkëngjiten Serbisë, sepse në ato pjesë shtrihet Trepça si pasuri nëntokësore e Kosovës dhe Ujmani që janë pjesë shumë të vlefshme të Kosovës”, thotë ai.

Image
Hajrullah Tërnava

Më tej, ai shprehet Kosova duhet ta ketë durimin deri në mbarimin e këtyre bisedimeve, duke shtuar se edhe emisarët i kontrollon dikush, megjithëse këto politika duhen të jenë të udhëhequra dhe të ndërmjetësuara në mënyrë profesionale nga Amerika dhe BE .

“Dialogimi që po zgjat tash e shumë vite, të cilin po e udhëheqin dy përfaqësues që shtetet e tyre nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sikur Lajçak nga Sllovakia dhe Borrell nga Spanja, e që në këto bisedime janë vet ata aktiv dhe herë herë në ato bisedime popullatës së Kosovës iu përngjajnë që Serbisë po ia “mbajnë krahun”.

Pas kritikave që i bëri Kurti Lajçak-ut, edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se Lajçak po e kryen punën në mënyrë të papërgjegjshme. Këto të thëna janë dyshime të shumë kosovarëve, por nëse është definicioni i politikës se “politika është art i të së mundshmes” atëherë kosovarët duhen ta kenë durimin deri në mbarimin e këtyre bisedimeve, sepse edhe këta përfaqësues të këtyre dy shteteve janë nën kontrollin e atyre që i kanë emëruar t’i udhëheqin këto bisedime, e që e kanë për qëllim që Serbinë ta bindin që të mos jetë përkrahëse e Rusisë, e cila mbi një vit e gjysmë e ka bërë agresion ndaj Ukrainës, prandaj këto politika duhen të jenë të udhëhequra dhe të ndërmjetësuara në mënyrë profesionale nga Amerika dhe BE për të arritur ato qëllime që lufta mos të eskalojë dhe mos të zgjerohet, dhe të arrihet një pajtim efikas mes shteteve Serbi-Kosovë.

Është normale që kryeministri Kurti duhet në mënyrë dinjitoze ta mbrojë çdo cep të vendit tonë se për këtë e obligon kushtetuta dhe me mënyrën si është duke i udhëhequr bisedimet në interes të Kosovës e ka përkrahjen e çdo shteti tjetër, sepse populli që ia ka dhanë votën me mbi 51% e ka obliguar që t’ua mbron interesat e shtetit te Kosovës”, thotë ai.

Por, Tërnava në fund thotë se, për t’i ardhur fundi më shpejt dialogut duhet të angazhohet vet SHBA, duke shtuar në këtë situatë të këtyre dialogjeve do të ndikojë edhe situata luftarake e Rusisë dhe e Ukrainës.

“Çështja se a duhet të zëvendësohet Lajçaku, si edhe Borrelli, politikanët tonë nuk duhet të merren me këtë çështje, sepse ata janë në lidhje të vazhdueshme me ata që ju japin urdhra sepse përfundimi i bisedimeve varet se si do të jetë, por ata që i kanë emëruar në ato poste e dinë mirë shkakun dhe pa qenë ata të besueshëm të tyre, ata s’do te emëroheshin në ato poste.

Dialogu do të vazhdohet deri të përfundojnë me sukses ato bisedime për t’u realizuar marrëveshja e Ohrit, por mund të ketë ndryshime dhe angazhime edhe të tjerë ndërmjetësuesve, apo një rol më aktiv mund ta ndërmerr vet Amerika për t’i dhënë fund këtyre bisedimeve të pafundme deri më tani. Por, gjithnjë në këtë situatë të këtyre dialogjeve do të ndikojë edhe situata luftarake e Rusisë dhe e Ukrainës, e që shihet qartë se Ukraina duke e pasur përkrahjen e shumë shteteve të botës në krye me Amerikën, ajo do t’ia arrijë qëllimit të saj, dhe t’i kthej ato vende që ia kishte okupuar Rusia vite më parë Ukrainës, sepse ditëve të fundit po shihet qartë lufta e ashpër e Ukrainës ndaj Rusisë dhe dëmet që është duke ia shkaktuar”, përfundoi Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat