Zgjedhje të reja në situatë të “jashtëzakonshme”, paralajmërohen PDK, LDK e AAK: Do pësojnë debakël zgjedhor!

Politika

Zgjedhje të reja në situatë të “jashtëzakonshme”, paralajmërohen PDK, LDK e AAK: Do pësojnë debakël zgjedhor!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 6 tetor 2023 Në ora: 18:47
Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Seancat e fundit në Kuvendin e Kosovës kanë dështuar të mbahen në mënyrë të mirëfilltë për shkak të mungesës së kuorumit.

Marrëveshjet ndërkombëtare, për votimin e të cilave duhen 80 vita nuk po arrijnë të votohen, pasi partitë opozitare me përjashtim të LDK-së, nuk po marrin pjesë në votim.

Kjo ka nxitur përplasje të ashpra mes pozitës dhe opozitës, të cilat nuk po ia votojnë marrëveshjet dhe rezolutat e propozuara njëra-tjetrës.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në punimet e seancës pasi nuk u votua rezoluta e PDK-së ku u kërkua mbështetja ndaj policisë.

Madje, PDK kërkoi zgjedhje të reja dhe sipas shefit të grupit parlamentar të saj edhe mund të diskutohet data e zgjedhjeve të reja.

Në anën tjetër, për sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, në momentin që ju jeni të gatshëm që të ulemi e ta diskutojmë datën e zgjedhjeve, edhe ne do të jemi të gatshëm të ulemi dhe të diskutojmë për mbështetjen e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Tahiri.

Është befasuese se si në situatën që jemi tani, ku ende po hetohet sulmi terrorist i Serbisë po kërkohet me ngulm mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Mehazi: Është absurde për vetë PDK-në e Abelard Tahirit të kërkojë zgjedhje të reja

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Së pari, ai e cilësoi absurde kërkesën e PDK-së për zgjedhje të reja, në këtë kohë kur situata në veri të Kosovës është temë qendrore.

Është absurde për vetë PDK-në e Abelard Tahirit të kërkojë zgjedhje të reja, pikërisht, në momentin kur policia e qeverisë së Kosovës jo që eliminoi në mënyrë të pabesueshme e mahnitëse terroristët serbë të Radoiqiçit dhe Vuçiqit, por mposhti dhe zërat kritike të partive opozitare PDK-në, LDK-në e AAK-në”, deklaroi profesori.

Sipas Mehazit, zgjedhjet e reja do t’i fuqizonin ende më shumë Kurtin dhe Osmanin, derisa partitë opozitare do pësonin debakël zgjedhor.

“Abelard Tahiri dhe partia e tij duhet ta kenë të qartë se zgjedhjet e reja do jenë në dëm të partive opozitare dhe se votuesit e Kosovës do fuqizonin dhe më shumë LVV-në e Albin Kurtit dhe partinë e Vjosa Osmanit, të cilët me moralin dhe ndershmërinë politike dita ditës bëhen më të besueshëm e më të dashur para qytetarëve të Kosovës dhe se gjatë zgjedhjeve të ardhshme partitë opozitare të Kosovës do marrin përgjigjen e debakleve zgjedhore”, theksoi ai.

Ndër të tjera, profesori shtoi se opozita është e ‘verbëruar’, pasi me zgjedhjet e reja do të shkojë drejt ‘zhdukjes’ së saj.

Partitë opozitare aq janë të verbuar saqë mendojnë se qytetarët e Kosovës i duan e do i votojnë duke mos logjikuar se jo që nuk do mund fitojnë, por do shkojnë drejt zhdukjes së tyre. Pastaj mbajtja e zgjedhjeve parlamentare pas sulmit të terroristëve serbë në veri e ka kuptimin e realizimeve politike të presidentit të Serbisë, Vuçiqit, i cili pas humbjes turpëruese e qyqare të terroristëve të tij në Banjskë, zgjedhjet e reja në këtë situatë humbëse për terroristin e Serbië, Vuçiqin, do ishin satifaksione freskuese psikologjike për shkak se aq keq e rëndë është traumatizuar nga debakli i terroristëve të tij serbë në Banjskë nga policia e Albin Kurtit”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Mulliqi: Asgjë të re dhe shumë pak pozitive nga kjo opozitë e cila, nuk është duke bërë opozitarizëm në mënyrën e duhur ndaj pushtetit

Kurse, analisti politik, Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se opozita me qasjen e saj nuk po jep asgjë pozitive dhe të re.

Image
Skënder Mulliqi

Ai u befasua se si edhe në një situatë të tillë tensionuese me Serbinë, kërkojnë zgjedhje të reja.

Asgjë të re dhe shumë pak pozitive nga kjo opozitë e cila, nuk është duke bërë opozitarizëm në mënyrën e duhur ndaj pushtetit. Është e çuditshme se si edhe në rrethanat e krijuara pas aktit terrorist të Serbisë me strukturat kriminale të tyre, ku rrezikuan seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës në veri. Kishim ngjarje në këtë pjesë të vendit me bollëk të sponzorizura nga Serbia e Vuçiqit që më dhunë të bënë fakt të kryer ndarjen e Kosovës. Në një hark kohor shumë të shkurtër duke mos i përmendur dhunën e shfrenuar të bandave serbe ruse në veri më herët, ishte ngjarja kur serbët morën pretekst zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, të cilat nuk i pranuan si legjtime, duke protestuar dhe duke ushtruar dhunë ndaj organeve tona policore dhe KFOR-it më ç’rast u lënduan shumë prej tyre, kurse bandat terroriste të Vuçiqit dhe të Radoiçiqit e Rakiqit, shpëtuan lehtë. Por, kjo nuk ndodhi në aktin terrorist të Banjskës, ku grupi terrorist i drejtuar nga Vuçiqi dhe Putini pësuan humbje të rëndë. Për fat të keq, në këtë rast nga radhët tona humbi jetën rreshteri policor i Kosvës. I përmenda këto raste ku seriozisht u rrezikuam si shtet, dhe ende rreziku i luftës nuk ka kaluar me Serbinë fashiste”, deklaroi ai.

Sipas tij, opozita në këto rrethana emergjente, po e pret rastin që ta rrëzojë qeverinë Kurti. Duke, thënë se për këtë duket më e angazhuar PDK, e cila po kërkon zgjedhje të reja.

Opozita përmes krerëve të saj bëri disa reagime sporadike, jo të mjaftueshme për situatën e krijuar shumë eskaluese. Madje, ajo sikur po pret rastin e volitshëm që të rrëzon qeverinë Kurti, e cila sipas mendimit tim është duke punuar mirë sidoms në planin e jashtëm politike pa asnjë gabim. Edhe në këto raste kur gjendja është emergjente, kur kërkohet bashkim i forcave politike në rreshtim të qeverisë, jo për ta mbrojtur atë por Kosovën, po vazhdojnë më avazin e vjetër të të bërit opozitarizëm. Si duket bajrakun në këtë drejtim e ka marr shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili pareshtur po kërkon zgjedhje të lira”, shpjegoi Mulliqi.

Më tej, analisti shtroi pyetje se pse pikërisht në këtë kohë, partitë opozitare dëshirojnë zgjedhje të reja?

Ai tha se kjo është absurd dhe nuk i ndihmon Kosovës. Por, edhe në rast të zgjedhjeve të reja, vlerëson se partitë opozitare do pësojnë humbje të thellë.

Bie pyetja logjike pse bash në këtë situatë. Po lihet përshtypja në opinion se Tahiri, sikur po dëshiron që ta marrin pushtetin, dhe të bëjnë faktike implementimin e Asociacionit të viteve 2013 dhe 2015 të nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa. Kjo është jo vetëm absurditet, por është për studim një logjikë e tillë. Bojkotimi i seancës të kuvendit për të votuar ligjet e karakterit ndërkombëtar, me justifikim apo me ultimatum të Tahirit, që të mbahen zgjedhjet, kjo është deklaratë sharlatanske dhe aspak e menduar mirë politikisht. Po e zëmë se vendi do të shkojë në zgjedhje të reja, edhe pse opozita nuk i ka votat. Abelardi dhe abelardët e tjerë do të humbin në mënyrë katastrofale, madje mund të vjen në shprehje thënia e kryeministrit të Kosovës, se opozita edhe mund të zhduket. Ne zotëri Tahir kemi punë shumë më të mençura nga ajo që t’i po propozon. Kemi ende shumë punë më Serbinë e cila nuk po lë gurë pa lëvizur për ndarje të Kosovës. Pastaj, ende nuk e kemi fituar krejt luftën diplomatike, kur BE-ja deri me ngjarjet e fundit ishte më shumë në bisedime në krahun e Vuçiqit, për çka edhe u ndëshkuam të themi pa asnjë lidhje dhe pa asnjë faj nga BE-ja”, nënvizoi ai.

Në fund, Mulliqi kërkoi nga opozita që në vend të zgjedhjeve të reja, ta mbështesin qeverinë në përballjen e saj me Serbinë dhe sulmet e saj terroriste.

Ngjarjet e fundit në veri lakuriqësuan në tërësi apetitet gllabëruese të Rusisë dhe të Serbisë ndaj tokave shqiptare, duke rrezikuar edhe paqen dhe sigurinë në rajon. Kjo sikur e shtyni bashkësinë ndërkombëtare që të ndërron qasje ndaj Serbisë së Vuçiqit, ku pritet që ky shtet të dënohet me masa të rrepta ekonomike, kurse Kosovës t’i hiqen. Prandaj, mirë do të ishte që opozita t’i bashkohet pozitës, duke u larguar nga roli destruktiv të cilën me zell po e luan. Kosova është para se gjithash. Dhe, në fund, më këtë qasje ndaj pushtetit siç po pretendon PDK përmes Abelard Tahirit, veç sa po e forcojnë edhe më shumë pushtetin”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat