“Deklarata bombastike”/ Alarmon veprimtari nga Amerika: Vizita e Stoltenbergut në Kosovë s’ishte rastësi, ja çka pritet të ndodhë

Politika

“Deklarata bombastike”/ Alarmon veprimtari nga Amerika: Vizita e Stoltenbergut në Kosovë s’ishte rastësi, ja çka pritet të ndodhë

Nga: A.Zh Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 10:14
Pamje nga lufta në Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka tërhequr së fundmi vërejtjen se Rusia planifikon të ndezë një luftë në Ballkan, me qëllim për të shkëputur vëmendjen nga lufta e saj 20 mujore me Ukrainën.

Ai ka paralajmëruar se planet e Rusisë janë të gjata.

“Më besoni, ne marrim informacione. Rusia ka një plan të gjatë: Lindja e Mesme, shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani. Nëse shtetet e botës nuk bëjnë gjë tani, do të ketë një tjetër shpërthim dhe kjo nuk është asgjë e re. Rusia do të investojë për të siguruar që një vend në Ballkan të luftojë një tjetër”, ka deklaruar Zelensky.

Image
Ramazan Bekteshi

Duke komentuar këtë zhvillim, veprimtari nga Amerika Ramazan Bekteshi, ka pyetur nëse kjo vërejtje e Zelenskyt, i drejtohet ndërkombëtarëve, që të mos zihet në befasi, siç ndodhi me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe me sulmet e Hamasit në Izrael.

Njohësi i çështjeve politike, nuk e përjashton mundësinë që Serbia sërish të tentojë sulme në Kosovë, gjatë muajve të ardhshëm.

“Kjo deklaratë bombastike e Zelenskyt nuk është sqaruar se ku i bazon faktet dhe a ka prova. A është kjo një vërejtje që i bëhet bashkësisë ndërkombëtare që mos të zihet në befasi, ashtu siç u zu në Banjskë dhe po ashtu nga sulmi i Hamasit, që pastaj Rusia t’i ketë duart e lira në Ukrainë. Analistë të gazetave me famë botërore, janë të mendimit se Rusia është shkaktarja e dy vatrave të reja, asaj në Izrael dhe Gaza me ndihmën e Iranit, dhe tentimi i agresionit paramilitar nga Serbia në Banjskë, që fatmirësisht dështoi, por që nuk përjashtohet mundësia për t’u ripërsëritur në muajt në vijim. Andaj, vërejtjet e vazhdueshme të Kurtit dhe Osmanit te bashkësia ndërkombëtare janë valide dhe frenuese për një agresion të ri të mundshëm serb”, është shprehur Bekteshi për gazetën “Bota sot”.

Ai e ka vlerësuar si “jo të rastësishme” edhe vizitën e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Kosovë Jens Stoltenberg, me 20 nëntor në Prishtinë. Ky i fundit ka thënë se aleanca po shqyrton nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.

“Tani ne po shqyrtojmë nëse duhet të kemi shtim të përhershëm për t’u siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë ndonjë dhunë në Kosovë, apo në rajonin e gjerë. Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Aktualisht, ne jemi duke shqyrtuar rregullimet rreth pranisë sonë”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas Bekteshit, vizita e sekretarit të NATO-s, erdhi pas deklaratës së Zelenskyt.

“Vizita e Sekretarit gjeneral të NATO-s në Kosovë e Ballkan nuk ishte një rastësi, por e bazuar në të dhënat e inteligjencës së Aleancës, në ankesat e shpeshta të kryeministrit dhe kryetares së Kosovës, por dhe duke u ndihmuar kjo çështje po ashtu edhe nga deklarata e fundit e Zelenskyt për Ballkanin”, ka thënë Bekteshi.

Analisti, ka përmendur edhe shtetet, të cilat, pos Kosovës, janë në radarin e Rusisë për konflikte të reja.

“Se në “radarin” rus është edhe Kosova dhe se ajo ka gisht në nxitjen e agresionit paramilitar të Banjskës, s’ka më dyshime. Kremlini bashkëpunon ngushtë edhe me Dodikun për ta ndarë Republikën Serbe nga federata e Bosnjës. Pos Bosnjës dhe Kosovës, Mali i Zi është i rrezikuar fort edhe pse është anëtar i NATO-s. Në qeverinë e Malit të Zi janë infiltruar njerëz të rrezikshëm të Serbisë në stilin e kuajve të Trojës për ta minuar sovranitetin e Malit të Zi, sepse nga konfiguracioni etnik ky shtet është vulnerabilë. Ajo, tradhtia, që ia bëri Abazoviqi me priftërinjtë serb - Malit të Zi, vazhdon edhe me qeverinë e re pro serbe, dhe ndikimi rus në këtë shtet edhe përmes investimeve është i madh, por jo i vetëm.

Pra, fushata okupuese ruse në Ukrainë, është me shumë të meta dhe ka ngec keq, prandaj kjo e detyron Rusinë të nxisë konflikte dhe luftëra të reja në ato rajone dhe në ato shtete ku situata e sigurisë është e brishtë për një kohë të gjatë, me qëllim që të devijojë vëmendjen e opinionit botëror nga Ukraina në rajone tjera siç po ndodh tani me Izraelin dhe Hamasib. Paralajmërimi i Zelenskyt për sfida të reja të mundshme që do të pasojnë mund të jetë i saktë”, ka theksuar më tej Ramazan Bekteshi.

Ai ka vlerësuar se në Ballkan po përhapen shumë dezinformata dhe propaganda serbo-ruse, si dhe komplote kundër Kosovës, edhe përmes mediave të paguara.

“Tanimë, u bë një kohë e gjatë kur Ballkani është përfshirë në një luftë të pabarabartë të propagandës serbo-ruse, me një qëllim të vetëm që të përhapen sa më shumë dezinformata, për të shkaktuar huti në rajon e në Kosovë në favor të Rusisë dhe me intencë të prishjes së unitetit në BE, e që s’ka qenë gjithmonë unik. Në veri të Kosovës, Lista serbe ka qenë Kal i Trojës i Vuçiqit dhe Putinit për të shpërndarë lajme të rreme, për të bërë komplote, kundër shtetësisë së Kosovës e shumë më tepër. Dyshohet se agjenturat serbo-ruse në Kosovë e Shqipëri bëjnë dhe financimin e disa mediave, portaleve, për të shpërndarë lajme propagandistike në favor të financuesve”, është shprehur Bekteshi.

Ai ka kërkuar nga institucionet shtetërore të Kosovës, që t’i shpallë luftë hakerimit dhe propagandave serbo-ruse.

“Prandaj, në këto kohë kritike, shteti ynë duhet të përmirësojë sigurinë kibernetike dhe t’i shpall luftë hakerimit serbo-rus. Lufta e brendshme politike në vend, po ashtu është një faktor kritik që ia mundëson propagandës ruse që të jetë e suksesshme në Kosovë. Sjelljet e ulëta, jo parimore dhe jo parlamentare të opozitës në kohë kritike për shtetin, e bëjnë situatën edhe më alarmante që në mënyrë të vetëdijshme apo pavetëdijshme bëhen pjesë e propagandës serbo-ruse duke i drejtuar ‘heshtat’ kundër vendit dhe jo kundër hasmit”, ka shtuar Ramazan Bekteshi për gazetën “Bota sot”.

Rreth dy muaj më parë në mediat ndërkombëtare qarkulloi lajmi se një luftë e re e mundshme në Evropë po shpërthen për shkak të tensioneve në rritje midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat erdhën si pasojë e sulmit terrorist serb në Banjkë, ku u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat