Eksperti i sigurisë jep alarmin, tregon shtetin që është targeti kryesor i Rusisë në Ballkan

Politika

Eksperti i sigurisë jep alarmin, tregon shtetin që është targeti kryesor i Rusisë në Ballkan

Nga: P.R Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 18:47
Foto ilustrim

Mes tensionesh dhe paralajmërimesh për trazira dhe eskalim të situatës në Ballkan dhe ndërhyrjes ruse në këtë rajon, eksperti i sigurisë Drizan Shala, gjithashtu ka parashikime jo të mira për vitin 2024.

“Situata e cila mund të jetë e tensionuar për vitin 2024 sipas gjitha gjasave do të jetë Ballkani Perëndimor duke vënë në pah katër shtete të cilat në vetvete kanë disa çështje të pa definuara në procesin e tyre, qoftë në integrimin brenda familjes evropiane (Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut), si dhe procesi tjetër për normalizim të raporteve nga luftërat e fundit të viteve 90-ta (Kosova, Bosnja e Hercegovina me Serbinë)”, shprehet Shala për “Bota sot”.

Ai thotë se Rusia po synon që përmes Serbisë ta fusë nën orbitën e saj Ballkanin Perëndimor.

“Ballkani dhe vendet e ish bllokut komunist në federatën monstrume (Jugosllavi), është dëshmuar që përgjatë gjithë fazave dhe viteve që kemi lanë pas nuk kanë mundur të ndahen nga interesi i drejtpërdrejtë, nga interesi gjeopolitik e madje gjeostrategjik i Rusisë, duke shfrytëzuar Serbinë si instrument për të futur këtë pjesë në orbitën e tyre për të destabilizuar rajonin”, deklaron Shala.

“Situata është përkeqësuar nga njëra anë nga një luftë hibride e instaluar në rajon nga viti 2011 e tutje deri në shpërfaqjen e saj më 2014, ku frytet e saj u dukën nga pjesa më latente në pjesën faktike reale të Rusisë brenda konturave politike dhe institucionale të këtij ish bllokut ballkanik”, shton Shala.

Më tej, Shala thekson se caku i ardhshëm në Ballkan mund të jetë Bosnja e Hercegovina.

“Nga ana tjetër deklarimi i Presidentit të Ukrainës që target i ardhshëm do të jetë Kosova e Bosnje Hercegovina, këtu mund të themi që potenciali më i madh mund të jetë pikërisht BeH, por që do të përdoret Kosova dhe fragjiliteti i saj politik i brendshëm për të dezorientuar veprimet nga targeti kryesor dhe primar që mbetet BeH me mbi 25 mijë km2 dhe afrimin e Serbisë në detin Adriatik dhe Rusisë në atë Mesdhe”, shpjegon Shala.

“Një ballafaqim nuk është i largët në rast se palët në theksin e veçantë Kosova dhe Serbia, nuk do të mund të gjejnë ndonjë alternativë që procesi një dekadësh të përmbyllet brenda një periudhe të caktuar që do të duhet të ishte 2023, por që me perfiditet do të vazhdojë në 2024 me potencialin strategjik serb që politika evropiane do të jetë në favorin e saj për veprime të vazhdueshme destruktive në favorin e Rusisë dhe Serbisë”.

Për fund, eksperti Shala thotë se Kosova duhet të veprojë në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë.

“Kosova do të duhej t'i mendojë fare mirë veprimet e saja në fushën politike (diplomatike dhe të brendshme) dhe sigurisë (me strukturat e saja të sigurisë dhe bashkërendim me partnerët që janë KFOR/NATO ) që mos të ketë fare mundësi të kemi plasaritje në këto sfera që mund t’i kushtojnë Kosovës në mbajtjen e stabilitetit të këtij fragjiliteti politik destruktiv të Serbisë brenda territorit, duke punuar për ndryshime evulative në forcimin e legjitimitetit dhe legalitetit institucional të vendit brenda kufijve të Kosovës”, përfundon për “Bota sot” eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat