“Duhen edhe disa vite”, juristi tregon se kur do të përfundojë gjykimi ndaj Thaҫit dhe të tjerëve

Politika

“Duhen edhe disa vite”, juristi tregon se kur do të përfundojë gjykimi ndaj Thaҫit dhe të tjerëve

Nga: H.O. Më: 29 prill 2024 Në ora: 22:50
Ilustrim/ Bota sot

Gjykimi ndaj Hashim Thaҫit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e disa të tjerëve, po vazhdon ende në Gjykatën Speciale në Hagë. Asnjëherë nuk është dhënë ndonjë afat i caktuar kohor se për sa kohë mund të vazhdojë ky proces dhe ende nuk dihet se kur do të përfundojë.

Por se sa kohë mund të zgjasë ky proces dhe në cilën fazë është aktualisht, avokati dhe juristi Ardian Bajraktari ka folur detajisht për këtë ҫështje.

Ai ka thënë se ky proces po ecën shumë ngadalë dhe duhen edhe disa vite që të përfundojë.

“Ecuria e procesit gjyqësor ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara, po ecën me ritëm mjaft të ngadalshëm, përveç se me mungesë të theksuar të transparencës. Sipas kësaj dinamike, do të duhen edhe disa vite që ky proces të përfundohet, për faktin se tashmë e kemi vetëm dëshmitarin e 58-të me radhë, ndërkohë që ish krerët e UÇK-së po vazhdojnë të mbahen në paraburgim”, sqaron ai.

Image
Ardian Bajraktari

Ai thotë më tutje se, ‘kur jemi te paraburgimi dhe veçmas vazhdimi i tij "shabllon" nga ana e Dhomave të Specializuara, apo siç njihet ndryshe Gjykata Speciale, vlen t'i hedhim një vështrim praktikës së GJEDNJ-së për këtë çështje’.

“Sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, janë tri kritere themelore që duhet vlerësuar nëse privimi i lirisë e veçmas paraburgimi si masa më e ashpër për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë është i ligjshëm dhe jo arbitrar duhet të plotësohen tri kritere.  Këto kritere janë: Së pari, duhet të ekzistojë “dyshimi i bazuar” që një person i privuar nga liria ka kryer një vepër penale, së dyti, qëllimi i privimit të lirisë duhet të jetë në funksion të zbatimit të procedurës penale dhe për më tepër, duhet të jetë proporcional, në kuptimin që duhet të jetë i nevojshëm për të siguruar paraqitjen e personit para autoriteteve kompetente përkatëse dhe së treti, privimi i lirisë apo caktimi i paraburgimit duhet të jetë bërë duke ndjekur procedurën e përcaktuar me ligj. Thjeshtë, padrejtësia e deritashme, duhet të ketë kufi”, vlerëson juristi Bajraktari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat