A ka filluar opozita “fushatë të parakohshme”, flet deputeti Lekaj, tregon me cilën parti do të bënin koalicion

Politika

A ka filluar opozita “fushatë të parakohshme”, flet deputeti Lekaj, tregon me cilën parti do të bënin koalicion

Nga: Naile Ejupi Më: 2 maj 2024 Në ora: 12:12
Pal Lekaj

Partitë politike opozitare kanë filluar një fushatë të parakohshme. Takime e mbledhje nëpër qytete të ndryshme janë duke zhvilluar kryetarët e partive PDK, LDK, e AAK.

Ditë më parë, Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se subjekti politik ku ajo bën pjesë në thelb nuk vë vija të kuqe me askënd për koalicion.

Ajo tha se vijat e kuqe janë shpikur nga Vetëvendosje.

“Ne mendojmë se me Lëvizjen Vetëvendosje e kemi të vështirë të realizojmë planin tonë, mirëpo duhet të zhveshet nga këto termat e rëndë përjashtues e ndonjëherë edhe linçues”, u shpreh ajo.

Vija të kuqe ndaj partive tjera, nuk ka as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nga e cila thonë se secila parti që programin dhe planet e udhëheqjes së Kosovës i ka të njëjta si të AAK-së, ata janë të hapur për bashkëpunim.

Nga kjo parti kanë prezantuar edhe mocionin për rrëzimin e Qeverisë, mocion ky që sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, ka mbetur në letër për shkak se nuk gjeti mbështetje nga partitë tjera.

Lekaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se ka një shqetësim dhe zhgënjim mbi qeverisjen Kurti.

“AAK tani e sa kohë ka prezentuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë, i cili mocion mbeti në letër pasi nuk gjeti mbështetje nga partitë dhe deputetët e tjerë të vendit tonë. Dhe rrjedhimisht që nga ai moment partia e AAK-së në krye me liderin Haradinaj, jemi të angazhuar në teren në bashkëbisedim me qytetarë, sipërmarrës, personel shëndetësor, personelin arsimor, bujq, struktura të partisë e takime jashtë vendit me Diasporën tonë. Nga të gjitha takimet e bashkëbisedimet me qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, e të gjitha profileve, ka një shqetësim dhe zhgënjim mbi qeverisjen e Qeverisë Kurti , ku mbizotërojnë pakënaqësitë mbi çmimet e larta, rrogat e vogla në sektorin Privat dhe Publik, mungesa e sigurimeve shëndetësore, cilësia e dobët e jetesës, ikja e qytetarëve, mbyllja e bizneseve, mungesa e investimeve kapitale, sanksionet ekonomike nga Evropa, keqpërdorimet dhe abuzimet qeveritare, etj. Prandaj këto e shumë arsye të tjera, janë argumenti më i mirë që kjo Qeveri nuk po din dhe nuk po do të udhëheqë Kosovën në mënyrën e duhur, dhe që zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe qytetarët e vendit”, ka deklaruar Lekaj.

Tutje, ai ka shtuar se janë të hapur për bashkëpunim e rrugëtim politik.

“AAK ka programin dhe idenë së si duhet të menaxhohet dhe udhëhiqet shteti në qeverisjen e ardhshme. Cilado parti që programin dhe planet e udhëheqjes të Kosovës i ka të njëjta si të AAK-së, ne jemi të hapur për bashkëpunim e rrugëtim politik”, ka thënë deputeti.

Diskutimet për zgjedhje janë shpeshtuar sidomos në muajt e fundit, kurse gatishmëri për to ka shprehur edhe partia që është aktualisht në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Prej këtij subjekti politik kanë një datë për zgjedhje, datë optimale e zgjedhjeve është 14 shkurti i vitit 2025, në ditën kur edhe bëhen katër vite nga mbajtja e zgjedhjeve nacionale e ku Vetëvendosje kishte fituar 50.02% të votave.

"Unë nuk mendoj se duhet të shkojmë në zgjedhje me 9 qershor, për arsye sepse çdo gjë është normale edhe në Qeveri edhe në Kuvend. 14 shkurti i vitit 2025 është data kur duhet të shkohet në zgjedhje. Kjo është data kur bëhen katër vite nga zgjedhjet nacionale. Ne do të punojmë normalisht edhe Kuvendi edhe Qeveria dhe ne nuk kemi nevojë për ndonjë datë eventuale’’, ishte shprehur deputeti i VV-së, Halil Thaçi në një përgjigje për PDK-në dhe datën e zgjedhjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat