“Nëse edhe Albini dorëzohet...”/ Zbardhet prapaskena: Ja pse qëndrimet e Ramës pas kthimit nga Parisi janë provë e “tradhtie” ndaj Kosovës

Politika

“Nëse edhe Albini dorëzohet...”/ Zbardhet prapaskena: Ja pse qëndrimet e Ramës pas kthimit nga Parisi janë provë e “tradhtie” ndaj Kosovës

Nga: Mimoza Lakna Më: 11 maj 2024 Në ora: 08:05
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka njoftuar se ai dhe qeveria e tij nuk e pranojnë kushtin e tri shteteve më të fuqishme të BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë që në këmbim të pranimit në Këshillin e Evropës të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Këtë vendim të kryeministrit e konsideron si të pritur dhe shumë të drejtë njohësi i marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dr. Enver Bytyçi.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Bytyçi ka thënë se këto tri këto shtete e kanë njohur Republikën e Kosovës shtet të pavarur e sovran dhe tani vendosin kushte në favor të zhbërjes së këtij shteti.

“Ose duhet të thonë se “Gabuam që e njohëm Kosovën”, ose duhet e duhej ta votonin Kosovën në Këshillin e Evropës. Rrugë të mesme nuk ka as për SHBA-të, të cilat qëndrojnë në të njëjtën linjë me këto tri shtete evropianë. Asociacioni nuk mund të ishte dhe nuk mund të jetë kusht për shumë arsye. Por kryesorja lidhet me faktin se këto vende, që sponsorizuan Marrëveshjen e Brukselit dhe ankesin e Ohrit, kanë heq dorë nga dokumentet, të cilat vetë i kanë hartuar dhe që Kosova i ka pranuar. Bazuar në këto marrëveshje nuk mund të nxirret një detyrim i njërës palë nga teksti i marrëveshjes e të imponohet për zbatim. Kjo është shkelje e aneksit të Ohrit të pranuar nga palët dh nga vetë këto vende. Tani duan të kundërtën”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Image
Dr. Enver Bytyçi

Sipas profesorit, refuzimi i kushtit për pranim në KiE nga ana e z. Kurti është i arsyeshëm, sepse nuk mund të pranosh të jesh pjesë e një organizate ndërkombëtare si Këshilli i Evropës në këmbim të shuarjes së shtetit.

“Asociacioni, siç e kanë projektuar Escobar, Lajçak, Borrell e të tjerë anti-kosovarë e pro-serbë, është minë me sahat në trupin e shtetësisë së Kosovës. Atë asosacion mund ta krijojnë vetë komunat me shumicë serbe bazuar në ligjin dhe kushtetutën e Kosovës, pa patur nevojë për ndonjë vendim të qeverisë apo të kryeministrit Kurti. Këtë e dinë francezët, gjermanët, italianët, amerikanët. Dhe derisa e dinë dhe këmbëngulin, atëherë ata kanë për qëllim ose kthimin e Kosovës nën sundimin serb, ose ndarjen e Kosovës. Në të dy rastet shteti i Kosovës zhbëhet. Pra, në këmbim të zhbërjes së shtetit nuk mund të pranohet anëtarësimi në KiE! Madje as në OKB!

Kurti e refuzoi ofertën dhe kërkesën e tri vendeve të lartpërmendura, sepse këto vende nuk janë serioze. Në fakt mungesa e seriozitetit vlen për Berlinin. Por Parisi, Londra e Uashingtoni sillen me intrigë. Të gjithë këta i thonë Kosovës se do të jenë në krah të Kosovës për të mbrojtur interesat e saj, kufijtë dhe shtetësinë e saj! Ndërkohë duan ta kthejnë atë nën sundimin e Aleksandër Vuçiq, nga frika se ky i fundit mund ta destabilizojë rajonin.

Meqenëse puna qenka kështu, atëherë duhet të nisë gara se kush, kur dhe si mund ta destabilizojë Ballkanin. Sjellja jonë si “të moderuar”, si “pro-evropianë apo pro-amerikanë”, na ka bërë qesharakë, sepse europianët dhe amerikanët kanë parë se shqiptarët janë të gatshëm ta shesin atdheun për interesat personale të tyre. E kam fjalën për politikanët. Ka një dallim thelbësor midis asaj që ndodh në Serbi dhe asaj që ndodh në kosovë e sidomos në Shqipëri. Ndërsa serbët e thjeshtë nuk janë të gatshëm në masën që shqiptarët janë të gatshëm për të luftuar për vendin e tyre, politikanët serbë krijojnë përshtypjen se mund të bëjnë luftëra të reja kundër shqiptarëve e popujve të tjerë në Ballkan. Ndërsa politikanët shqiptarë krijojnë idenë servile e jargaviste se janë gati të shesin tokë e det për të qëndruar në pushtet”, shprehet ai.

Bytyçi, thekson po ashtu, se kjo është “arsyeja” pse evropianët dhe amerikanët janë penduar për bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.

“Mos dëgjojmë fjalimet. E vërteta e pendimit të tyre shprehet në kujdesin për shtetin e Kosovës. Nëse SHBA, Franca e Gjermania do të ishin në mbështetje të shtetësisë së Kosovës, nuk mund të bëhej kjo kërkesë absurde e pranimi në KiE të kushtëzohej me Asociacionin. Madje sot Kosova do të ishte anëtare e OKB-së. Tani shqiptarët mësuan faktin se këto tri-katër vende nuk duan integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Në fakt unë e kam kuptuar që në vitin 2014, kur Kosova nuk u pranua në UNESCO dhe isha i bindur se vota kundër e Polonisë e asaj kohe ishte pasojë e kërkesës së këtyre tri shteteve. Obama i pari e prishi balancën e mëparshme. E vuri Amerikën në funksion të shkatërrimit të pavarësisë së Kosovës. Obama bëri presion që Kosova të nisë bisedime me Serbinë për ta zhvleftësuar pavarësinë e saj. Obama diktoi dhe imponoi ngritjen e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Të gjitha këto me kërkesë të Rusisë dhe Serbisë. Franca ka qenë gjithmonë, edhe gjatë sulmebve ushtarake të vitit 1999 në anën e Serbisë. Po kështi Lamberto Dini i Melonit”, shprehet ai.

Për profesorin Enver Bytyçi, sot ka një “shtesë kati” në qëndrimet anti-Kosovë, e cila e ka emrin Edi Rama!

“Nuk e ka thënë një fjalë të vetme për pranimin e Kosovës në Këshill, jo më të ketë lobuar. Ai i ka porosit diplomatët e Shqipërisë që të lobojnë për ndarjen e Kosovës. Është armiku më i madh i Kosovës, po aq sa është Macron dhe Aleksandër Vuçiq! Kush i beson Edi Ramës në Kosovë ose është injorant, ose është armik i vendit të tij! Çfarë e ndaloi që së paku t’ia kërkonte këtë mikes së tij, Melonit të Italisë?! Pse shkoi së bashku e në një ditë me Vuçiq-in në Paris de takuan Emmanuel Macronin?! Çfarë i kërkoi Ramës presidenti francez dhe çfarë i premtoi atij kryeministri i Shqipërisë. Qëndrimet e Edi Ramës pas kthimit nga Parisi, para disa javësh janë provë e tradhtisë së tij për Kosovën!”, shprehet ai.  

Sipas tij, Albin Kurti po përballet me të gjithë këta faktorë.

Dr. Bytyçi uron që kryeministri do të dakordohet me presidenten e Republikës, zonjën Osmani dhe të bëhen bashkë në këtë sfidë të jashtëzakonshme.

“Ndryshe, nëse edhe Albini dorëzohet, atëherë shqiptarëve u mbetet të marrin sërishmi në dorë armët. Por kësaj radhe për ta çliruar vetë Kosovën. Po u zvarritëm pas ndihmës së të tjerëve, do kthehemi sërishmi në të njëjtën pikë. Duhet të imponohemi! Mundësitë i kemi! Politikanë që e duan atdheun ka jo pak! Por në rast se i radikalizojmë veprimet, edhe tradhtarët do të fshihen. Objektivi duhet të jetë kësaj radhe, që nëse na imponohet luftë, këtë luftë ta zhvillojmë jo më në territorin e Kosovës, por në territorin e Serbisë dhe të vëmë në diskutim jo më territoret shqiptare, por ato serbe!”, përfundon Bytyçi.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për takimin që do të mbahet më 17 maj.

Megjithatë, ambasadori gjerman thotë se Kosova sa më shpejt duhet të marrë një vendim, duke aluduar në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që ka dalë si kusht i fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat