Rexhep Selimi: Qeveria po na lë pa punë

Politika

Rexhep Selimi: Qeveria po na lë pa punë

Më: 26 korrik 2016 Në ora: 13:06
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës gjatë këtij sesioni nuk ka proceduar asnjë projektligj në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke penguar kështu punën e këtij komisioni.

Kështu u tha në takimin e këtij komisioni, ku u diskutua rreth Planit të Punës së Komisionit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016.

Anëtari i komisionit nga radhët e VV-së Rexhep Selimi, tha se Qeveria e Kosovës, nuk po i lë ata të punojë, pasi që puna e tyre është e ndërlidhur dhe me punën e Kuvendit dhe Qeverisë dhe se kjo ka ndikuar që komisioni të mos e kryej punën ashtu siç është dashur.  

Selimi tha se Qeveria  i ka lënë pa punë, pasi që gjatë këtij sesioni, nuk ka proceduar asnjë projektligj në këtë Komision. Ndërsa tha se  kanë pasur si target për këtë vit dy ligje të nevojshme dhe të domosdoshme si ai  për pensionim të parakohshëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, që është dashur të bëhet, e po ashtu dhe hartimin e legjislaturës së nevojshme,  sa i përket ndryshimit të misionit të FSK-së në Forca të Armatosura.

 Selimi: Qeveria na la pa punë

“ Komisioni ka kryer punën e vet 100 për qind. Këtë e thash edhe në fillim, me admirimin për krejt anëtarët e Komisionit. Por Qeveria nuk e ka kryer punën e vet. I bjen që Qeveria na ka lënë, nëse s’kemi punu ne si komision, jo që s’kemi qenë të gatshëm, por Qeveria na ka lënë pa punë. Asnjë projektligj nuk është proceduar gjatë këtij sesioni në komisionin e sigurisë”, tha Selimi.

E Fadil Demaku  zëvendës kryetar i parë i këtij komisioni, tha se komisioni nuk ka pasur ngecje, pasi që ka realizuar të gjitha takimet e tij. Ndërsa  u bëri thirrjeve anëtarëve nga radhët e opozitës, që të kthehen në komisione.  E Selimit të VV-së i tha se kthimi i tij i ka dhënë sharm punës së komisionit.

Demaku: Kthimi yt i ka dhënë sharm komisionit

“ Të vijnë anëtarët e komisionit nga opozita, në mbledhje të komisionit, sepse kjo do ta fuqizonte shumë më tepër punën e komisionit. Por me gjithë mungesën që ka qenë edhe e juaja. Mendoj se kthimi yt i ka dhënë sharm kësaj pune, komisioni e ka kryer punën e tij konform rregullave. Prapë bëj kërkesë,  por kjo është çështje politike,  jo e lutjeve dhe kërkesave individësh, të vijnë anëtarët tjerë të komisionit të bashkëpunojmë dhe ta kryejmë punën siç është më së miri”, tha Demaku.

Ndërsa sa i përket çështjes së FSK-së ai tha se kjo është një çështje, jo e një komisioni parlamentar, por ka të bëjë me politikbërjen në nivel vendi.  Ndërsa Nuredin Ibishi  nga radhët e LDK-së tha se projektligji  për FSK-në  ka probleme në ngecje, pasi që duhet të bindet Lista serbe që të votojë atë, pasi që ka trysni edhe trysni nga  Beogradi.

E ftesë për opozitën pati dhe anëtarja tjetër nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu. Ajo tha se opozita duhet të kthehet, në mënyrë që puna e komisioneve të jetë më efektive.   

Musliu: Të na bashkëngjiten koleget e opozitës

“ Do të dëshiroja shumë që në pjesën e dytë të vitit, të na bashkangjiten dhe kolegët tjerë të opozitës. Sepse deshëm apo nuk deshëm,  mungesa e tyre vërtetë krijon një hendikep. Sepse sa më shumë ballafaqime të mendimeve dhe sa më shumë prezencë e tyre, do të jetë komisioni më kompakt, thjeshtë më efektiv”, tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat