“Skandali i radhës, i Hashim Thaçit”

Politika

“Skandali i radhës, i Hashim Thaçit”

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 9 gusht 2016 Në ora: 16:25
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

“Paralajmërimi i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për daljen nga politika në një medium në Beograd, mendoj se është një nga skandalet e radhës të këtij individi të papërgjegjshëm që Kosova e ka President. Mendoj se do të ishte lajm i mirë për Kosovën një hap i tillë, jo tani por që moti Hashim Thaçi të largohej nga politika, sepse sigurisht se qytetarët e Kosovës do të ishin më fatbardhë. Hashim Thaçi është personi kryesorë për dështimet në Kosovë që nga lufta e këndej, prandaj do të ishte mirë dorëheqja e tij”, ka thënë analisti Jeton Kelmendi. 

Që nga periudha e paraluftës dhe tani pas saj, ishte një ndër figurat kryesore të skenës politike në Kosovë. Por, tani Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ditë më parë ka paralajmëruar daljen nga politika, pasi t`a përfundoj mandatin. “Dëshiroj të theksoj se politika nuk është jeta ime. Presidenca është dalja ime nga jeta institucionale e politikës kosovare”, ka deklaruar Thaçi, ndërsa nuk ka përmendur nëse do të synoj edhe një mandat presidencial. Hashim Thaçi ka provuar udhëheqjen thuajse në të gjitha institucionet. Për dy mandate radhazi ishte Kryeministër i Kosovës ndërsa, mbahet mend për dështime të shumta të Qeverisë gjatë asaj periudhe.

Si rrjedhojë e kësaj, Kosova, nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, vazhdon të radhitet ndër vendet me më së shumti korrupsion dhe mosfunksionim të sistemit të drejtësisë. Po ashtu, gjatë periudhës sa Thaçi ishte në postin e Kryeministrit, mbahet mend vjedhja në dhomën e dëshmive, në ndërtesën e sigurisë së lartë, Drejtorinë e Krimeve të Rënda, në vitin 2009. Që nga atëherë, nuk u zbuluan kurrë autorët e këtij krimi, ku u vodhën 50 kilogramë drogë të llojit heroinë dhe qindra mijëra euro në valuta të ndryshme.  Afera “pronto”, është ajo që e karakterizon Thaçin gjatë mandatit të tij si kryeministër i vendit e tashmë si President..

Përgjimet kanë zbuluar pazaret e ndryshme që vartësit e tij por edhe vetë Thaçi, kanë bërë për të vënë në pozita udhëheqëse të bordeve dhe agjencive të ndryshme militantë të PDK-së.  Presidenti Hashim Thaçi, nuk i solli asnjë njohje vendit, përgjatë periudhës mbi 1 vjeçare sa ishte në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme. Nga ana tjetër, nën drejtimin e Thaçit si Ministër i Jashtëm Kosova nuk arriti të anëtarësohet në UNESCO. Për më tepër, ajo për të cilën do të mbahet mend Thaçi si Ministër i Punëve të Jashtme, është nënshkrimi i marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e zi, duke e futur vendin në një ngërç politik nga mospajtimet e opozitës e opozitës me këtë marrëveshje. Edhe postin e Presidentit, Hashim Thaçi e mori nën rrethana të gazit lotsjellës e trazirave.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Mërkurën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat