Kritikohet rezoluta e Kuvendit, ky është shpëtimi i vetëm për Ushtrinë e Kosovës

Politika

Kritikohet rezoluta e Kuvendit, ky është shpëtimi i vetëm për Ushtrinë e Kosovës

 Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 shkurt 2017 Në ora: 09:04
FSK

Kuvendi i Kosovës ditë më parë miratoi Rezulutën që do t’i hap rrugë themelimit të Ushtrisë së Kosovës. Megjithatë ende nuk dihet se cilat janë hapat dhe plani që do të duhej të ndërrmerr Qeveria që sa më shpejt të krijohet ushtria.

Sipas deputetevë të Kosovës dhe njohësve të çështjeve politike, Qeveria i ka pasur dhe i ka rrugët e hapura gjithmonë për t’a themeluar ushtrinë, por nuk ka pasur vullnet dhe guxim. Ata kanë vlerësuar se Ushtria e Kosovës mund të formohet përmes një ligji të ri, por nuk mund të realizohet me procedura të rregullta, përveç nëse përfaqësuesve etnik serb në Kuvendin e Kosovës, nuk u ofrohet diçka si kompromis.

Topalli: Kuvendi t’i jap autorizime shtesë FSK-së

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Faton Topalli, ka thënë për “ Bota Sot” se Qeveria mori mandain nga Kuvendi t'i bëjë veprimet e nevojshme për ta formuar ushtrinë, pasi Lista serbe mund të bëjë pengesa.

Por, ai ka thënë se ka edhe rrugë të mesme. 

“Një mundësi e tillë është forcimi i FSK-së dhe Kuvendi i Kosovës mund t'i jap autorizime shtesë FSK-së. Në këtë rast kjo nuk do ta kishte emrin ushtri, por do të kryente funksionin si e tillë. Me rëndësi është t’i kemi mekanizmat mbrojtës, në shërbim të mbrojtjes , gjë që do të shkonte edhe forcimi i policisë dhe paisja e saj me mjete moderne të punës”, ka thënë deputeti i VV-së Faton Topalli.

Selimi: Nuk ka pasur fare nevojë për rezolutë e shtyerje

Deputeti Rexhep Selimi ka vlerësuar se Qeveria i ka pasur dhe i ka rrugët e hapura gjithmonë për ta themeluar ushtrinë, por nuk ka pasur vullnet dhe guxim.

Sipas tij, nuk ka pasur nevojë fare për rezolutë e shtyerje.

 “Nëse do të donte Qeveria ka pasur dhe ka mundësi ta themelojë FAK-un. Nëse nuk ka vullnet, as me këtë rezuluta Qeveria nuk do të veprojë në atë drejtim. Unë nuk pres që Qeveria të veprojë as tash, pasi që ende është nën kushtet dhe ndikimet e LS-së dhe Serbisë’, është shprehur deputeti Rexhep Selimi për “Bota sot”.

Abazi: Politika po manipulon opinionin

 Sipas Haki Abazit, njohës i çështjeve politike dhe drejtori i Fondacionit “Rockefeller Brothers” për Ballkanin Perëndimor, Rezolutat nuk janë forma për të bërë shtetin.

Ai ka thënë për “Bota sot” se rezolutat bëhen për shtetet tjera dhe se është gabim kjo qasje e shtetit, por nuk është paqëllimshme.

Sipas tij, “politika është për sy e faqe e për kredi politike, sepse Plani i Ahtisarit lejon formimin e ushtrisë, por lidershipi i Kosovës e ka sjellur vetën në lakun që i ka bërë vetes me dialogun duke e eleminuar përfaqësimin e vërtetë të serbëve të Kosovës dhe duke krijuar Listën Srpska si instrument politik të dalë nga rezultati i dialogut”.

“Është turp të manipulosh opinionin me rezoluta sikur po bëjmë diçka. Ashtu siç ka dështuar procesi i njohjeve nga pesë vendet e unionit evropian dhe vendeve tjera, pranimi në UNESCO, ashtu po dështon edhe procesi i formimit të Ushtrisë”, është shprehur Abazi.

Shpëtimi i vetëm për FAK-un

Ai ka theksuar se i vetmi shpëtim në këtë drejtim është që Qeveria Amerikane dhe evropianët, duke tentuar që të zvogëlojnë shpenzimet e veta në rajon, të bëjnë ndonjë shtytje për krijimin e balanceve të reja ushtarake në Ballkan.

“Nuk medoj që do të duhej të ishte ashtu, sepse Ballkani pa qenë pjesë e plotë NATO-s është fuqi baroti. Mendësia qeverisëse e ‘macës nën sofër’ është mendësi jo shtet formuese dhe kjo mendësi duhet ndërruar, përndryshe insitucionet munden me qenë vetëm shpenzues të buxhetit dhe jo garantues të sigurisë apo ofrues të shërbimëve për qytetarët”, ka thënë drejtori i Fondacionit “Rockefeller Brothers” për Ballkanin Perëndimor Haki Abazi.

Tahiri: Të miratohet Ligj i ri për Ushtrinë

Ndërsa, sipas politologut Mentor Tahiri, formimi i ushtrisë, respektivisht ngritja e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, sot është imperativ, pasi konteksti i tanishëm në të cilën gjenden raportet politike dhe ushtarake në regjion dhe më gjerë, e imponon këtë.

“Eshtë e qartë që nëse përcjellët rruga e mekanizmave kushtetues, të cilët janë në dispozicion, nuk mund të anashkalohet bllokada nga “Lista Srpska”, andaj Ushtria e Kosovës nuk mund të realizohet me procedura të rregullta, përveç nëse përfaqësuesve etnik serb në Kuvendin e Kosovës, nuk u ofrohet diçka si kompromis. Miratimi i rezolutës, paraqet një përkushtim pak më serioz se sa neglizhimi i tërësishëm. Megjithatë, ende nuk kemi ardhur në stadin kur legjislacioni në fuqi mundëson transformimin e FSK-sa në forca ushtarake”, ka thënë politologu Tahiri për “Bota sot”.

Sipas tij, një nga opsionet e mundshme është, që të miratohet një ligj i ri, me të cilin do të krijohen forca ushtarake krejtësisht të reja.

“Opsioni i fundit në rast se nuk ka mundësi që të krijohen forcat ushtarake, është gjetja e hapësirave ligjore, të cilat do të mundësojnë armatosjen e trupave aktuale të FSK-së pa ndryshuar statusin e saj zyrtar”, është shprehur politologu Tahiri.

 Shahu: Ushtria s’bëhet me rezoluta, por me vendime të forta!

 Edhe analisti politik Rexhep Shahu është i mendimit se Ushtria e Kosovës nuk bëhet me rezoluta parlamentare, por siç ka pohuar ai, ajop bëhet me vendime të forta, pas lëvizjeve të forta diplomatike, si dhe pas lobimeve të suksesshme. 

Duke folur për “Bota sot”, ai ka thënë se Ushtria e Kosovës nuk ndërtohet me kujtime e ëndrra por me luftë të komandantëve.

“Artikulimi apo më saktë, freskimi i artikulimit amerikan nga administrata e re e SHBA për mbështetje ndaj Kosovës për integrimin e saj të plotë është inkurajimi më i madh për politikën që të mos ngopet me fjalë e me rrenat e veta, por të veprojë në mënyrë dinamike për krijimin e ushtrisë. Besoj se Qeveria e Kosovës do të plotësojë këtë qëllim të lartë me çmim sa më të vogël politik, por Qeveria nuk e bën e vetme”, ka thënë analiti politik Shahu.

Kransiqi: Qeveria do ta lidh fatin e FAK-ut me atë Asociacionit

Ndërsa, duke folur për këtë çështje, Islam Krasniqi, njohës i çështjeve politike,  ka thënë se Rezulutat e Kuvendit shumë herë kanë mbetur vetëm në letër.

Andaj, ai shpreson që edhe kjo të mos shkoi ashtu siç shkuan tjerat para saj.

“Ne jemi në një gjendje kritike nëse mund ta quaj kështu, sepse forcat paramilitare serbe futen në teritorin e Republikës së Kosovës dhe i kryejnë stërvitjet, e ne ende s’e kemi themeluar forcën e armatosur, e cila do t’i mbrojë kufijtë dhe territorin e saj. Qeveria së bashku me Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera duhet t’i bashkrendojnë veprimet e tyre, në bashkëpunim më SHBA-të dhe NATO-në, që FSK-në ta shëndrrojnë në FAK apo në Ushtri”, ka thënë Kransiqi.

Ai ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës do të duhej që të kërkojë nga Bashkësia Ndërkombëtare që ata të bëjnë presion mbi Listën Serbe, që ta votojnë FAK-un.

E nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, atëherë, sipas tij, Qeveria e Kosovës, duhet të kërkojë nga organi ligjvënës për ndryshimin e ligjit lidhur me FSK-në, ligj ky i cili e kufizon armatimin e tyre dhe të rris kapacitetet konform me Forcat e armatosura të rajonit, pa iu ndryshuar emri, që e ka aktualisht.

 “Qeveria ende është e heshtur, dhe po besoj se do ta lidh fatin e FAK-ut me atë Asociacionit, (votone FAK-un, po e themelojmë Asociacionin në komunat më shumicë Serbe). E nëse kjo nuk ndodhë dhe presim që Lista Serbe ta votojë FAK-un, atëherë ne e kemi shumë gabim, sepse ajo i shërben Qeverisë serbe, e  jo të Kosovës. Dhe kjo është fatkeqësia e institucioneve tona, të cilat kanë pranuar gjithçka, pa i parashikuar sfidat të cilat do të na përcjellin në shtet-ndërtimin tonë”, ka thënë Islam Kransiqi./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat