Mashtrimet e deputetëve me Demarkacionin

Politika

Mashtrimet e deputetëve me Demarkacionin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 7 mars 2017 Në ora: 08:31
Pika kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi

“E gjithë kjo është lojë politike e cila po luhet për qëllime të disa subjekteve politike. Deputetët të jenë të kujdesshëm dhe t’u ikin mashtrimeve politike që po bëhen vazhdimisht nga subjekte politike që janë në koalicionin qeverisës. Është shumë evidente se demarkacioni është çështje me interes të Kosovës për fuqizimin e shtetit dhe identitetit gjithnjë në garantimin e aleatit më të fuqishëm të SHBA-të”, është shprehur Ali Hertica

Megjithëse ishte menduar që 1 shtatori i vitit të kaluar do të ishte data, kur do të ndodhte ratifikimi i Demarkacionit, kjo gjë nuk ndodhi dhe nuk ka ndodhur ende. Marrëveshja e Demarkacionit është thënë, se do të sillet për ratifikim në Kuvend gjatë kësaj jave dhe kjo është bërë e ditur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.  Por, ka zëra që thonë se nëse nuk ratifikohet kjo marrëveshje, vendi mund të shkojë në zgjedhje. Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e LDK-së, Sadri Ferati, ka thënë për gazetën “Bota sot”,  se këto dy çështje nuk lidhen dhe pavarësisht miratimit ose jo, zgjedhjet varen nga koalicioni qeverisës.  “Me mandat zgjedhjet janë në vitin 2018 dhe nuk ka ndonjë tregues që do të krijonte bindje, se po përgatitet që të ketë zgjedhje më herët. Ndërsa sa i përket Demarkacionit, shpresojmë që do të kalojë, por nëse ai nuk kalon, duhet të shihet nëse partnerët dëshirojnë të vazhdojnë me agjenda, për çështje të rëndësishme që i kemi, sepse ka shumë gjëra të rëndësishme që i kemi për t’i bërë dhe varet nga partnerët a  dëshirojnë që të vazhdojnë bashkëqeverisjen më tutje ose jo. Por, ligjërisht ajo nuk lidhet, çështja e mos kalimit në ligje nuk duhet të lidhet me vazhdimin e qeverisjes. E gjithë kjo varet nga partnerët”, ka thënë Ferati.

AAK: Vendi të shkojë në zgjedhje, pavarësisht demarkacionit

Deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur pro zgjedhjeve, si një domosdoshmëri për vendin, megjithëse thotë se nuk mund të tërhiqen paralele mes tyre dhe demarkacionit.  “Zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë e mundshme për vendin. Kurse demarkacioni është marrëveshja që i bën dëm vendit dhe zgjidhjet do të provonin diçka të re, një qeveri të re, e cila duke u bazuar në të metën e kësaj qeverie, do të punonte kur ta merrte mandatin për interesin e qytetarë dhe ata nuk do të lejonin të ndodhin gabime siç kanë ndodhur deri më sot. Prandaj, nuk mund të them që mund të tërhiqen paralele mirëpo çështja e demarkacionit është ashtu siç është nënshkruar, pa u diskutuar me qytetarët me deputetët që janë përfaqësues të popullit, pra qeveria në krye në këtë rast me Isa Mustafën që është implementues, por Presidenti Thaçi është nënshkrues i saj, sepse ai e ka përdorur nënshkrimin për të këqijat që do t’i ndodhnin Kosovës, nëse do të ratifikohej kjo, andaj në zgjedhjet konsiderojmë se janë zgjidhja më e mirë për momentin kur është Kosova”, ka thënë Haxhiu.  Tutje, deputetja thotë se do të duhej një Qeveri e re, pavarësisht se nga cila parti politike formohet.  “Prandaj, duke u bazuar në gabimet shumë të rënda që ka bërë dhe ka pretenduar të bëjë qeveria aktuale, LDK-PDK, zgjedhjet do të jenë zgjidhja e vetme dhe për të prodhuar një qeveri, e cila pa marrë parasysh se nga kush vjen, normalisht që ne pretendojmë të jemi fitues, por megjithatë populli do të vendos se kush do të jetë dhe do të jetë e përgjegjshme dhe besoj se duke pësuar mëson nga gabimet. Prandaj është momenti që vërtetë të shkojmë në zgjedhje dhe të tregojmë praktikat, se kur do të dalë qeveria jashtë kornizave të cilat nuk do të jenë në interes të vendit dhe kur nuk do të lejohej një gjë e tillë të ndodhte sikur që ka ndodhur me nënshkrimet e fundit, me asociacionin dhe demarkacionit”, ka deklaruar ajo për “Bota sot”.

Nisma: Vendi në zgjedhje, Demarkacioni të mos ratifikohet

Ndërsa, sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se versioni aktual i demarkacioni nuk duhet të ratifikohet, por që vendi duhet të shkojë në zgjedhje, edhe pse kjo nuk varet nga demarkacioni por nga dëshira e koalicionit qeverisës.  “Së pari, kjo qeveri ka kohë që e ka mbushur kupën me vendime të gabuara që janë duke i dhënë fund sovranitetit, integritetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Ratifikimi i këtij versioni të demarkacionit nuk duhet të ndodhë,  sepse demarkacioni është një çështje që nuk ka mbështetje as në popull dhe nga  deputetët qoftë të opozitës qoftë të mazhorancës nuk do ta votojnë këtë. Prandaj, a shkohet në zgjedhje apo nuk shkohet për arsye tjera nuk e di. Por, në asnjë rast demarkacioni nuk duhet të ratifikohet. Vendi është dashur të shkojë në zgjedhje për shumë arsye të tjera,  por,  jo pse nuk do të miratohet demarkacioni, ai nuk duhet të ratifikohet pa marrë parasysh pastaj a ka dëshirë mazhoranca që të shkojë ose jo në zgjedhje të parakohshme është çështje e tyre, por ata nuk kanë të drejtë të shkojnë në zgjedhje pse nuk u ratifikua demarkacioni . ai nuk duhet të ratifikohet për shkak të interesit të lartë shtetëror dhe jo për shkak të zgjedhjeve”, ka deklaruar Sherifi.

Edhe VV, pro versionit të zgjedhjeve

Zëdhënësi për media i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, pavarësisht ratifikimit ose jo të demarkacionit.  “Para se të japim vendime të tilla duhet ta kemi parasysh se ky është një projekt me të cilin kjo qeverisje është marrë gjatë mandatit të saj, pra gjatë 2 ose 3 viteve është marrë me demarkacionin dhe Zajednicën. Dhe, edhe pse njëherë dështuan në Kuvend për Demarkacionin, ajo po rikthehet. Kjo, mendoj që është një gabim i madh që mund të ketë pasoja të mëdha për shtetin e Kosovës prandaj ne nuk duhet të flasim për lojëra të pushtetit, por duke ta bëjmë të pamundurën që këto marrëveshje t’i pamundësojmë dhe në asnjë mënyrë të mos jetësohen. Pra, përpjekja e qeverisë që me çdo kusht t’i kalojë këto marrëveshje, duhet të përballet me kundërshtinë tonë, jo vetëm në parlament, por edhe me atë qytetarë”, ka thënë ai.  Tutje, Hoti thotë se Qeveria duhet të ndërrohet, për shkak të projekteve si Demarkacioni dhe Asociacioni.   “Vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje që moti sepse kjo Qeveri i është nënshtruar krejtësisht listës Srpska, dhe një qeveri të dobët, si kjo nuk e kemi pasur asnjëherë. Prandaj mendoj që duhet të shkojë vendi në zgjedhje pavarësisht demarkacionit sepse kjo qeveri nuk e ka pasur asnjë projekt që ndikon në mirëqenien  të qytetarëve dhe përmirësimin e jetës në Kosovë por vetëm projekte antikushtetuese, antishtetërore, antikombëtare si demarkacioni dhe Zajednica dhe shkuarja në zgjedhje është domosdoshmëri”, ka deklaruar Hoti për “Bota sot”.

Demarkacioni, lojë politike

Ndryshe mendon analisti Ali Hertica, i cili në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar  se procesi i demarkacionit duhet të nisë nga fillimi pasi ka qenë një lojë politike.  “Për ta shpëtuar vendin që të shkojë në zgjedhje të parakohshme Kuvendi i Kosovës nuk duhet ta kalojë demarkacionin para deputetëve, sepse ky proces duhet të nisë nga fillimi. E gjithë kjo është lojë politike e cila po luhet për qëllime të disa subjekteve politike. Deputetët të jenë të kujdesshëm dhe t’u ikin mashtrimeve politike që po bëhen vazhdimisht nga subjekte politike që janë në koalicion qeverisës. Është shumë evidente se demarkacioni është çështje me interes të Kosovës për fuqizimin e shtetit dhe identitetit gjithnjë në garantimin e aleatit më të fuqishëm të SHBA-të. Kështu që opozita duhet të bashkohet në vendimet që janë interes të Kosovës pa shikuar interesat partiake, sepse bojkoti përmes bllokimit të proceseve politike ftoh marrëdhëniet me aleatët e Kosovës siç është SHBA”, është shprehur Hertica. Më tej, ai shton se nëse nuk arrihet ratifikim i Demarkacionit, atëherë vendi të shkojë në zgjedhje.  “Nëse nuk arrihet që marrëveshja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi të votohet në Kuvend nga numri i caktuar i deputetëve mbi 80, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Sipas të gjitha situatave politike qe sot po përjeton shoqëria e Kosovës, besoj se Qeveria duhet të gjejë formën për ta qetësuar situatën politike në vend dhe mos të shkohet në ekstremitete. Qeveria duhet të gjejnë ndonjë solucion për këtë marrëveshje që të ratifikohet në Kuvend. Nëse nuk arrihet të votohet kjo marrëveshje e demarkacionit atëherë pse të mos shkohet në zgjedhje”, ka përfunduar ai./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat