E zbulon Ministri i FSK-së: Projektligji për ushtrinë i dërgohet Qeverisë, çdo gjë në koordinim me SHBA-të dhe NATO-n

Politika

E zbulon Ministri i FSK-së: Projektligji për ushtrinë i dërgohet Qeverisë, çdo gjë në koordinim me SHBA-të dhe NATO-n

Më: 14 mars 2017 Në ora: 14:42
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli tha se tashmë e kanë proceduar në Qeveri projektligjin për FSK-në, për të cilin ministria që ai drejton ka opinion pozitiv.

Demolli: Opinion pozitiv për ligjin e FSK-së

“Grupi punues që e kam përmend dje,  ka punuar  gjatë gjithë ditës dhe sot në orët e hershme të mëngjesit, ka bërë prezantimin para menaxhmentit të lartë të Ministrisë së FSK-së,  i cili është dakorduar për draftligjin. Po ashtu ka dhënë opinionin pozitiv për aprovimin e tij, të cilin gjatë ditës ia kemi dorëzuar  në ora një Zyrës së Kryeministrit... Ajo çka është me rëndësi është opinioni pozitiv. Ne po ashtu ia kemi bashkëngjit një numër të ndryshimeve të cilat i propozojmë, por të cilat duhet t’i marrë parasysh presidenca që është sponzore  e ligjit”, tha Demolli pas mbledhjes së Qeverisë.

Ndërsa i pyetur se a do ta përkrahin këtë projektligj edhe nëse nuk e ka përkrahjen e SHBA-ve ai tha se çdo gjë është në koordinim me SHBA-të dhe partnerët tjerë strategjik të Kosovës.

Demolli: Çdo gjë në koordinim me partnerët strategjik

“S’kisha dashur të them pa pajtimin. Çdo gjë është në koordinim me SHBA-të dhe partnerët tanë strategjik. Andaj ju e keni dëgjuar sot edhe debatin e presidentit të vendit për këtë Draft ligj dhe është thënë se është në koordinim me partnerët tanë strategjik”, tha ai.

Demolli dje në një intervistë ka sqaruar se projektligji për FSK-në pas dorëzimit në Kuvend nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i është kthyer Ministrisë për ta analizuar dhe shqyrtuar nga grupet punuese.

Ministria për FSK-në procedoi në Qeveri projektligjin për FSK-në

Ministria për Forcën e Sigurisë të Kosovës ka proceduar në Qeverinë e Kosovës, mendimin për Projektligjin Nr 05/L-156, për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“MFSK shpreh pajtimin e plotë dhe mbështet miratimin e Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës që do të rezultonte me krijimin e bazës ligjore me qëllim të përmirësimit dhe ndërtimit të një sistemi të mbrojtjes dhe sigurisë me kapacitetet e nevojshme shtetërore, në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe interesave shtetërore, si dhe përmbushjen e synimeve për integrime euro-atlantike”, thuhet në një komunikatë nga kjo Ministri.

 Dje ministri Haki Demolli ka thënë se grupet punuese  e kanë analizuar dhe shqyrtuar projektligjin për FSK-në dhe bashkë me opinionet për të i njëjti do të dërgohet në Qeveri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat