Ushtria e Kosovës, elementi kyç i shtetësisë!

Politika

Ushtria e Kosovës, elementi kyç i shtetësisë!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 mars 2017 Në ora: 16:47
Forca e Sigurisë së Kosovës

Kosova edhe përkundër është shtet i pavarur dhe e kanë njohur 114 vendet e botës, përsëri nuk ka ushtrinë e saj, kurse formimi i një ushtrie të Kosovës ka filluar të diskutohet që nga shpallja e pavarësisë së vendit, por që deri më tani një gjë e tillë i mungon, duke bërë që Kosova si shtet të ketë mangu një element kyç që e kanë shtetet e pavarura.

Presidentit i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se projektligji për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Sipas Thaçit, tani janë krijuar kushtet që të lëvizin tutje,  pasi që FSK është e gatshme për transformim. Ai tha se edhe pse do të dëshironin që transformimi nga FSK në ushtri të Kosovës të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, një gjë e tillë po pamundësohet nga përfaqësuesit serbë në Kuvendin e Kosovës.

“Bota sot” ka provuar që të marr një qëndrim nga Ministria e FSK-së, në lidhje me atë se si do të veprohet me themelimin e ushtrisë, dhe se a ka kapacitete që FSK-ja të transformohet në ushtri, por nuk ka arritur ta bëj një gjë të tillë.

Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se përkrahin këtë formë të formimit të ushtrisë.

Deputetja nga radhët e VV-së, Besa Baftiu thotë se Kosova nuk mund ka mundur ta formojë ushtrinë edhe pse është shtet i pavarur, sepse Kosova gjithmonë ka pritur nga dialogu me Serbinë dhe ka pritur njohje nga ajo.

“Ne si VV jemi që pro që Kosova ta ketë ushtrinë e që kjo të bëhet me ndryshime kushtetuese por meqë këto ndyshime duhet bërë edhe me votimin e 2/3 e Listes Serbe. E që kjo gjë ështe e pamundur ndonëse si kjo qeveri ashtu edhe ato me parimet gjithmonë dialogun me Serbinë e arsyetojnë se Serbia në fund të dialogut do ta njeh Kosovën, por jo vetëm që  nuk po njeh, por ky dialog vetëm sa po bën të mundur ndërhyrjen e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës e që po pengon ndryshimet kushtetuese për formimin e ushtrisë” pohon Baftiu.

Sipas Baftiut, në pamundësi të ndryshimeve kushtetuese ata përkrahin çdo iniciativë për formimin e ushtrisë.

Ajo pohon se normalisht duhet të kenë edhe përkrahjen e NATO-s dhe SHBA-së.

“ Në pamundësi të ndryshimeve kushtuese në përkrahim çdo iniciativë qoftë edhe me ligj të bëhet ushtria e Republikës së Kosovës, normalisht që duhet ketë edhe përkrahjen e Natos dhe SHBA që deri më tani kanë qenë mbështetesit kryesor të FSK-së në të gjitha aspektet. Sa i përket kapaciteteve të FSK-së  ato tanimë janë dëshmuar se janë edhe nga vetë ndërkombëtarët” shprehet Baftiu.

Kosova, projekt ndërkombëtar

Kurse sipas partisë opozitare Nisma për Kosovën, parimisht Kosova nëse do të funksiononte si shtet normal do të duhej ta krijonte ushtrinë e saj vetë.

Anëtari i Kryesisë së Nisma për Kosovën, Bajram Hasani thotë pasi që shteti i Kosovës është krijuar si projekt ndërkombëtarë atëherë është e imponuar që për çdo vendim të merret miratimi i tyre.

“Parimisht nëse Kosova do të funksiononte si shtet normal do të duhej ta krijonte ushtrinë e saj vet dhe atë shumë kohë më përpara. Por, meqë shteti i Kosovës është krijuar si një projekt ndërkombëtarë dhe pavarësia e Kosovës është ndërtuar mbi marrëveshje ndërkombëtare atëherë na është imponuar që për çdo vendim të rëndësishëm të marrim edhe miratimin e ndërkombëtarëve” shprehet Hasani.

Sipas Hasanit, FSK-ja është ngritur si forcë me ndihmën e NATO-s dhe SHBA, prandaj Kosova duhet ta krijojë ushtrinë e saj në pajtim me ata.

“ Edhe FSK deri tani është ngritur si forcë me ndihmën e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jam shumë i bindur se Kosova do ta krijojë Ushtrinë e saj dhe ajo do të bëhet në pajtim me NATO-në dhe SHBA-në. Por mendoj se faktori ndërkombëtar nuk do të bëjnë pengesa për krijimin e Ushtrisë vetëm se tek ta vërehet një hezitim për shkak të frikës së krijimi i ushtrisë mund të nxisë tensione” thekson Hasani.

Ai pohon se Kosova ka kapacitete ta ndryshojë misionin e saj sepse është e gatshme të bëhet krejtësisht në ushtri.

“Ndërkohë Kosova tashmë ka kapacitete që të ndryshojë misionin e FSK-së sepse kjo forcë është e është trajnuar sipas standardeve më të larta të NATO-s dhe është e gatshme të bëhet krejtësisht Ushtri e Kosovës dhe krijimi i saj jo vetëm që nuk do të krijojë tensione në Ballkan por do të jetë ndihmëse e stabilitetit në rajon. FSK është forcë profesionale, shumë etnike dhe e gatshme t`u përgjigjet të gjitha sfidave të sigurisë dhe mbrojtjes në tërë territorin e Kosovës. Duke u bazuar në këto arritje qoftë në aspektin profesional taktiko-teknik dhe me standarde të NATO-s, tek të gjithë ekziston gatishmëria për këtë transformim andaj duhet të bëhet veprimi i duhur nga të gjithë institucionet dhe i deputetëve të Kosovës që të bëjnë Ushtrinë e Kosovës” shprehet Hasani.

Të dëgjohen miqtë, SHBA e NATO

Kurse, sipas analistit Rexhep Shahu, Kosova nuk mund ta formojë ushtrinë e saj edhe pse është shtet i pavarur sepse është falë mbështetjes e luftës së Amerikës dhe NATO-s.

“Kosova është vërtetë shtet i pavarur, i njohur nga mbi 100 shtete, por Kosova është si e tillë falë mbështetjes e luftës së Amerikës dhe NATOS. Nëse miqtë amerikane dhe të Natos që  na sollën lirinë dhe falë tyre e kemi lirinë, na këshillojnë  për ushtrinë se si duhet ta bëjmë, ne duhet t’i dëgjojmë miqtë strategjikë se pa to nuk ka shumë siguri liria e siguria jonë si shtet i ri” shprehet Shahu.

Sipas tij Kosova nuk mund ta bëjë ushtrinë e saj pa ndihmën e këshillat amerikane, sepse nuk ka fuqinë.

“Kosova nuk mundet ta bëjë ushtrinë e saj pa ndihmën e këshillat amerikane sepse nuk ka fuqinë ta bëjë ashtu siç nuk e ka pasur fuqinë që ta fitojë lirinë pa Amerikën e NATO-n. Patriotat që kërkojnë ta bëjnë ushtrinë pa ndihmën amerikane e dinë mirë se nuk ia dalin dot siç nuk ia kanë dalë  në luftë që ta kishin një ushtri por shtuan lista ushtaresh pas lufte. Lojërat politike dhe konjukturat të fitojnë vota janë pa vlerë. Askush askënd nuk e ndalon ta krijojnë ushtrinë. Bëjeni nëse mundeni, kështu i duhet thënë Hashimit e Kadri Veselit. Por ata as nuk dinë as nuk mundin, as nuk ia dalin kurrë pa Amerikën e NATO-n derisa Kosova te konsolidohet dhe të qeveriset nga njerëz të ditur e jo partizane” pohon Shahu.

Kurse sipas njohësit të zhvillimeve në vend, Jeton Kelemendit, Kosova është kushtimisht shtet i pavarur por praktikisht nuk është.

Sipas Kelmendit, Kosova realisht nuk mund ta formojë ushtrinë e saj.

“Kosova është një shtet i pavarur, por kushtimisht është i pavarur, ndërsa praktikisht nuk është edhe aq i pavarur. Edhe, pse i është larguar ai monitorimi sipas pakos së Ahtissarit, Kosova është treguar e pa zonja për t’u vetëudhëhequr. E gjitha kjo ka ndodhur sepse kasta politike e Kosovës është një kast e korruptuar, është një kast e shantazhuar. Sa i përket anës formale, këtë kushtetutë e kemi dhe këtë e kanë votuar liderët që për gjithçka duhen pyetur minoritetet për ligjet dhe realisht Kosova nuk mund të formojë ushtrinë sepse duhet edhe 2 e 3 e pakicave. Kjo mund të ndryshohet sepse duhet të ketë së paku katër deputetë serbë sepse Kosova është i vetmi vend demokratik i cili nuk e ka të drejtën e referendumit si kategori kushtetuese dhe për të gjitha duhet një kast e re politike. Dhe nuk duhet që të merren mbi supet e veta partitë  dhe lider populist  siç është Presidenti Thaçi që ju ka afruar ura për t’ju djegur nga Gjykata Speciale dhe tani dëshiron ta hedhë në humnerë Kosovën dhe ta ndajë nga miqtë ndërkombëtarë ata të cilët edhe na kanë ndihmuar, për lirinë dhe pavarësi” shprehet Kelmendi.

Ai thotë se kjo është çështje politike, sepse ushtria mund të formohet edhe duke filluar të specializohet FSK-ja fillimisht.

“Kjo  tentativë e Thaçit është me populisëm prandaj armiku më i madh i bërjes së Ushtrisë së Kosovës është Hashim Thaçi, i shoqëruar me Kadri Veselin dhe Agim Çekun. Kanë bërë vepra populiste me uniformën të Kosovës dhe tani për t’i fshehur veprat e tyre dhe dështimin që kishte Presidentit Thaçi ngrihet dhe dëshiron formimin e Ushtrisë. Është çështje politike, sepse ushtria mund të formohet duke filluar të specializohet, FSK-ja të kishte helikopterë,të aftësohen e të shkollohen në akademi ushtarake në vendet ndërkombëtare, dhe realisht nuk është e përgatitur për Ushtri” përfundon Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat