Qeveria Mustafa i jep dritën jeshile projektligjit për Ushtrinë

Politika

Qeveria Mustafa i jep dritën jeshile projektligjit për Ushtrinë

Më: 17 mars 2017 Në ora: 11:22
Foto arkiv. Mustafa gjatë një vizite në FSK

Qeveria e Kosovës, përkatësisht ministria e FSK-së, ministria e Integrimeve dhe ajo e Financave i kanë dhënë dritën jeshile projektligjit për FSK-në të sponsorizuar nga presidenca.

Këto tri ministri tashmë i kanë dhënë opinionet e tyre të cilat në fakt i japin mbështetje rritjes se kompetencave për FSK-në.

I kontaktuar nga ‘Indeksonline’, Bajram Gecaj këshilltar i kryeministrit Mustafa ka treguar se tashmë kjo çështje nuk kalon përmes vendimeve politike të Qeverisë, por i takon sekretariatit të Ekzekutivit se kur do ta procedoj për Kuvend projektligjin në fjalë.

“Nëse tri ministritë përkatëse i kanë dhënë opinionet e tyre pozitive për FSK-në, atëherë është çështje e sekretariatit kur e procedon në Kuvend. Ata kanë afat një muaj me dorëzu në Kuvend, pra është çështje e tyre nuk ka të bëjë fare me neve”, ka thënë Gecaj.

Një ditë më parë, ministria e Integrimeve, ka thënë se projektligji për FSK-në nuk i cenon parimet e së drejtës se BE-së.

Edhe ministria e Financave ka konfirmuar për mediet se projektligji në fjalë nuk implikon buxhet shtesë.

Projektligji për FSK-në përkundër kundërshtimeve të NATO-s dhe ambasadës se SHBA-ve në Prishtinë është përkrahur nga i gjithë spektri politikë në vend.

Për miratimin e këtij projektligji nuk nevojiten më shumë se 61 vota.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat