Rrëfehet i mbijetuari i masakrës së Suharekës: Ja pse e ftova Vuçiqin në shtëpinë time!

Politika

Rrëfehet i mbijetuari i masakrës së Suharekës: Ja pse e ftova Vuçiqin në shtëpinë time!

Nga: Bota sot Më: 1 prill 2017 Në ora: 11:54
Gramoz Berisha, i mbijetuar nga masakra e Suharekës

Gramoz Berisha, i mbijetuar nga masakra e Suharekës, ka rrëfyer në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” tmerrin e përjetuar nga kriminelët serbë.

Gjatë rrëfimit të tij, ai ka treguar se të vetmit që kanë shpëtuar nga kjo masakër ishin nëna dhe gruaja e xhaxhait të tij.

Berisha ka kërkuar nga institucionet e Kosovës, por edhe nga Kryeministri serb, një përgjigje për familjarët e pagjetur.

I pyetur nga gazeta se pse e ka ftuar ai kryeministrin serb në shtëpinë e tij, Gramoz Berisha, ka thënë se arsyeja që e ka ftuar atë, ishte që t’i kërkojë përgjigje atij se pse ndodhi krimi, kush e bëri dhe ku janë trupat e familjarëve të tij.

“Arsyeja kryesore e ftesës që i kam bërë kryeministrit Vuçiq, është që të më jep përgjigje për pyetjet që i ceka edhe më lartë. Unë e marr guximin, t’i drejtohem atij e t’i them se dera e shtëpisë sime është e hapur, e pres të vijë dhe të më përgjigjet në pyetjet, çfarë ka ndodhur, kush i bëri, ku janë trupat? Ai është udhëheqës i ushtrisë dhe policisë serbe, është personi i duhur të më japë përgjigje për këto pyetje”, ka thënë ai.

Berisha ka theksuar se nuk kërkon kërkim falje nga Vuçiq, pasi ajo nuk i duhet.

“Nuk më duhet mëshira e askujt. Më duhen përgjigjet që do të më mundësonin që normalisht të jetoja me dhimbjen time. Do të isha i gatshëm të përballem me të, pasi që ajo përgjigje sadopak do të na lehtësonte dhimbjet që na mundojnë tash e 18 vite”, ka rrëfyer ai për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat