Kush po fshihet prapa eliminimit të gazetarëve në Kosovë?

Politika

Kush po fshihet prapa eliminimit të gazetarëve në Kosovë?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 1 prill 2017 Në ora: 12:42
Gazetarë e vrarë të "Bota sot", Xhemajl Mustafa, Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti

Institucionet e drejtësisë, si vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare kanë dështuar në zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve në Kosovë. E heshtur thuajse gjithmonë, nga ata që përfaqësojnë gazetarët në Kosovë dhe e përmendur nga politika vetëm në raste të fushatave zgjedhore, çështja e vrasjes së gazetarëve në Kosovën e pasluftës, vazhdon të jetë një nga plagët më të rënda të shoqërisë në Kosovë. Për vrasjen e gazetarëve Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, Xhemajl Mustafa e Enver Maloku, të gjithë këta gazetarë, përkatësisht bashkëpunëtorë të gazetës “Bota sot”, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë në Zvicër dhe Evropë.  Sipas raporteve të IFJ, Reporters sans Frontieres dhe AJASE (Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë në Zvicër dhe Evropë) në Kosovën e pas luftës ka pasur mbi 200 kërcënime dhe 4 gazetarë te vrarë, kryesisht te “Bota Sot” (Enver Maloku, Xhamajl Mustafa, Bekim Kastrati dhe Bradhyl Ajeti), por sot e kësaj dite përveç deklaratave “të ashpra” askush nuk është arrestuar për këto akte kriminale. Gazeta nuk ka marrë përgjigje nga Prokuroria e shtetit e as nga EULEX-i lidhur me hetimet për vrasjen e gazetarëve.

Të vërtetat, përfshijnë njerëz të fuqishëm

Për analistin Hidajet Ahmeti, një Prokurori që kontrollohet nga njerëz të politikës, dhe prokurorë që emërohen përmes telefonatave, nuk mund të këtë as profesionalizmin por as guximin për t’i përfunduar proceset hetuese deri në fund.  “Komiteti i gazetarëve duhet të çmohet e vlerësohet nga të gjitha sferat e shoqërisë, pasi që  çdoherë është në shërbim të qytetarëve, por gjithherë në rrezik potencial për jetën. Një Prokurori që kontrollohet nga njerëz të politikës, dhe prokurorë që emërohen përmes telefonatave si njerëz të tipit Grabovci, nuk mund të këtë as profesionalizmin, por as guximin për t’i përfunduar proceset hetuese deri në fund”, ka thënë Ahmeti për “Bota sot”. Ahmeti duke u mbështetur në mënyrën e funksionimit të deritashëm të sistemit prokurorial,  është shprehur skeptik sa i përket zbardhjes së vrasjeve të gazetarëve. “Nëse mbështetemi në retrospektivën e funksionimit të sistemit Prokurorial e në veçanti KPK-së, si mekanizëm mbikëqyrës e kontrollues të këtij sistemi, shpresat janë minimale qe të zbardhën vrasjet e pazbardhura të gazetarëve. Në njërën anë politika, ka futur hundët në emërimet e anëtarëve në “Komisionin e pavarur “, prandaj nuk ka dyshim se do t’i shërbejnë interesave politike të tyre, dhe nuk mund të hetoj rastet kur preken interesat e klaneve të caktuara”, ka deklaruar Ahmeti. Sipas tij, edhe misioni EULEX,  për sundim të ligjit ka dështuar në misionin e tij, dhe nuk shquhet për merita brenda objektivit të tij. “Vrasjet e tilla nuk janë zbardhur deri me tani, shkaku se nga zbulimi i të vërtetave mund të dalin njerëz të fuqishëm të politikës e të prishet rehatia e ndonjë politikani urdhërdhënës për vrasjen e gazetarëve të caktuar. Zbulimi i të vërtetave për rastet e caktuara të vrasjeve të gazetarëve, çdoherë është pengesë për politikanët të cilët kanë vepruar e punuar jashtëligjshëm, duke ju shërbyer interesave të ngushta klanore e politike”, ka nënvizuar ai. Ahmeti ka theksuar se, heshtja dhe stagnimi në rastet e caktuara nga sistemi i drejtësisë, bëhet me qëllime të caktuara, si ka thënë ai “në njërën anë për të vazhduar me avazin e njëjtë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kurse në anën tjetër këtë keqpërdorim duke e përkthyer në përfitime te grupeve të caktuara”, ka thënë më tej ai.

Prokuroritë si marionetat?

Ndërkaq Skënder Zogaj, publicisti dhe njëri nga bashkëpunëtorët e afërt të gazetarëve të vrarë të gazetës “Bota sot”,  ka thënë se drejtësia  në Kosovë,  në përgjithësi ka dështuar, sepse nuk ka arritur të realizojë as minimalisht funksionin e saj institucional.  ”Kjo drejtësi ka qenë në shërbim të plotë të individëve të fuqishëm dhe të grupeve të inkriminuara, të cilat që 17 vjet e kanë bërë Kosovën plojë, duke e sjellë buzë greminës. Prokuroritë vendore deri në këtë çast janë marioneta në duart e banditëve, pa asnjë pikë fuqie për të kryer misionin e tyre të shenjë në hulumtimin e krimeve dhe të zbardhjes së fatkeqësive të hatashme që i kanë ndodhur popullit të Kosovës, të cilët i janë marrë mizorisht bijtë dhe bijat më të mira, njerëzit më të devotshëm të mbrojtjes së dinjitetit, vlerave kombëtare, të lirisë dhe të dëshirës për të realizuar pavarësinë dhe vetëqeverisjen e ëndërruar me shekuj”, është shprehur Zogaj. Sipas tij, të këtyre idealeve kanë qenë qindra veprimtarë atdhetarë, idealistët brilantë të demokracisë, ndër ta edhe gazetarët: Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Bardhyl Ajeti, Bekim Kastrati, Shefki Popova, Ali Uka, Ismajl Berbatovci, etj. “Ata janë vrarë nga duart e zeza të kriminelëve dhe, prokuroritë vendore,  që 17 vjet kanë heshtur, duke mos pasur guxim që të hetojnë vrasjet dhe të marrin masat e duhura ndaj kriminelëve. Kjo është gjendje e llahtarshme që, të gjithë prokurorët që kanë marrë rrogë nga paslufta e deri më sot, duhet ta ndjejnë në shpirtin e tyre, nëse kanë një pikë ndërgjegje njerëzore, sepse, duhet ta qesin dorën në zemrën e tyre dhe ta kuptojnë zjarrin e familjarëve të gazetarëve të vrarë, të cilët kanë pësuar, jo për interesat e veta personale, por edhe për interesat e prokurorëve, familjarëve të tyre dhe për atdheun dhe popullin shqiptar të Kosovës. Prokurorët kosovarë edhe në mos i mallkoftë askush, kanë me qenë të mallkuar nga pagat e pamerituara që i kanë marrë, ndërkohë që, trupat e gazetarëve kalben nën të vrarë duke luftuar për lirinë, të drejtën dhe të vërtetën”, është shprehur Zogaj.  Ai ka thënë, se arsyeja se pse prokurorët vendor kanë vepruar kështu, është fare lehtë të dihet. “Sepse, janë përzgjedhur nga kriminelët prandaj domosdo që janë në shërbim të kriminelëve. Ndryshe, nuk do të ndodhte kjo heshtje kaq përbuzëse”, ka nënvizuar ai. Mirëpo, Zogaj ka potencuar se për këto raste  UNMIK-ut dhe EULEX-sit, nuk duhet fajësuar. “Pse u dashka kërkuar nga të huajt që të na i kryejnë punët tona? Jo, ata janë në Kosovë për të ndihmuar njerëzit e drejtësisë e jo për ta bërë drejtësinë, nëse për këtë qëllim ka kërkesa. Por, siç e dimë të gjithë, prokuroritë dhe gjykatat vendore në vend të bashkëpunimit për realizimin e misionit të tyre, kanë bashkëpunuar për ta penguar drejtësinë, dhe për të realizuar përfitime personale, kështu që, as UNMIK-u dhe as EULEX-i, domosdo që nuk e kanë realizuar misionin e tyre . Pas gjithë kësaj, një fije shprese shkon te Gjykata Speciale, e cila është shansi i fundit për ta ndryshuar gjendjen ekzistuese”, ka përfunduar ai.

Kritikohet drejtësia vendore

Kurse, sipas analistit Ali Hertica, drejtësia vendore nuk ka pasur asnjë interesim për hetimin e vrasjes së gazetarëve. “Duke u nisur nga historiku i së kaluarës dhe tani dihet mirë se institucionet e drejtësisë, nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve, që ishin ishin lajmëtarët e medieve që njoftonin  qytatarin me të gjitha ndodhitë që ndodhin në politiken dhe shtetin e po sa lindur. Tani del se gjyqësia nuk ka pasur asnjë interesim për të marr një hap të tillë duke mos u lodhur fare për këto vrasje duke ja lënë kohës sespe kishin një frikë nga shumë mekanimza të mbrndshëm dhe të jashtëm”, ka thënë ai.  Por sipas tij, ndonëse ishte një shpresë, edhe EULEX-i ka dështuar në zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve. “Ardhja e EULEX-it, ishte një shpresë se një ditë do të zbardhen thuajse të gjitha ato vrasjet enigmatike. As, kjo e fundit nuk u mor fare me këto procedura dhe koha po ik e dosjet mbeten sirtarë të, pahapura dhe kështu e gjitha mbeten ne fatin e kohës ndoshta koha do ti zbulon të gjitha epilogjet këtyre vrasjeve”, ka përfunduar Hertica. Kujtojmë, se lidhur me vrasjen e publicistit Xhemajl Mustafa, EULEX-i vite më parë kishte deklaruar se hetimet janë në vazën preliminare. Ndërkaq, vrasësi i gazetarit Bekim Kastrati ,sipas EULEX-it, është Agron Sylejmani i cili ka vdekur në një përleshje me Policinë. Nga ana tjetër, për vrasjen e gazetarëve Bardhyl Ajeti e Enver Maloku, ende nuk ka pasur diçka konkrete nga ana e institucioneve të drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat