“Dallaveret” e Thaçit dhe Veselit për themelimin e ushtrisë

Politika

“Dallaveret” e Thaçit dhe Veselit për themelimin e ushtrisë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 prill 2017 Në ora: 11:25
Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Server, ditë më parë ka thënë se nisma e presidentit Hashim Thaçi për ushtrinë i shtyn proceset përpara. Sipas tij, themelimi i ushtrisë së Kosovës, është vonuar për disa vite dhe se tani duhet ta kemi të qartë se KFOR-i nuk do të qëndrojë përherë në Kosovë. Ai ka vlerësuar se Kosova ka kapacitetet për mbrojtje të përkohshme të sovranitetit dhe të integritetit të vendit, deri sa të vijë NATO-ja në ndihmë.

Ndërkohë, njohësit e çështjeve politike dhe deputetë të partive të ndryshme politike kanë vlerësuar se nisma e Presidentit që FSK të plotësohet me elemente të një ushtrie, pavarësisht se mund të quhet pjesërisht e dështuar, megjithatë u ka bërë me dije qarqeve politike vendimmarrëse, se disa çështje në Kosovë nuk munden pafundësisht të neglizhohen. Sipas tyre, deklaratat për transformimin e FSK-së në ushtri edhe pse jo të analizuara sa duhet, kanë ndikuar që tema e themelimit të ushtrisë, të aktualizohet.

Nënkryetari i AAK-së Avni Arifi, ka thënë se nuk ka njohuri se në çfarë konteksti e ka thënë këtë Server, por sipas tij, nisma e Thaçit ka dështuar.

“Nuk di se në çfarë konteksti e ka thënë këtë z. Server, por nisma e Thaçit e di se dështoi dhe nuk mund ta marrë me mend se ky dështim shtyu ndonjë proces përpara”, është shprehur Arifi për “Bota sot”.

Image
Deputeti i Liëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli

Topalli: Ushtria do të themelohet më së largu kur të vije Vetëvendosje në pushtet

Duke folur në lidhje me këtë, deputeti i VV-së Faton Topalli, ka thënë për “Bota sot” se Thaçi e ka tërhequr propozimin për themelimin e ushtrisë përmes ligjit. Sipas tij, nisma e tij ishte më shumë një aksion politik se sa një veprim përmbajtjesor.

“Në këtë kuptim është një hap para dhe pastaj dy mbrapa, ne me, apo pa propozimin e Thaçit duhet ta bëjmë ushtrinë. Themelimi i ushtrisë e avancon Pavarësinë e Kosovës. Ushtria e Kosovës do të themelohet më së largu kur të vije Lëvizja Vetëvendosje në pushtet. Dhe kjo është pjesë e programit tonë politik”, është shprehur deputeti Topalli.

“Dallaveret” mes Thaçit dhe Veselit

Ndërsa, deputeti i LDK-së Adem Salihaj ka thënë se Thaçi kërkoi të pezullohet nisma e tij për ushtrinë, kështu që ai në një farë mënyre hoqi dorë prej saj.

Sipas tij, tani duket se janë disa dallavere apo mospajtime në mes tij dhe Kadri Veselit, dhe ky i fundit bashkë me Kryesinë e Kuvendit vendosën ta procedojnë projektligjin në Kuvend.

“Kuvendi i Kosovës ka të drejtë ta ndryshojë mandatin e FSK-së edhe vetëm me ligj, pa e ndryshuar Kushtetutën dhe pa e marrë miratimin e serbëve. Problemi qëndron te mospajtimi i miqve dhe partnerëve tanë lidhur me këtë rrugë që po ndjekim. Se si do të zhvillohet më tej ky proces, do ta shohim, por jam i bindur se amerikanët dhe NATO përsëri do të insistojnë që të stopohet ky projektligj”, është shprehur deputeti Salihaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Image
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj

Tentativa e Thaçit, e dështuar?!

Kurse, sipas politologut, Mentor Tahiri, spektri politik i Kosovës, por edhe vetë komuniteti ndërkombëtar, shpesh mjaftohen me situatën status-quo në Kosovë, ndërsa si rezultat i kësaj po ngecin proceset si shtetformuese ashtu edhe ato nga të cilat varet konsolidimi i kualitetit të jetës në Kosovë.

Sipas tij, në kuadër të kësaj, nisma e Presidentit që FSK të plotësohet me elemente të një ushtrie, pavarësisht se mund të quhet pjesërisht e dështuar, megjithatë u ka bërë me dije qarqeve politike vendimmarrëse, se disa çështje në Kosovë nuk munden pafundësisht të neglizhohen.

“Tani, ka zotime serioze ndërkombëtare, në plan të parë amerikane, se Ushtria e Kosovës do të formohet këtë vit dhe atë me anë të ndryshimeve kushtetuese. Besoj që një diplomat amerikan, ka thellë të mbështetur një zotim të tij, para se të njëjtin ta plasojë në publik. Iniciativa e presidentit, përkon edhe me një momentum të ndjeshëm politiko-ushtarak në botë, gjë që duhet shfrytëzuar për t’i mbyllur dyert e sabotimit, çdo subjekti politik i cili ka në plan të sabotojë formimin e Ushtrisë së Kosovës. Përfaqësuesve të Listës Srpska, por edhe vetë Beogradit zyrtar i cili në fund do të bind deputetet serb në Kosovë, u është lënë një kohë disa muajshe e balancimit me publikun serb, kurse në fund Ushtria e Kosovës do të formohet pa shumë zhurmë. Kjo nënkupton që zhurmë nuk do të mund të bëjnë as akterët e ndryshëm politik të Kosovës, të cilët tradicionalisht shpejtojnë të marrin përsipër “lavdin” për çdo arritje, me ç’rast formimi i Ushtrisë së Kosovës nuk do të mund të përdoret si kredit elektoral nga askush”, është shprehur  politologu Tahiri.

Image
Analisti politik Leon Duhanaj

Analisti politik Leon Duhanaj ka thënë për “ Bota sot” se presidenti Thaçi, edhe në të kaluarën, edhe tani, është i njohur për deklarata të guximshme, shpeshherë.

Sipas tij, ai edhe si lryeministër është cilësuar për hapa të cilët kanë pasuar me debat.

“Deklaratat për transformimin e FSK-së në ushtri edhe pse jo të analizuara sa duhet, kanë ndikuar që tema e themelimit të ushtrisë, të aktualizohet. Kjo me apo pa dashje ka ndikuar që debati i zhvilluar, të nxjerrë në pah nevojën për krijimin e ushtrisë, si dhe vullnetin e shumicës absolute të shoqërisë në vend për ta jetësuar këtë ide sa më parë. Kjo ka ndikuar që edhe çarqet ndërkombëtare të sensibilizohen dhe ta kuptojnë se kjo është një nevojë e domosdoshme. Këndej, mund të konstatojmë se deklarata e Presidentit Thaçi, ka ndikuar në ngritjen e kësaj çështje në nivelin e duhur të debatit. Debat të cilin shpresojmë të kurorëzohet me sukses deri në themelimin dhe konsolidimin e ushtrisë”, është shprehur Duhanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat