Haradinaj nderon Presidentin Rugova: Edhe deputetët e LDK-së do ta kundërshtojnë turpin e madh

Politika

Haradinaj nderon Presidentin Rugova: Edhe deputetët e LDK-së do ta kundërshtojnë turpin e madh

Më: 29 prill 2017 Në ora: 11:48
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë homazheve tek varri i presidentit historik Ibrahim Rugova

(E plotësuar) -  Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ritheksuar se partia të cilën ai e udhëheq do të jetë kundër ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, e cila pritet që javën që vjen të shkojë në Kuvend për ratifikim.

Madje, kreu i AAK-së, ka shprehur besimin e tij se edhe deputetë të partisë në pushtet, Lidhjes Demokratike të Kosovës, do ta kundërshtojnë këtë marrëveshje, siç e ka quajtur ai, një turp të madh që po i vjen Kosovës.

Këto komente ish kryeministri Haradinaj i bëri pas homazheve te varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova dhe shtatores së Zahir Pajazitit.

Kreu i AAK-së, theksoi se traditën e nderimit shqiptarët e kanë të kultivuar, porse nderimi të varri i ish-presidentit Rugova nuk ndërlidhet me atë që po bënë LDK-ja aktualisht.

Image
Homazhet tek busti i heroit Zahir Pajaziti

Haradinaj: Besoj në integritetin e deputetëve të LDK-së për kundërshtimin e demarkacionit

“Besoj se në LDK ka njerëz me integritet, deputetë që nuk do të lejojnë që një turp dhe një e keqe e madhe më i ardhë vendit, e kam fjalën për demarkacionin dhe tema tjera, pra shumë besoj se ka njerëz me integritet. Ashtu siç ka edhe tek partitë tjera në pushtet. Falënderoj deputetët e partive të opozitës, të komuniteteve po ashtu që kanë shprehur gatishmërinë që mos të lejoj të kaloj...besoj e dini, nuk ka ndryshuar”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se pas kthimit nga Franca, ku qëndroi për katër muaj, pas ndalimit të tij nga autoritetet franceze, në bazë të një fletarresti të Serbisë, po e nisë punën e tij duke nderuar ata që janë meritor për lirinë dhe shtetin e Kosovës.

Haradinaj: Po nderojmë ata që janë meritor për shtetin

“Në nisje të obligimeve që kemi në vend sot e kemi filluar me nderim atyre që janë meritor për lirinë, për shtetin, jemi të varri i presidentit historik Ibrahim Rugova me nderu dhe me konfirmu një rrugëtim për Kosovën, që është një rrugëtim i lirisë, demokracisë dhe integrimit euroatlantik. Do të vazhdojmë me këtë nderim edhe tek vendet e shenjta tona, në Prekaz, në Meje, në Gllogjan”, shtoi Haradinaj.

Ish kryeministri Haradinaj tha se do të vazhdojë nderimin e tij edhe tek vendet tjera ku pushojnë trupat e heronjve të rënë për liri. Ai theksoi se me këtë dërgojnë porosi që po nderojnë njerëzit dhe vendet me kulmorë.

Haradinaj: Po i vizitojmë vendet me kulmore

“Kuptohet me këtë e dërgojmë një porosi jo vetëm për të shënuar ato ngjarjet më kulmore e vendet me kulmore sepse kudo që qëndron një trup i qytetarit tonë, një shpirt njeriut tonë ne jemi për ta nderuar”, tha Haradinaj.

Lideri i AAK-së u kthye nga Franca me 27 prill pas vendimit të Gjykatës së Colmarit për mos ekstradimin e tij në Serbi. Haradinaj qëndroi në Francë për katër muaj në bazë të një fletarresti të Serbisë, me të cilin akuzohej për krime lufte dhe kërkohej ekstradimi i tij në Serbi.

***

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe tek varri i ish-Presidentit Rugova.

Haradinaj ka thënë se këtë rrugë e ka filluar për të nderuara ata që janë meritor për lirinë e shtetit të Kosovës.

Nga varri i Rugovës ai ka bërë të ditur edhe një herë se partia e tij janë kundër Demarkacionit.

Ndërsa ka thënë se ka deputetë edhe brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës që nuk do ta lejojnë Demarkacionin.

“Besojmë se LDK ka njerëz me integritet të cilët nuk do të lejojnë që një e keqe si Demarkacioni t’i vijë vendit”.

Haradinaj: Edhe deputetët e LDK-së do ta kundërshtojnë turpin e madh

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka rikonfirmuar kundërshtimin e partisë së tij për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, e cila është paralajmëruar që të jetë në Kuvend gjatë javës që vjen.

Madje ai ka shprehur besimin e tij që edhe deputetët e LDK-së, do ta kundërshtojnë siç e quajti ai një turp të madh, pasi në LDK ka njerëz me integritet.

Këto komente ai i bëri pas homazheve te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat